Teatri profesionist i Pejës përgatit një dramë të Azem Shkrelit
Kam dëshiruar që edhe një herë të tuboj aktorët e këtij nënqielli në një shfaqje, po ashtu të një autori të madh të kësaj treve, siç ishte dhe mbetet të jetë Azem Shkreli, në një skenë të këtij Tetari të Pejës, nga e cila kanë dalë aktorë të mëdhenj të skenës, si Istref e Faruk Begolli, Ragip e Nuredin Losha, Malo Gami, Kristë Berisha, Ahmet Spahija, Igbale Qena, si dhe regjisorët Besim Sahatçiu, Selami Taraku dhe një plejadë e tërë e aktorëve pas tyre që kanë lënë dhe po lënë gjurmë të thella në artin dramatik në Kosovë, thotë regjisorja Drita Begolli. Safete Rogova, e cila në këtë dramë luan rolin e një nëne, e cila e ka humbur birin e saj në luftë, sjell një mesazh të fortë për të gjitha nënat që kanë humbur bijtë apo bijat e tyre në luftë. Ajo shpreh kënaqësinë e madhe të saj që regjisorja Drita Begolli e angazhoi në këtë rol. Jam e nderuar që të luaj në dramën e Azem Shkrelit Varri i qyqes, të cilin e kisha dikur drejtor të Tetarit Kombëtar në Prishtinë, si dhe mik të mirë, por njëherësh jam shumë e nderuar që do të luaj në këtë skenë, nga e cila dolën kolosët e artit dramatik kosovar, me të cilët e pata nderin të luaj gjatë në skenën e Teatrit Kombëtar, flet paksa e emocionuar Safete Rogova, duke shtuar se pas pensionimit ka menduar se i ka përfunduar karriera, por ja që e angazhuan në këtë rol. Skena është jeta e ime, Rogova.
Në shfaqje do të aktrojë edhe Nimon Muqaj, drejtori i Teatrit në Pejë, i cili kësaj radhe para publikut pejan do të paraqitet në rolin e Gjergjit, i cili pas lufte vjen në shtëpi nga burgu dhe kupton se gjatë luftës i ishte vrarë djali. Ai dëshiron të dijë se si ka ndodhur ngjarja, nëse i ka vdekur djali si hero, apo si qyqar. Këto dilema e bëjnë edhe më kompleks këtë personazh dhe me ndihmën e regjisores po angazhohet maksimalisht që ta krijojë një personazh të pëlqyeshëm nga publiku artdashës pejan, i cili e ka një shije të stërholluar për artin skenik. Në fund të kësaj bisede të shkurtër me regjisoren Begolli kuptuam se ajo është e kënaqur me mbështetjen që po i jep Komuna e Pejës dhe kryetari i saj, Ali Berisha, këtij teatri, gjë që nuk ndodh në shumë mjedise të tjera në Kosovë.
(Kosova sot)




Stay Connected with MFA