Mëkati i zanafillës
Nga Petrit Selimi
Një nga konceptet themeltare të doktrinës teologjike krishtere është Mëkati i Zanafillës. Ndoshta ju kujtohet rrëfimi biblik se si Zoti ia ndalon Adamit dhe Evës ta hanë pemën e veçantë, por Eva joshet nga gjarpri dreqëror, nuk e dëgjon Zotin dhe e ha mollën duke e shtyrë edhe mashkullin e parë në mëkat. Zhvishen nga drita hyjnore dhe turpërohen nga lakuriqësia e vet.
Kjo sjell deri tek Rënia e Njeriut, përkatësisht dëbimi i dy krijesave nga Parajsa për në Tokë, dhe popullimi i Tokës me pasardhës të tyre. Pra mungesa e parajsës, fakti që burri dhe gruaja e parë nuk janë më në parajsë por në Tokë, buron nga mëkati i parë. Edhe dhimbjet e sotshme të gruas gjatë lindjes, por edhe ekzistenca e njerëzimit në Tokë, të gjitha janë pasoja të një vendimi të pamenduar fillestar. Sipas njërit nga interpretimet e doktrinës, i gjithë njerëzimi sot e asaj dite është lindur duke bartur barrën e Mëkatit të Zanafillës. Vetëm Armagedoni, shkatërrimi apo resetimi i gjendjes prezente mëkatare të njerëzimit do ta pastrojë njerëzimin nga Mëkati i Zanafillës.
Nuk po thellohem më shumë në tematikën fetare, por nuk është vështirë të krijohet një paralele politike me konceptin e Mëkatit të Zanafillës dhe interpretimit të historisë moderne të Kosovës dhe situatës politike në Kosovë që bëhet nga aktivistët dhe politikanët e Vetëvendosjes.
Tash e më shumë se një dekade, ende pa u themeluar Vetëvendosja si koncept apo organizëm politik, liderët e tyre kanë hedhur gurë e dru mbi konferencën e Rambuillet si pikës fillestare të krejt problemeve të Kosovës. Gati çdo numër i revistës Vetëvendosje gjatë dekadës së parë të shekullit XXI iu referohet gabimit historik dhe reperkusioneve afatgjata të këtij gabimi, kur i tërë lidershipi i Kosovës, si komandantët dhe themeluesit e UÇK ashtu edhe liderët e LDK-së nënshkruan marrëveshjen e parë apo e hëngrën mollën e dreqit të ofruar nga ndërkombëtarët, të joshur nga përfitimet momentale. Me një hulumtim shpejt e shpejt në Internet, e shoh se Rambuillet përmendet në mbi 100 shkrime të Albin Kurtit dhe mijëra të tjera nga aktivistë të ndryshëm. Edhe në librin e Albinit Zgjimi po ashtu dominon Rambuillet si gabimi më i madh në historinë moderne të shqiptarëve.
Sipas këtij interpretimi, aprovimi i marrëveshjes ishte i gabueshëm sepse krijonte autonomi dhe (përkundër faktit që Serbia nuk e pat nënshkruar), tash është baza e pakontestueshme e të gjitha kompromiseve të mëvonshme. Sipas fjalëve të recenzentit të librit të Kurtit, z. Fetiut, Kurti dokumenton me shkrime vijën e pashkëputur të veprimeve të politikës ndërkombëtare që nga Rambuillet kundër interesave jetike të popullit tonë, si edhe mashtrimin dhe hutimin e shqiptarëve, që menduan se u çliruan përfundimisht nga Serbia në qershor të vitit 1999.
Pra Rambuillet solli 1244 dhe UNMIKun si neokolonizator, 1244 solli Kai Eiden, Kai Eide solli Ahtisaarin dhe negociatat e Vjenës, Ahtisaari solli EULEX dhe ICO (përsëri në rol të neokolonizatorëve). Ne sot nuk qenkemi të lirë sepse para më shumë se një dekade, kur shumica e popullatës së Kosovës ose nuk ka qenë e lindur ose ka qenë e mitur, politikanët kosovarë dhe komandantët e UÇKsë tok, e bënë Mëkatin e Zanafillës, përkundër fjalëve profetike të Adem Demaçit dhe Albin Kurtit, dhe si pasojë ne ende nuk jemi të pavarur dhe ende nuk jemi të lirë.
Liria sipas kësaj teorie vjen vetëm me vetëvendosje kur të na lejohet të shpallim referendum për bashkim kombëtar.
Kjo teori në vitet e mëvonshme është bërë si një asht të cilit iu ka shtuar mish (dhe mash) të temave sociale në formë të diskursit kundër korrupsionit, decentralizimit, dialogut teknik. Në këtë diskurs në antagonizëm të përhershëm historik janë ata që përbëhen nga ndërkombëtarët dhe Serbia dhe ne të cilët përbëhemi nga një mori tradhtarësh dhe mëkatarësh dhe ca njerëz të iluminuar e të bekuar të Vetëvendosjes. Nëse sje për referendum, a priori je mëkatar, mohues i kombit. Nëse je për dialog, a priori je mëkatar, përkrahës i Serbisë.
Albin Kurti pa dyshim është patriot, dhe pa dyshim e do popullin shqiptar. Nuk ka dyshim që jeta e tij dhe angazhimi i tij ka mund të jetë shembull ikonizues i tërë rinisë shqiptare e pse jo edhe europiane. Nuk është sepse diskursi biblik thjesht nuk përkon me nevojat dhe pritjet që shoqëria ka sot.
Dogma e Vetëvendosjes, si çdo doktrinë absolutiste, nuk na jep përgjigje në pyetjet e sotshme që i kemi para vetes si shoqëri. Pyetjet që i kemi nuk kanë të bëjnë më me Rambuilletin por me Bruxellesin. Është objektivi i parë dhe konsensual i tërë shqiptarëve kudo që janë se ne duhet patjetër të hyjmë në BE. Është objektivi i tërë shqiptarëve që ne asnjëherë dhe kurrë nuk do të mbesim më si jetimë pa miq strategjikë dhe pa partneritetin me SHBAtë dhe BEnë. Ne patjetër si komb i ndarë dhe si dy shtete demokratike duhet të jemi pjesë e organizmit më të madh demokratik në historinë e njerëzimit që është Bashkimi Europian. 90% e ekonomisë kosovare është e ndërlidhur me BE, 25% të të gjithë kosovarëve që jetojnë mbi Tokë, tashmë jetojnë në shtetet e BEsë. Në BE ka edhe shumë njerëz që nuk e duan apo kundërshtojnë Kosovën e bile edhe vetë shqiptarët, por kjo duhet të jetë vetëm shtytje që të arrijmë progres kontinual dhe të jemi të angazhuar vazhdimisht me BEnë, shtetet anëtare dhe politikanët europianë. Më shumë se kurrë duhet durim dhe përgjegjësi edhe kur të ballafaqohemi me tendencat anti-shqiptare apo akuzat se Kosova na qenka vrima e zezë e Europës që propagohet me mish e me shpirt nga Serbia dhe aleatët e saj.
Aksionet si rrëmbimi i pronës private të kosovarëve duke shkatërruar dhunshëm maunet e bizneseve kosovare që importojnë mall serb (legalisht dhe me obligime të paguara shtetit), shkatërrimi i pronës publike si shenjë proteste kundër dialogut dhe diskursi gjithnjë e më agresiv anti-dialog i Vetëvendosjes e fusin partinë në margjina politike.
Është gjynah pra, apo mëkat, që një parti që synon të përfaqësoje rininë dhe pjesën progresive të shoqërisë sot e kësaj dite nuk po arrin në shkëputet nga dogma dhe të na japë përgjigje në pyetjen se a janë apo nuk janë që Kosova të jetë pjesë e BEsë dhe ti implementojë me përkushtim të gjitha përgjegjësitë që bart ky vendim dhe kjo rrugë e gjatë përpara.
(Autori është Zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën Express)




Stay Connected with MFA