Producentët e huaj, të interesuar për filmin kosovar!
"Duke marrë parasysh se Kosova paraqitet për herë të pare zyrtarisht në "Berlinale", apo më saktësisht në "European Film Market", prezenca jonë ka sjellë një interesim të madh për industrinë filmike. Kishte prej atyre që ishin të befasuar që në Kosovë fare ekzistuaka kinematografia, apo ata që shprehnin interesim që filmat tonë të shfaqen në festivale të ndryshme nga gjithë bota, distributorë që interesoheshin për distribuim të filmave tanë, e deri te producentë filmik që kërkonin informacione për mundësi të bashkëpunimit me kineastët kosovarë", tha Berisha. Ai tutje shtoi se stenda e Kosovës ka shërbye që filmat e Kosovës të promovohen më shumë.
Takime me drejtuesit e festivalit të "Berlinare"
Natyrisht se si e arritur e madhe e QKK-së në "Berlinare", mund të konsiderohet edhe takimi i udhëheqësve të QKK-së me drejtuesit e festivalit prestigjioz "Berlinale", i cili takim ka rezultuar shumë i suksesshëm. "Vetëm prezenca jonë në "Berlinale", përveç simbolikës mendoj se paraqet një hap të madh në drejtim të duhur. Këtë e them duke marrë parasysh edhe faktin që përveç aktiviteteve ditore të shumta në "European Film Market", patëm takim të nivelit shumë të lartë me drejtuesit e "Berlinales", znj. Karin Hofinger, drejtoreshë për marrëdhënie ndërkombëtare të "Berlinales", dhe znj. Daniela Veber, drejtoresha e programacionit. Ata pritën delegacionin tonë në krye me Ministrin e Kulturës z. Krasniqi, dhe aty u rikonfirmua që sivjet, QKK-ja, do të jetë nikoqir i para-seleksionimit të filmave për Ballkanin perëndimor. Është ky lajm i mirë për kinematografinë e Kosovës. Më duhet të them se prezenca e ministrit të Kulturës në "Berlinale", i dha dimension shtesë aktiviteteve të QKK-së dhe ngriti profilin e prezencës tonë", tha Fatos Berisha, i cili që kur ka marrë drejtimin e Qendrës Kinematografike të Kosovës po punon vazhdimisht që filmat kosovarë të jenë prezentë nëpër shumë festivale ndërkombëtare.
Kontakte frytdhënëse
Një ndër synimet kryesore të QKK-së në "Berlinale", ka qenë që të vënë kontakte me producentë të huaj, të cilët në fakt kanë qenë të interesuar për kinematografinë e Kosovës. "Njëra ndër aktivitetet kryesore të QKK-së në "Berlinale", ishte krijimi i kontakteve të reja dhe kërkimi i bashkë-prodhuesve të mundshëm për projektet tona në të ardhmen. Patëm një aktivitet të madh në këtë drejtim dhe kemi hasur në interesim nga shumë producentë dhe shtëpi filmike që kërkonin informacione për mundësitë e bashkëprodhimit, dhe mënyrën e funksionimit të QKK-së dhe përgjithësisht industrisë së filmit në Kosovë", nënvizoi Berisha. Ai tutje shtoi se prezenca e Kosovës në festivale të nivelit të "Berlinale", është e vonuar, duke marrë parasysh kohën në cilin e merr një film derisa prodhohet. "Duke njohur natyrën e prodhimit të filmit dhe kohën e gjatë që merr për t'u prodhuar një film, them që prezenca jonë në "Berlinale", dhe festivale të nivelit të tillë, fatkeqësisht është e vonuar. Sepse, kjo punë ka mund të bëhet edhe shumë më herët, e frytet e asaj prezence dhe aktiviteti do t'i kishim vjelë tani. Por, jemi ku jemi dhe tani po e bëjmë hapin e parë, rezultatet e të cilit do t'i presim në të ardhmen. Kemi shumë për të bërë, sepse tjerët kanë ecur para nesh, e ne nuk kemi zgjidhje tjetër, pos të bëjmë atë që bënë e tërë bota. Ajo që mund të konfirmoj është se ne si QKK do të vazhdojmë të jemi aktiv dhe hapi i dytë pas "Berlinales", do të jetë prezenca jonë në festivalin e "Cannes". Për këtë kemi edhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës", nënvizoi ai. B. ZYBERI /Kosova Sot/




Stay Connected with MFA