Qendra Kinematografike anëtarësohet në Academy Awards
Sipas Arben Zharkut, kryetar i Bordit të QKK-së, kjo Akademi ka kthyer përgjigje pozitive në kërkesën për anëtarësim.
Drejtori i QKK-së, Fatos Berisha, ka dërguar një letër në të cilën është kërkuar pranimi i QKK-së dhe ata e kanë kthyer përgjigjen pozitive duke thënë se nuk ka asnjë problem për tu pranuar, ka thënë Zharku.
E drejtori i QKK-se, Fatos Berisha, nuk ka dashur të flasë për këtë sukses.
Zharku ka sqaruar procedurat që QKK-ja duhet të ndjekë. Sipas tij QKK-së tashti i duhet të plotësojë një aplikacion që është dërguar nga Academy... dhe të dërgojë emrat e komisionit që do të bëjnë përzgjedhjen e filmave të cilët do të mund të nominoheshin për Oscar në kategorinë e filmave të huaj.
Plotësimi i këtij formulari dhe caktimi i emrave pritet të bëhet në mbledhjen e Bordit që pritet të mbahet më së largu javën e ardhshme, ka thënë Zharku.
E pas përfundimit të kësaj procedure dhe pranimit të Kosovës në Academy... Kosova do të ketë mundësinë që të dërgojë filma për nominim.
Këtë gjë QKK-ja ka mundur ta bëjë edhe viteve të kaluara, porse QKK-ja nuk ka kërkuar kurrë që të anëtarësohet. Përndryshe pa qenë anëtar në Akademi nuk ke mundur të kandidosh filma, ka thënë Zharku.
Ai thotë se QKK-ja sivjet do të ketë mundësi që të përzgjedhë mes 6 deri 7 filmave. Sipas tij tre filma që janë subvencionuar vitin 2010 do të jepen premierë këtë vit. Ka shpresën se edhe filmat që janë subvencionuar sivjet të përfundohen deri në nëntor, kur është edhe afati që shtetet të nisin kandidaturat e tyre për Oscar
Realisht Kosova do të ketë shumë filma këtë vit. Nuk kam dyshim për suksesin e disa regjisorëve. Pra Kosova do të ketë kandidatura serioze, ka thënë Zharku.



Stay Connected with MFA