Sfidat kryesore të Ministrit Zhbogar
Dje erdhi lajmi për emërimin e Ministrit aktual të Punëve të Jashtme të Sllovenisë si udhëheqës të prezencës së BEsë në Kosovë dhe përfaqësues special të BEsë. Emërimi u bë i ditur nga Baronesha Ashton. Kosova duhet të jetë e lumtur me emrin dhe momentin kur po bëhet emërimi.
Viti 2011 pa dyshim se do të shënohet si një vit kthesë, kur pas turbullirave politike të shkaktuara nga hilet zgjedhore (kur persona të papërgjegjshëm edhe të partisë time patën rol jo të vogël, siç deklaroi përfundimisht edhe KQZja) dhe revidimit të procesit nëpërmjet rivotimit dhe rinumërimit që morri çerekun e parë të vitit, shteti i Kosovës dhe qeveria megjithatë arritën ta drejtojnë Kosovën pakthyeshëm në rrugën e integrimeve europiane.
E kam parasysh se në atmosferë të helmuar mediale dhe debate tejpartizane vështirë është të argumentohet një progres i qartë dhe i pamohueshëm drejt përqafimit të acquis communautaire, që është totali i legjislacionit dhe standardeve të BEsë, që duhet aprovuar nga një kandidat për tu konsideruar si i denjë për anëtarësi në BE. Megjithatë, numrat dhe informatat bazike flasin për një të vërtetë të dokumentueshme. Ministri Hoxhaj është i vetmi ministër ballkanik, i cili gjatë gjashtë muajve të fundit ka takuar dy herë kryediplomatët europianë të Quintit. Ka shtete në Ballkan të cilat janë tash e një vit në listë të pritjes për takim te Z. Hague, shteti i të cilit pati vit të stërngarkuar me zhvillimet arabe, aksionin luftarak në Libi dhe krizën e Euros. Në publik nuk është vërejtur, por MPJ ka futur për herë të parë në ekzistencë përpilimin dhe distribuimin e pozitave zyrtare për shumë çështje, duke krijuar kanale imediate të komunikimit konform situatës emergjente gjatë verës. Fatkeqësisht, Ministri i kaluar nuk ka krijuar sistem të komunikimit të rregullt dhe përmbajtsor me kryeqytetet europiane.
Zëvendës Kryeministrja Tahiri ka përmbushur kërkesën dhe linjat e kuqe të Kuvendit duke krijuar një seri aranzhmanesh dhe marrëveshjesh të cilat absolutisht u mirëpritën nga ndërmjetësuesit europianë, duke përmbushur kështu obligimet kosovare të dala nga rezoluta e Asamblesë Gjenerale të OKBsë. Nëse ju kujtohet, kjo ishte rezoluta e parë e cila e njeh vendimin e GJNDsë dhe e cila i shtytë dy shtetet, Kosovën dhe Serbinë, të bisedojnë për çështje teknike si kusht thelbësor i rrugëtimeve të veçanta që i kanë në integrimet europiane.
Zëvendës Kryeministrja Kusari Lila krijoi bazën e angazhimit të rifokusuar europian në Kosovë me vendimin për reciprocitet që e ribëri peizazhin politik në veri të Kosovës. Mos të harrojmë kritikat e pamëshirshme që iu bën zonjës Kusari Lila nga një pjesë e shoqërisë civile në fillim të mandatit të saj. Ministri Rexhepi po ashtu u kritikua, duke u harruar punën masive të bërë në digjitalizimit e regjistrave civil, punën drejt menaxhimit të integruar të kufijve dhe arritjen e rezultateve që u përmendën edhe në Raportin e Progresit, sidomos në luftën kundër trafikimit të qenieve, armëve, drogës dhe krimit të organizuar. Medoemos punë shumë më e madhe ka mbetur pa përfunduar (diku edhe pa nisur), por sfidat tranzicionale nuk janë përmbushur tash e dy dekada as në shtetet e Lindjes që tashmë janë anëtarë të BEsë. Sistemi në të cilin hajnat shkojnë në burg e qytetarët kanë mundësi të barabartë të zhvillimit, do të merr ende kohë të ndërtohet.
Ministrja Citaku, nën ingerencat e të cilës edhe janë integrimet europiane, i bëri 75 vizita komunave për më pak se gjashtë muaj dhe ndërtoi nga zeroja sistemin e pranimit të azilantëve të refuzuar nga BEja. Kujdesi shtetëror ndaj familjeve të cilat janë shpesh të traumatizuara është imperativ i shtetit i duhet të kujdeset enkas për familjet e debuara, sidomos të minoritetit të margjinalizuar rom.
Edhe Komisioni Parlamentar për Integrime Europiane udhëhequr nga ish zëvendës Kryeministri dhe deputeti i LDKsë Lufti Haziri ka qenë suportues i procesit duke shtyrë nëpër kuvend, përkundër tendencave bllokuese nga aktorë me interesa të ndryshme, propozim ligjet e agjendës europiane.
Progresi i kushtëzuar nga një vit i shkurtuar operativ, u vërejt edhe në Raportin e Progresit dhe Deklaratën e dhjetorit me të cilën Kosova hyn në dialogun zyrtar për liberalizim të vizave dhe iniciohet procesi i krijimit të marrëdhënieve kontraktuale dhe tregtare.
Sfida më e madhe europiane është, që premtimi i dhënë që në Selanik para një dekade, dhe i ripërsëritur në Sarajevë vitin e kaluar, se Kosova ka perspektivë të qartë të integrimit europian, është operacionet e BEsë në vetë Kosovën.
Në Kosovë BEja nuk ka reflektuar gjithmonë nevojat e kohës për arsye të ndryshme. Natyra e përkohshme e qëndrimit të Gentilinit në Kosovë gjatë 2011, mungesa e stafit adekuat dhe lidershipit afatgjatë konform situatës e cila po progreson rapidisht, mungesa e koherencës midis përfaqësuesve të ndryshëm europianë që kanë operuar në Kosovë pas Ahtisarit (siç është rasti tek Ligji për RTKnë), janë evidentuar nga shumë aktorë gjatë këtij viti. Tek një spektër të publikut problemet e operimit në Kosovë kanë lënë përshtypje se BE në Kosovë po çalon përkundër komunikimit të përmirësuar dhe progresit në Bruksel.
Ardhja e Zhbogar pa dyshim do të sjell një moment të ri në marrëdhëniet me Bruksel ngase diplomati slloven ka eksperiencë të gjatë në të gjitha funksionet shtetërore dhe diplomatike, ka marrëdhënie të mira me SHBAtë dhe ka peshë që do tia lejojë përfaqësimit e agjendës së BEsë krahas Kosovës. Ishte në Prishtinë në konferencën Germia Hill të organizuar nga ECFR dhe MPJ e Kosovës dhe vjen nga një shtet i cili me mbledhinë në Cankarjev Dom para shumë e shumë viteve, edhe e ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës në Europë. Tani kemi nevojë që Ministri Zhbogar edhe një herë ta fusë Kosovën në agjendë të BEsë si pjesë e solucionit të problemeve e jo si problem europian.
Autori është:
Zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën Express.


Stay Connected with MFA