Na ndiqni në:

Serbia ka investuar mbi gjashtë miliardë euro në strukturat paramilitare

Nju Jork , 1 shtator 2011 (Kosovapress) - Në atë moment që do të krijojmë numrin kritik të shteteve që e kanë njohur shtetin e Kosovës, është detyrë e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të dalim më një strategji se si t’i qasemi edhe anëtarësimit tonë në OKB dhe në institucionet e tjera relevante ndërkombëtare, ka thënë në një interviste për Kosovapress ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj.

Kosovapress: Z. Ministër, si u zhvillua debati në Këshillin e Sigurimit, dukej se nuk ishte debat i nxehtë?

Hoxhaj: Mendoj se ka qenë një takim mjaftë i rëndësishëm i Këshillit të Sigurimit, në të cilin unë kam prezentuar zhvillimet që i ka pasur Republika e Kosovës në konsolidimin e shtetësisë së brendshme dhe asaj të jashtme, me zhvillimin e ekonomisë, zhvillimin e shoqërisë si dhe në integrimin e minoriteteve. Kuptohet që fokusi kryesor imi ka qenë që të shpjegohet vendimi i Qeverisë për vendosjen e masave të reciprocitetit, pas dështimit të takimit të datës 21 korrik në Bruksel. Anëtarët e Këshillit të Sigurimit i informova për atë se një vendim i tillë për dërgimin e forcave të Policisë së Kosovës në veri të vendit për rikthimin e doganierëve është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe po ashtu në fjalimin tim kam kërkuar mbi të gjitha që të shpërbëhen strukturat paralele pas 12 vitesh të operimit të tyre brenda për brenda territorit të Republikës së Kosovës, ku Serbia ka investuar mbi gjashtë miliardë eurosh në këto struktura paramilitare, pra në struktura që janë të sigurisë, policisë dhe inteligjencës. Është koha e fundit që një shtet synon të ushtrojë një lloj kontrolli brenda territorit të një shteti tjetër.

Mendoj që shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit e mirëkuptojnë vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës, që ta shtrijë sovranitetin, duke e shtrirë sundimin e ligjit në tërë territorin e vet dhe Qeveria të jetë e përkushtuar në luftën kundër krimit të organizuar në veri. Në të njëjtën kohë disa shtete anëtare te Këshillit të Sigurimit bënë ftesë publike drejtuar Serbisë që të bëjë shuarjen e strukturave paralele në Kosovë.

Kosovapress: Përpos Jeremiqit që u tregua pak agresiv në fjalimin e tij dhe nuk u përkrah nga të pranishmit, në të njëjtën kohë shumë nga ambasadorët ndryshuan dhe u treguan shumë më të butë me juve, derisa ambasadori ju thirri kryeministri Hoxha, e vërejta se nuk u shprehen me inat edhe ato shtete që nuk e kanë njohur Kosovën. A ishte kjo si rezultat i diplomacisë kosovare?

Hoxhaj: Kjo mbi të gjitha është një rezultat i asaj që Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, ku çdo ditë dhe çdo javë ne po marrim njohje të reja, dhe po anëtarësohet në organizata relevante ndërkombëtare, e regjionale dhe që sovraniteti i saj në arenën ndërkombëtarë është një fakt i pakthyeshëm, e i pranueshëm, që askush nuk mund ta mohon. Po në të njëjtën kohë qytetarët, Qeveria e Kosovës dhe politika e jashtme kanë bërë përpjekje që përmes një qasje të një pjekurie politike, ta shtyjnë agjendën e përfaqësimit të Kosovës, dhe të promovimit të saj, pa e ndjekur një diskurs të gjuhës së urrejtjes, të cilin po e ndjekin të tjerët, për pa krijuar tensione dhe në takime në vizita ndërkombëtarë, dhe në të njëjtën kohë vetëm duke bërë përpjekje maksimale që të informohen të gjithë të pranishmit për progresin që e ka pasur Republika e Kosovës.
Ajo se çfarë ka ndodhur në Kosovë, në këto tre vitet e fundit pas shpalljes së pavarësisë në ndërtimin e institucioneve, të një shteti funksional, në integrimin e minoriteteve, në rritjen e numrit të njohjeve dhe në përfaqësimin e integrimin tonë në çdo kënd të botës, realisht bën që edhe shtetet e caktuara në një farë forme ta mirëkuptojnë ekzistencën e shtetit të Kosovës edhe ato shtete që kanë fuqi të caktuar dhe në momente të ndryshme deklarohen haptas se janë kundër pavarësisë së Kosovës.

Kosovapress: Ju patët një takim me kryetarin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. A mund të na tregoni se çfarë u diskutua në këtë takim?

Hoxhaj: Gjatë takimit që kisha me ambasadorin e Indisë, i cili është kryetari i radhës në Këshillin e Sigurimit, e informova për zhvillimet e fundit, e po ashtu për qëndrimin e Qeverisë së Kosovës që ta shtrijnë atje autoritetin e plote dhe të jetësohet sundimi i ligjit atje. Meqë India nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, unë kërkova nga kryetari i Këshillit të Sigurimit që India ta njohë Kosovën.

Unë e informova atë se njohja e Republikës së Kosovës ka një gjeografi globale nga çdo pjesë e botës, njohja është bërë nga shtete të rëndësishme të botës dhe meqë India ka një rol shumë të rëndësishëm, njohja e Republikës së Kosovës nga India do të mundësonte që pas anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, India të ketë një vend të vogël partneriteti brenda për brenda Bashkimit Evropian, qoftë për bashkëpunim ekonomik, tregtarë, arsimorë dhe kulturor.

Mendoj se pat mirëkuptim nga ana e tij që të informohet për zhvillimet në Republikën e Kosovës dhe të shihet që shtetësia e saj duke u rritur numri i njohjeve është një proces i pandalshëm.

Kosovapress: Po agjenda e juaj për këtë javë?

Hoxhaj: Nga Nju Jorku unë do të shkoj në Francë, ku do të kem takim me ministrin e Jashtëm. Ky takim do te jetë me karakter pune. E mandej gjatë javës do të jem edhe në tri vende të tjera evropiane, ku do të kem takime edhe me tre ministra të jashtëm.

Përpjekja e jonë është që ta kemi një politikë të jashtme aktive brenda shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, e po ashtu ta përfaqësojmë Republikën e Kosovës në çdo kënd të botës, sepse jemi një vend i ri dhe kemi nevojë që interesat tona të përfaqësohen kudo në botë.

Kosovapress: A pritni që vitin tjetër Kosova të bëhet anëtare e OKB-së?

Hoxhaj: Është herët të thuhet se kur Kosova mund ta bëjë anëtarësimin e saj në OKB, por padyshim synimi i jonë është që në çdo formë, me tërë energjinë si Qeveri e Republikës së Kosovës të punojmë drejt rritjes së numrit të njohjeve. Caku i fundit është anëtarësimi në OKB dhe jam shumë i sigurt që në vitin e ardhshëm Kosova do të jetë fokus i OKB-s,ë nëse procesi i njohjeve do të ketë një zhvillim pozitiv dhe nëse gjatë muajve të ardhshëm do të kemi disa njohje të reja.

Në atë moment që do të krijojmë numrin kritik të shteteve që e kanë njohur shtetin e Kosovës, është detyrë e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të dalim më një strategji se si t’i qasemi edhe anëtarësimit tonë në OKB dhe në institucionet e tjera relevante ndërkombëtare./Intervistoi: Qazim Doda/ 

Kosovos Außenminister: "Serbien muss noch mehr machen"„Die Mehrheit will eine Normalisierung“"Belgrad muss Souveränität des Kosovo akzeptieren"„Serbien muss sich endlich entscheiden“ Enver Hoxhaj, der Außenminister des Kosovo, über die Verhandlungen zwischen Pristina und Belgrad.