Ligjëratë për Kosovën, Francën dhe Evropën
Me ftesë të Akademisë Diplomatike të Vjenës dhe i shoqëruar nga prof. Michel Kullin dhe prof. Florian Winter, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Ibrahim Gashi, në kapacitetin e tij akademik, si profesor i Universitetit të Prishtinës, ka mbajtur dje një ligjëratë në Akademinë Diplomatike të Vjenës, me temë "Franca, Evropa dhe Kosova". Me këtë rast, Gashi në mënyrë shumë analitike ka shpjeguar rolin determinues të politikes evropiane në krijimin shtetit më të ri ne Ballkan, në gjithë procesin e krijimit të tij.
Pjesën hyrëse të ligjëratës së tij Gashi ia kushtoi rolit të Francës ne proceset politike dhe shtetformuese në Kosovë, duke e cilësuar atë, me të dhëna të sakta, si koherente, konstruktive dhe kontribuuese në tërë rrjedhën e saj që nga viti 1999.
Fokusi i ligjëratës ka qenë procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, me theks të veçantë rruga që Kosova ka përpara në këtë proces. Gashi ka elaboruar përcaktimin e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosoves për të ecur të vendosur në këtë proces. Ai ka shpjeguar edhe sfidën që ka përpara Kosova, të mosnjohjes nga pesë shtetet anëtare të BE-se, duke elaboruar për secilin shtet veç e veç, se arsyet e ngritura në të vërtetë nuk duhet të jenë pengesë sepse rasti i Kosoves është rast i veçantë dhe nuk mund të shërbejë si precedent për ndonjë rast tjetër.
Gashi ka shprehur në mënyrë shumë të argumentuar përkushtimin e palës kosovare që nëpërmjet dialogut teknik me Beogradin të shkohet drejt normalizimit të marrëdhënieve edhe me fqinjin verior, duke potencuar se Kosova tashmë ka marrëdhënie shumë të mira me të gjithë fqinjët e tjerë dhe vendet e Ballkanit në përgjithësi. Profesori me këtë rast ka ofruar shumë të dhëna se Kosova e pavarur është dëshmuar si zgjidhja më racionale dhe faktor stabiliteti për rajonin. Çdo zgjidhje tjetër do ta rrezikonte sigurinë në rajon. Këtë më së miri në aspektin legal e ka vërtetuar me mendimin e saj Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në mesin e vitit 2010.
Audienca që e përcolli këtë ligjëratë përbëhej nga diplomatë të huaj të akredituar në Vjenë, profesorë të Akademisë dhe studentë të fushës së Diplomacisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Pyetjet dhe përgjigjet e Gashit ka qenë pjesa më interesante e kësaj ligjëratë, e cila ka zgjatur më shumë se dy orë. Në fund, gjatë koktejit të rastit, Gashi ka takuar shumë diplomatë, madje edhe nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe është ndalur në biseda më të gjata meta.
(Epoka e re)



Stay Connected with MFA