Nis seminari i 31-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare
Tridhjetë herë të tjera një drejtor Seminari ka dalë në një tribunë si kjo për të hapur punimet e Seminarit. I nxora nga arkivi ato fjalime, i lexova një e nga një, vetëm për të kuptuar se një fjalim i tridhjetenjëtë nuk mund të ketë ndonjë risi të madhe, pos të përmbledhë ato që janë thënë a nënkuptuar tridhjetë herë të tjera rresht tha Rugova. Duke përmendur se seminari synon ndikim në tri fusha; në kulturë, arsim e shkencë, Rugova shtoi se viti mes dy seminareve të fundit nuk qe aspak i lehtë për albanologjinë mbarëshqiptare.
Përjetuam dhe ndamë dhimbjen për humbjen e studentëve të shqipes të Universitetit të Elbasanit në një aksident tragjik në afërsi të Himarës. U ndamë nga profesor Fadil Raka, e na la poeti Ali Podrimja. Do të përpiqemi ti nderojmë, duke ruajtur sistemin e vlerave me të cilin jetuan, sistemin e njëjtë të vlerave që mban edhe ky seminar përfundoi Rugova, drejtor i seminarit. Osman Gashi, Dekan i Fakultetit Filologjik, në hapje të Seminarit tregoi se ky fakultet, menaxhmenti i tij, profesorët e bashkëpunëtorët tanimë ngjarjen më kulminante kulturore e ndjejnë si pjesë të pandashme të veprimtarive të tyre, të angazhimeve përgjatë tërë një viti akademik.
Në esencën e tij, Seminari është pasqyra më e qartë dhe më kuptimplote e zhvillimeve kulturore, shkencore, letrare e gjuhësore brenda një viti akademik, jo vetëm në Fakultetin e Filologjisë por në tërë Universitetin e Prishtinës dhe më gjerë. Seminari i sivjetshëm do të zhvillohet përgjithësisht në shenjë të njëqindvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Do të jetë ku një kontribut yni modest në shënimin e këtij përvjetori shumë të rëndësishëm për historinë e zhvillet e sotme të kombit shqiptar pohoi Gashi. Ramë Buja, ministër i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë e quajti seminarin si një njohje që të huajt kanë me bagazhin kulturor kosovar.
Seminarin e bëjmë gjithmonë shtruar, qetas dhe pa probleme. Dihet se ai pësoi rënie në vitet e 90-ta, për arsye të ditura, por prapë kjo ngjarje kulturore është ambasadori më kuptimplotë dhe institucioni që mbajti gjallë traditën dhe kulturën shqiptare ndër vite pohoi Buja. Hajdin Abazi, zëvendësministër i kulturës tha se Seminari i 31-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është një eveniment i rëndësishëm për shumë arsye.
Para së gjithash, është një shkëmbim i përvojave nga studiues vendorë, nga mërgata por edhe vende tjera më të largëta, duke begatuar kështu trajtimin e problematikave dhe temave letrare, gjuhësore e kulturore shtoi Abazi. Duke e quajtur ngjarjen si kulminante, ai përmendi edhe arsyen e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, si një motiv tjetër për këtë seminar të sivjetmë. I pari i Prishtinës, Isa Mustafa, seminarin e quajti si emblemë të kryeqytetit.
Ky është seminari i Prishtinës dhe ka zënë shtat po në Prishtinë për 31 vite. Është veçoria emblematike e Prishtinës dhe afrim i kulturave tona me kulturat e huaja shtoi ndër të tjera Mustafa. Në emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës foli profesor Pajazit Nushi.
Seminari është një institucion integrues i potencialit shkencor, madje edhe me përmasa kombëtare. Mos të harrojmë se ka personalitete shqiptare që janë burgosur e akuzuar për këtë seminar, ka edhe të zhdukur si Ukshin Hoti, fjalët e të cili shpesh janë përzgjedhur për nder të Seminarit. Kjo është ngjarje e madhe për kulturën kosovare, andaj duhet të dimë ta respektojmë shtoi Nushi. Seminari i 31-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të zgjasë deri me 25 gusht, dhe përgjatë kësaj kohe do të ketë ligjërata nga emrat si Agim Vinca, Ali Jashari, Jahja Drançolli, Naser Ferri, Zanita Halimi e shumë të tjerë. /Zëri/



Stay Connected with MFA