Dialog gjithmonë dhe gjithkund
Nga Petrit Selimi më 09 shtator 2011
Një nga argumentet kryesore kundër dialogut me Serbinë, që po zhvillohet me mbështetjen e BEsë dhe SHBAve, është se Kosova nuk do të duhet të bisedojë me Serbinë derisa serbët ta njohin pavarësinë e saj. Në plan të rregullimit të brendshëm shtetëror, kjo përkthehet në kërkesën e prerë që serbët kosovarë duhet patjetër ta njohin Kushtetutën e Kosovës, nëse dëshirojnë të bëhen akterë legjitimë politikë.
Si pjesa e parë e argumentit, ashtu edhe pjesa e dytë derivative e saj duken si kushtëzime krejtësisht njerëzore dhe normale. Ama vetëm në një botë ideale (e jo idealiste). Problemi është se mënyra e vetme që Serbia të na njohë nuk do të jetë bojkoti i bisedimeve të sponzorizuara nga OKB, BE dhe SHBA në bazë të një rezolute të Asamblesë Gjenerale, e cila e njeh Opinionin e GJNDsë.
Identiteti shtetëror, paraqitjet e liderëve që nga Dr. Ibrahim Rugova e deri te Kryeministri Hashim Thaçi dhe Presidentja Atifete Jahjaga dhe konsensusi politik se çfarë shteti dëshirojmë, që u sublimua në votimin e Deklaratës, janë të tërat të bazuara në konceptin se Kosova është e kundërta e Serbisë, e cila solli aq tragjedi në Ballkan. Nëse Serbia ka kundërshtuar botën dhe dialogun gjatë të të nëntëdhjetave, Presidenti Rugova ka ofruar dialog dhe paqe. Kur Serbia filloi ta ashpërsonte dhunën, UÇK nuk u përgjigj me sulme terroriste nëpër Serbi që ti dëmtojë civilët, por nisi luftë krejtësisht mbrojtëse. Kur Serbia ishte kundër inkluzivitetit dhe zgjedhjeve demokratike gjatë UNMIKut, Kosova u dëshmua edhe më përfshirëse dhe e hapur ndaj minoritarëve, si qytetarë të barabartë. Kur Serbia dogji ambasadat, Kosova festonte pavarësinë bashkë me tërë botën. Kosova në asnjë moment dhe asnjëherë nuk duhet të tërhiqet nga tavolina derisa të është palë krejtësisht e barabartë në tavolinë dhe nëse në tavolinë qëndrojnë përfaqësuesit e SHBAve, OKBve dhe BEsë.
OBKnë dhe BEnë po e përmend qëllimisht, ngase që të dyjat janë pjesë integrale e rrugëtimit tonë në vitet në vijim. Nuk mund të bëhemi dot anëtarë të BEsë, pa u bërë anëtarë të OKBsë. Nuk bëhemi dot anëtarë të OKBsë nëse ende pa u bë anëtare, Kosova injoron rezolutat e Asamblesë Gjenerale. Lidershipi i përgjegjshëm nuk bën këso gabimesh amatoreske vetëm sa për të fituar ca poena patriotikë në paraqitje mediale. Po ashtu, dialogu mbetet edhe rruga e preferuar e BEsë. Ndërkaq, në fazën tranzicionale, ICO do të mbetet mënyra e preferuar e SHBAve dhe miqve të Kosovës që ta mbrojnë Kosovën nga çfarëdo letargjie, regresi apo status-quoje. Kjo është arkitektura e cila është e momentit dhe nuk mund të ndryshohet unilateralisht. Pavarësia e Kosovës nuk ka qenë unilaterale, por e koordinuar. Çfarëdo ndryshimi i arkitekturës ndërkombëtare do të kërkojë, po ashtu, qasje të koordinuar.
Në dekadën që na pret do të duhet të dialogojmë edhe me dreqin e zi, që të plotësojmë kushtet e anëtarësimit në BE. Këto kushte janë të vështira, por tashmë dihet se janë mënyra e vetme e krijimit të një shoqërie më egalitare, më mbrojtëse e të drejtave të njeriut, më progresive ekonomikisht. Mos të mashtrohet dikush që mendon se Kosova mund të zhvillohet në vitet në vijim duke injoruar BEnë, e cila ka investuar ekonomikisht dhe ushtarakisht jo më pak se 8 miliardë euro në Kosovë në 10 vitet e fundit, pa e bërë hesap luftën e NATOs.
Ca thonë se solucionet janë status-neutrale dhe se kjo është dëshmi se qëllimi i dialogut nuk është njohja e Kosovës.
Edhe ky qëndrim është njëfarë qarkoreje jologjike. Bisedat janë status-neutrale, ngase Rusia e Kina nuk na kanë njohur në Këshill të Sigurimit. Edhe nëse 99 për qind e shteteve na njohin, mosnjohja e Rusisë na pamundëson anëtarësimin në OKB, ergo anëtarësimin në BE. Ne duhet të dialogojmë edhe me Rusinë, ergo Serbinë për çështje që na mundësojnë njohje hap pas hapi.
E vetmja rrugë është ajo e procesit integrues në BE. Serbia e ka prioritet anëtarësimin në BE, sepse aty e ka 80 për qind të tregtisë dhe prej atje merr 90 për qind të ndihmave zhvillimore. BE (apo boshti i shteteve kryesore) tashmë e ka kushtëzuar Serbinë, siç e pamë aq ashiqarshëm nga deklarata publike e Kancelares Merkel, që tia njohë kufijtë, institucionet dhe ligjet Kosovës, edhe nëse nuk e njeh shtetësinë. Kjo do të jetë faza e parë, e cila ua krijon mundësinë Kosovës dhe Serbisë të vazhdojnë të barabarta rrugën drejt BEsë, secila me dinamike të pavarur interne. Kjo i mundëson edhe BEsë një formulë që e lejon etablimin e marrëdhënieve me Kosovën në të gjitha fushat praktike. Ndërsa ia hap Kosovës dyert e anëtarësimit në organizata multilaterale, rajonale dhe ndërkombëtare.
Në fazën e dytë, pas zgjedhjeve në Serbi dhe atyre në Kosovë, diku pas 3-4 vjetësh (Tadic thotë pesë), Serbisë do ti ripërsëritet kushti i njohjes formale të Kosovës, në çka shpresohet që të jetë pejsazh politik në fqinjin verior, të mësuar me funksionim të marrëdhënieve bilaterale me fqinjin jugor, ashtu që të plotësohet kushtu i fqinjësisë së mirë.
Kështu që dialogu është krykëput mekanizmi i BEsë, i kushtëzuar prej nevojave të rregullimit të problemeve të njerëzve, si dhe gjetjes së mënyrës që Serbia (ergo pesëshja) tia njohë Kosovës krejt funksionet shtetërore, nëse jo edhe emrin. Ndoshta do të dështojë, ndoshta jo, por të jeni të sigurt se edhe pas dështimit eventual të dialogut do të inicohet një dialog tjetër, përsëri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por me vonesa të pashpjegueshme dhe të shtrenjta.
Ti kthehemi pak atij argumentit të dytë nga fillimi i kësaj kolumneje, që serbët kosovarë duhet publikisht ta njohin Kushtetutën dhe pavarësinë e Kosovës, për të qenë aktorë legjitimë politikë.
Ky është një qëndrim i papranueshëm dhe fundamentalisht i kundërt me të drejtat e njeriut. Le të përsëritet edhe një herë - Kosova nuk është Serbia, as nuk përdor metodat e politikës së Serbisë. Serbia gjatë të të nëntëdhjetave ka shantazhuar punëtorët kosovarë të nënshkruajnë se e respektojnë Kushtetutën represive të saj. Përndryshe, janë përzënë nga puna. Kosova nuk do ta përzë askënd nga puna. Prandaj shumë shpejt do të duhet të pranojmë se ndoshta në Kosovë do të ketë parti serbe që kanë program politik se Veriu duhet të ketë autonomi, për shembull.
Kjo është çështje e shprehjes së lirë prej momentit kur ata pranojnë realitetin politik dhe institucional, kur të paguajnë tatimet dhe kur të shprehin mospajtimin e tyre me Kushtetutën e Kosovës, në mënyra konform Kushtetutës së Kosovës. Ka edhe parti tjera që thonë se duhet të jemi me Shqipërinë dhe sa i përket ligjit, të dy programet politike janë legjitime. Përsëri vetëkuptohet, derisa implementohen pa dhunë dhe konform Kushtetutës.
Ndoshta digresion i panevojshëm këtu, por e njëjta vlen edhe në këtë debatin tjetër fetar që po zhvillohet. Mendoj (personalisht) se ata që konsiderojnë se Kuvendi ka thyer të drejtat kushtetuese, nëse nuk lejon mësime fetare dhe shamia në shkolla fillore dhe të mesme, le ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, nëse vërtet e respektojnë Kushtetutën, e jo rrugës, me kërcënime dhe ofendime të patolerueshme Kuvendit republikan.
http://www.gazetaexpress.com/?cid=1,80,62459




Stay Connected with MFA