Formohet Shoqata Kulturore Poloni-Kosovë
Iniciativën për themelimin e kësaj shoqata e morën krijuesit kosovar Haxhi Dulla dhe Mazllum Saneja, të cilët tash e shumë vite jetojnë dhe veprojnë në Poloni si përkthyes letrar nga shqipja në polonisht dhe anasjelltas, ndërsa kryetar i shoqatës është zgjedhur Haxhi Dulla.
Aktiviteti i fundit të kësaj shoqate ishte tryeza e dialogut kulturor Poloni-Kosovë, të cilën e organizoi në bashkëveprim me studentët e Ballkanologjisë dhe të Albanologjisë që studiojnë në qytetin Torun të Polonisë, e që u mbajt në ditën e shënimit të 4-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt. "Në këtë tryezë e cila zgjoi interesim të mirë tek shqiptarët që jetojnë në Poloni por edhe tek vetë polakët, u prezantuan filma dokumentar për jetën në Kosovë, në ç'mënyrë, pjesëmarrësit polak patën mundësi që sado kudo të njihen me realitetin kosovar. Për këtë realitet foli edhe kryetari i shoqatës Haxhi Dulla, i cili potencoi nevojën për njohjen sa më të mirë të këtyre dy popujve, që, tek e fundit, është edhe njëri ndër qëllimet e kësaj shoqate", na njofton Mazllum Saneja, duke shtuar se edhe kjo tryezë dëshmoi se numri i polakëve që interesohen të mësojnë diç më shumë për Kosovën, sa vjen e rritët nga dita në ditë, dhe kjo vetëm sa e forcon miqësinë Kosovë-Poloni.
Siç bëhet e ditur, në këtë tryezë u mirëprit filmi dokumentar i studentit të Ballkanologjisë Urtan Muçolli përmes të cilit prezantohen vlerat monumentale dhe artistike të Kosovës. Ndërkaq, me këtë rast, poeti dhe përkthyesi letrat Mazllum Saneja e bëri promovimin e librit të tij më të ri, fjalorit Polonisht-Shqip ("Rozmowski Albanskie"), vepër kjo që zgjoi interesin e të pranishmëve. /Kosova Sot/




Stay Connected with MFA