Na ndiqni në:

OFENSIVË E RE

"Gjatë muajit tetor dhe nëntor do të kemi një ofensive të re lobuese. Do të vizitojmë shumë vende të tjera që nuk e kane njohur Republikën e Kosovës. Do të marrim pjesë në shumë forume dhe konferenca ndërkombëtare me qellim që ta rrisim numrin e njohjeve. Pra, ta forcojmë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës", ka thënë ministri i Punëve te Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj. Ai ka paralajmëruar se gjatë muajve të ardhshëm do të vijnë njohje të reja nga shtetet islamike, të Azisë, të Afrikës dhe të Amerikës Latine

Flet për "Epokën e re", Enver Hoxhaj

Prishtinë, 30 shtator - Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar se gjatë muajit tetor dhe nëntor do të ketë një ofensive të re lobuese të diplomacisë së Kosovës tek ato vende që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

Në këtë interviste për "Epokën e re", pas kthimit të vizitës së tij nga Shtetet e Bashkuara te Amerikës, Hoxhaj ka thënë se ka marrë premtime për njohje të reja për shtetin e Kosovës. "Takimet tona kanë përfshirë një gjeografi politike të vendeve të Afrikës, të Amerikës Latine, të Lindjes së Mesme, të shteteve Islamike dhe të Azisë. Prej të gjitha këtyre vendeve kemi marrë gatishmëri që disa prej tyre në një periudhë të ardhshme mund të marrin vendime të shpejta për njohjen e Republikës së Kosovës", ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se deri në fund të vitit këto shtete do t'i bëjnë publike njohjet. Hoxhaj ka deklaruar se Ministria e Jashtme është në një proces shumë dinamik të zgjerimit të marrëdhënieve diplomatike me vendet që e kanë njohur shtetin e Kosovës, duke bërë me dije se tanimë ka filluar një analizë e detajuar se me cilat vende do të vendosen marrëdhëniet diplomatike gjatë muajve të ardhshëm.

Ministri Hoxhaj ka folur edhe për dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Tërheqjen e delegacionit të Serbisë nga dialogu teknik e ka vlerësuar si dëshmi tipike se politika serbe nuk ka ndryshuar në Ballkan për 20 vjetet e fundit. Hoxhaj i ka bërë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të përdorë një gjuhë dhe një qëndrim shumë më të ashpër ndaj një sjellje jo konstruktive që po praktikon Serbia në procesin e dialogut teknik.

Hoxhaj i ka mohuar zërat se ky dialog do të rrëshqasë në dialog politik. Kryediplomati kosovar ka thënë se ky dialog ka nisur në përputhje me Rezolutën e OKB-se dhe mandati i tij është teknik. "Dialogu ka nisur teknik dhe do të mbetet i tillë. Çdokush tjetër që flet për diçka ndryshe, realisht nuk flet me gjuhën e fakteve", ka thënë Hoxhaj.

"Epoka e re": Z. Hoxhaj, jeni kthyer nga vizita që keni pasur në Nju Jork së bashku me presidenten, kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin Pacolli. Sa ka qenë e suksesshme kjo vizitë për shtetin e Kosovës?

Hoxhaj: Ka qenë një vizitë jashtëzakonisht shumë e rëndësishme për shtetin e Kosovës.
Gjatë kësaj vizite presidentja e vendit, kryeministri, zëvendëskryeministri Pacolli dhe unë kemi pasur një agjendë shumë të ngjeshur. Te gjithë kemi pasur takime të shumta. Kemi takuar sekretarin e përgjithshëm Ban Ki-Moon, e kemi informuar për procesin e shtetndërtimit të Kosovës, për stabilitetin politik qe ka Kosova, për gjendjen e krijuar në veri si rezultat i ndërhyrjes direkte të Serbisë nëpërmjet strukturave ilegale dhe kriminale në atë pjese të vendit si dhe për vendosmërinë e Qeverise së Republikës së Kosovës që ta jetësojë shtrirjen e sovranitetit mbi tërë territorin e Kosovës.

Gjithashtu, mund t'ju them se kemi pasur një takim jashtëzakonisht të rëndësishëm edhe me sekretaren e ShBA-së, zonjën Clinton, të cilën e kemi informuar për proceset e rëndësishme politike, ekonomike dhe shtetndërtuese të Kosovës. Gjatë kësaj vizite kemi pasur mundësinë të takohemi edhe me shumë presidente, kryeministra, ministra të shumë shteteve që e kanë njohur Republikën e Kosovës. Fokusi ynë ka qenë të takohemi sa më shumë me delegacione që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Takimet tona kanë përfshirë një gjeografi politike të vendeve të Afrikës, të Amerikës Latine, të Lindjes se Mesme, të shteteve Islamike dhe të Azisë. Prej te gjitha këtyre vendeve kemi marrë gatishmëri që disa prej tyre në një periudhë të ardhshëm mund të marrin vendime të shpejta që ta njohin Republikën e Kosovës.

"Epoka e re": Do të thotë se tanimë ka lëvizje për njohje të reja?

Hoxhaj: Mendoj se deri në fund të vitit disa shtete do t'i bëjnë publike njohjet. Ne kemi konfirmim të saktë se disa prej këtyre vendeve janë në proces të procedurave të marrjes së vendimit për ta njohur shtetin e Kosovës. Pra, ka disa vende të shteteve islamike, të Azisë, të Afrikës dhe të Amerikës Latine që gjatë muajve të ardhshëm do ta njohin shtetin e Kosovës. Besoj se deri në fund të këtij viti do t'i bëjnë publike vendimet e tyre për njohje. Ne jemi te sigurt se tanimë janë në proces të vendimmarrjes.

"Epoka e re": Mund të presim se deri ne fund të vitit do të shkoje deri në 100 numri i njohjeve?

Hoxhaj: Nga fillimi që kam marrë këtë pozite asnjëherë nuk kam qenë ithtar i asaj që çështjen e numrit të njohjeve ta vë në debat për numra. Prej kur Ministria e Punëve te Jashtme pati iniciuar dhe miratuar në Qeverinë e Kosovës strategjinë për ta përmbyllur procesin e njohjes ndërkombëtare për Republikën e Kosovës ne kemi punuar intensivisht. Në çdo pjesë të botës kemi lobuar. Kemi vizituar të gjitha shtetet e mundshme që kanë qenë të gatshme për të na pritur.

Gjatë muajit tetor dhe nëntor do të kemi një ofensive të re lobuese. Do të vizitojmë shumë vende të tjera që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Do të marrim pjesë në shumë forume dhe konferenca ndërkombëtare me qellim që ta rrisim numrin e njohjeve. Pra, ta forcojmë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Për ne asnjëherë nuk ka qenë në pyetje debati për numra të njohjeve. Qëllimi ynë ka qenë dhe është të lobojmë e mos të ndalemi. T'i tregojmë botës se ky shtet po ecën drejt rrugës evropiane.

Një gjë është e rëndësishme, se Republika e Kosovës në politikën e Jashtme duhet t'i forcojë fuqishëm edhe më tutje lidhjet e saj të veçanta me SHBA-në. Gjithashtu, të punojë intensivisht në forcimin e një partneriteti strategjik me Bashkimin Evropian. Të punojmë intensivisht për forcimin e një partneriteti strategjik me Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Italinë si dhe vendet e tjera që janë kyçe të Bashkimit Evropian. Po në të njëjtën kohë do të bëjmë përpjekje ta promovojmë e ta prezantojmë Republikën e Kosovës edhe në pjesë të tjera të botës. Ideja është ta forcojmë këtë që është arritur deri më tani dhe ta zgjerojmë edhe më tutje gjeografinë politike, e cila tanimë është globale, e shumëfavorshme për Kosovën.

"Epoka e re": Janë  paralajmëruar njohjet nga Nigeria, Gaboni dhe Bregu i Fildishte, por notat verbale ende nuk kanë arritur në Ministrinë e Jashtme. Ku qëndron problem!?

Hoxhaj: Së bashku me z. Pacolli jemi takuar me presidentin e Bregut të Fildishtë dhe është konfirmuar nga ana e tij se ka marrë vendim për ta njohur shtetin e Kosovës. Se kur do të mbërrijnë notat verbale është çështje e procedurës juridike të atij vendi. Por, informatat që kam marrë nga zëvendëskryeministri Pacolli është se këto vende kanë marrë një vendim pozitiv për njohje.

"Epoka e re": Z. Hoxhaj, kur do të kemi hapa të rinj për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetet që e kane njohur Republikën e Kosovës?

Hoxhaj: Aktualisht kemi vendosur marrëdhënie diplomatike me mbi 40 shtete. Jemi ne një proces shumë dinamik të zgjerimit të marrëdhënieve diplomatike. Disa nga ambasadorët tanë në disa vende veçse kanë vendosur marrëdhënie diplomatike.

Marrëdhëniet diplomatike mund të vendosen qoftë nëpërmjet nënshkrimit të akteve të veçanta, qoftë nëpërmjet procesit të akreditimit të ambasadorëve, apo edhe nëpërmjet modaliteteve specifike që kanë vendet e caktuara.

Ministria e Jashtme ka bërë një analizë të detajuar se me cilat vende duhet t'i vendosim marrëdhëniet diplomatike gjatë muajve të ardhshëm. Të gjitha ambasadat tona si dhe të gjitha departamentet përbrenda Ministrisë kanë marrë rekomandim nga unë si ministër se si të ecim në këtë drejtim.
Kuptohet se në misionin tonë vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe kultivimi i marrëdhënieve të mirëfillta politike janë hapat e parë. Në jemi shumë të interesuar të kemi bashkëpunim të fuqishëm
ekonomik tregtar, kulturor dhe arsimor me të gjitha ato shtete që e kanë njohur Republikën e Kosovës. Jemi shumë të interesuar që mes popullit të Kosovës dhe shumë popujve të shteteve të tjera të kemi lidhje të fuqishme institucionale.

"Epoka e re": Çfarë mbështetje keni marrë nga SHBA-ja për ecurinë e dialogut teknik. Në takimin e fundit delegacioni Serbisë nuk mori pjesë. Mendoni se Serbia ende po e vazhdon politikën e vjetër?

Hoxhaj: Dialogu duhet të shihet nga perspektiva se si është nisur. Në shtator të vitit të kaluar ka
pasur një rezolute të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e cila rezolutë ftonte të dyja vendet për një dialog teknik me qëllim të adresimit të problemeve praktike të jetës së përditshme si dhe me qëllim të përafrimit të dy vendeve drejt perspektivës evropiane.

Tërheqja e Serbisë nga tavolina e dialogut teknik, që ndodhi në takimin e radhës, është dëshmi tipike se politika serbe nuk ka ndryshuar në Ballkan në 20 vjetët e fundit. Edhe me tutje politika serbe ndjek objektiva pa limit, me pafundësi me ambicie të pakufizuara. Mendoj se është detyrë e Bashkësisë
Ndërkombëtare që të përdorë një gjuhe dhe një qëndrim shumë më të ashpër ndaj një sjellje jo konstruktive që po praktikon Serbia në procesin e dialogut teknik.

Ajo se çfarë është thënë nga z. Cooper rreth dështimit të takimit të fundit të dialogut ka qenë një përmendje e një adrese të saktë e përgjegjësisë për mos mbajtjen e dialogut për Qeverinë e Serbisë dhe Beogradit.

Mendoj se edhe më tutje duhet të formësohet qëndrimi i shteteve evropiane meqë dialogu është e vetmja mundësi që të zgjidhen disa prej problemeve teknike që ekzistojnë në mes të dy vendeve të pavarura. Ajo çfarë kemi parë deri më tani është se delegacioni serb po insiston të bisedojë për pikat kufitare doganore 1 dhe 31. E për këtë lloj përpjekje nuk e ka marrë mbështetjen askujt, as të evropianëve e as të amerikaneve.

"Epoka e re": Po sa janë të vendosura institucionet e Kosovës që dialogu teknik mos të kthehet në atë politik. Serbia po insiston të bisedohet për veriun dhe kjo e kthen dialogun në çështje politike?

Hoxhaj: Çdokush që e di se dialogu ka nisur në përputhje me Rezolutën e OKB-së e di se mandati i këtij dialogu është teknik, pra është praktik. Është një dialog në mes dy të vendeve sovrane. E njëjta rezolutë në pjesën e parë e mirëpret dhe e pranon vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që shpallja e pavarësisë së Kosovës ka ndodhur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe pavarësia e Kosovës është fakt. Pavarësia e Kosovës duhet të kuptohet në procesin e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë dhe të lindjes së shtate shteteve të reja në rajon. Së fundmi, të Malit të Zi në vitin 2006 dhe te Kosovës në vitin 2008, si kaptina të fundit të shperb6rjes së ish-Jugosllavisë dhe shtetndërtimit në këtë pjesë të Evropës. Dialogu ka nisur teknik dhe do të mbetet i tillë. Ky mandati i dialogut është në përputhje me rezolutën e Kombeve të Bashkuara. Çdo kush tjetër që flet për diçka ndryshe, realisht nuk flet në gjuhën e fakteve.

"Epoka e re": Pra s'do të këtë dialog për çështjen e veriut?

Hoxhaj: Gjendja që është krijuar në veri duhet të kuptohet në mënyrë të drejtë. Strukturat ilegale, kriminale që ekzistojnë në veri, janë mbetje të një situate e cila ka mbretëruar në Kosove dhe ne Ballkan. E kjo situatë, është situatë e krijuar nga regjimi i Milosheviqit. Strukturat ilegale, paramilitare në veri, janë që nga koha kur Milosheviqi ka qenë në pushtet. Ne nuk do të mbrapsemi. Pas vendimit të 25 korrikut janë hapat e parë vendimtarë që Kosova ta shtrijë autoritetin në veri të vendit. Në të ardhmen mendoj se duhet të implementohet pakoja e Ahtisaarit si e vetmja kornizë politike për integrim të minoriteteve. Pra, që të themelohet komuna në veri të Mitrovicës, që t'i mundësohet komunitetit serb atje, në kuadër të pakos së Ahtisaarit, të marrë pjesë në jetën institucionale të Republikës së Kosovës. Kjo është rruga e vetme. Plani i Ahtisaarit është një plan përfundimtar, i cili ka një mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, i miratuar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së në kohën kur është hartuar. Ne do vazhdojmë ta shtrijmë autoritetin e institucioneve të Republikës së Kosovës në gjithë territorin tonë.

("Epoka e re")

„Serbien muss sich endlich entscheiden“ Enver Hoxhaj, der Außenminister des Kosovo, über die Verhandlungen zwischen Pristina und Belgrad. Kosovo hofft nun auf UN-MitgliedschaftEnver Hoxhaj: EU muss sich stärker in der Ukraine engagierenVisiting Kosovo foreign minister says Ignatieff writings influenced him