Asgjë e pazakontë
Nga Petrit Selimi më 27 korrik 2011 në ora 11:30
Menjëherë pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë, organet dhe institucionet kosovare kanë filluar me etablimin e simboleve, institucioneve dhe mekanizmave të reja republikane.
Te Doganat e Kosovës, Qeveria u tregua e kujdesshme duke marrë parasysh se Kosova e pavarur ka trashëguar një pozicion të komplikuar juridik karshi obligimeve rajonale dhe multilaterale, që ka trashëguar nga misioni i OKBsë në Kosovë. E tillë ishte marrëveshja e CEFTAs, e cila do të duhej teorikisht të garantonte lirinë e shkëmbimeve tregtare ndërmjet shteteve të rajonit. Marrëveshja asnjëherë nuk u solli ndonjë benefit të qartë bizneseve kosovare, të cilët as që ishin të gatshme për të eksportuar mallra konform standardeve, por si e tillë hyri në serinë e obligimeve ndërkombëtare të cilat Kosova është obliguar ti respektojë si anëtare e besueshme e bashkësisë ndërkombëtare dhe partnere stabile në Ballkan.
Kosova e bëri një kompromis asokohe dhe në vulat e Doganës nuk e potencoi mbishkrimin Republika e Kosovës, por vetëm Doganat e Kosovës. Një solucion i tillë ishte paramenduar tia lehtësojë OKBsë argumentet për kontinuitetin e obligimeve të ndërsjella ligjore ndërmjet shteteve që kanë pranuar dhe atyre që nuk e njohën Kosovën edhe pas shpalljes së Pavarësisë.
OKB dhe Përfaqësuesi Special i OKBsë, Zannieri, në një letër ka konfirmuar se vulat e Doganës janë krejtësisht konform 1244shit (më vonë nga GJNDja kuptuam padyshim se edhe vetë akti i shpalljes së pavarësisë ishte konform rezolutës së OKBsë për Kosovën). BE, po ashtu, deklaroi se vulat janë të pranueshme dhe status-neutrale. I vetmi shtet që nuk e respektoi dhe krejtësisht injoroi vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës, para më shumë se tre vjetësh, ishte mu Qeveria e Serbisë, e cila bllokoi të gjitha importet apo transferet e mallrave kosovare nëpër territorin serb.
Gjatë kësaj periudhe Kosova dhe kosovarët shpenzuan mbi 1.5 miliard në mallra dhe shpenzime serbe, ndërsa Kosova nuk u lejua të eksportojë as një të vetmen shishe lëng drejt Serbisë.
Ky ishte njëri nga shumë problemet teknike të cilat do të duhej të zgjidheshin me dialogun teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë, sipas receptit të OKBsë dhe BEsë të draftuar në rezolutën e Asamblesë Gjenerale të OKBsë. Ishte e qartë atëherë dhe është e qartë tash se këto pika teknike i shërbejnë më shumë Serbisë të kuptojë dhe pranojë hap pas hapi realitetin e ri në Ballkan, si pjesë e procesit paralel të kandidimit të dy shteteve për anëtarësim në BE.
Serbia ishte në një moment e detyruar të pranojë se Kosova ka çdo të drejtë sipas CEFTAs dhe sipas të gjitha udhëzimeve të OKBsë dhe BEsë, të përdor vula jopolitike të Doganës. Ishte, po ashtu, e qartë se Serbia po provon të gjejë mënyra ti ikën këtij obligimi ndërkombëtar.
Kryeministri është i përkushtuar për dialog, por është i votuar nga elektorati dhe nën përcjellje të mediave, të cilët kërkojnë veprim në veri të vendit. Mençurisht, Kryeministri i ka rezistuar konfliktit. Si ish-lider i ushtrisë, e di që dhuna sjell dhunë dhe se rrugëtimi ynë drejt shtetndërtimit nuk mund të bëhet pa partneritet të fuqishëm me SHBA dhe shtetet europiane. Gjithçka ishte gati të nënshkruhej këtë muaj dhe kjo çështje të përmbyllet, por Serbia, 5 minuta para 12ve, vendos ta shtyjë edhe pak vendimin e njohjes së vulave kosovare, të përfitojë edhe ndonjë milion gjatë verës nga blerësit kosovarë, pa ua hapur tregun e vet biznesmenëve tanë.
Kjo vonesë dhe kjo shtyrje, aq e zakonshme për Serbinë, e cila nuk pranoi as Rambuilletin, as Parisin, as raportin e Kai Eides, as raportin e Marti Ahtisaarit e as sugjerimet më të reja europiane gjatë dialogut, solli te situata në të cilën jemi sot.
Ka shtete që mendojnë se Kosova nuk është shtet, ka organizata që thonë se janë status-neutrale, por ska asnjë fije dyshimi as në OKB, e as në BE se Kosova është hapësirë unike ligjore. Në një hapësirë nuk mund të ketë tri palë ligje.
Pasi Qeveria e Kosovës filloi zbatimin e masave të reciprocitetit, si përgjigje sjelljes bojkotuese serbe dhe ikjes së përgjegjësive gjatë dialogut, u vërejt se masat nuk po zbatohen në veri të vendit, tek pikat 1 dhe 31. Asnjë mundësi tjetër logjike nuk mbeti, pos që Kryeministri të dërgojë forcat policore në zbatimin e vendimit qeveritar, i cili prekte interesat fondamentale kombëtare.
Solucioni i vetëm logjik është që të gjitha shtetet të respektojnë CEFTAn, si dhe rekomandimet e OKBsë dhe BEsë rreth vulave të Kosovës. Në momentin kur mallrat kosovare të hyjnë në Serbi me vulat e Kosovës, në po atë moment e njëjta situatë do të vlejë edhe për mallrat serbe që janë nisur në Kosovë.
Çfarëdo tentative serbe ta politizojë çështjen që është krejtësisht teknike dhe juridike, do të paraqesë tentativën e Serbisë që me mjete dhune të zbatojë idetë e çoroditura në mainstreamin e politikës serbe, që flasin për ndarje etnike dhe bartje popullatash në dekadën e dytë të shekullit XXI.
(Autori është: Zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën Express)
http://gazetaexpress.com/?cid=1,80,59016



Stay Connected with MFA