Na ndiqni në:

MIQTË ISHIN TË INFORMUAR

Flet për “Epokën e re”, Enver Hoxhaj
-SHBA-ja dhe BE-ja kanë qenë në dijeni për veprimin e Qeverisë së Kosovës në veri
-Serbia po ushtron agresion në veri të Republikës së Kosovës
"Mendojmë se të gjitha shtetet relevante, edhe Bashkimi Evropian dhe SHBA-të që janë në procesin e dialogut, kanë qenë të informuara se ku do të lëvizim. Kuptohet se Qeveria e Republikës së Kosovës përfaqëson një shtet sovran", ka thënë Hoxhaj

Mal Qorraj e Lirim Geci

PRISHTINË, 3 GUSHT - Ministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Enver Hoxhaj, ka thënë se për veprirnet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në veri të vendit kanë qenë të informuara Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE). "Mendojmë se të gjitha shtetet relevante, edhe Bashkimi Evropian dhe SHBA-të që janë në procesin e dialogut, kanë qenë të informuara se ku do të lëvizim. Kuptohet se Qeveria e Republikës së Kosovës përfaqëson një shtet sovran", ka thënë Hoxhaj. Në këtë intervistë për "Epokën e re", Hoxhaj ka thënë se ka mirëkuptim të plotë në mesin e të gjitha shteteve të fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare për vendimin që ka marrë Qeveria e Kosovës në veri. Po ashtu, ai ka deklaruar se Qeveria e Kosovës në asnjë rrethanë nuk do të tërhiqet nga vendimi i saj për shtrirjen e autoritetit edhe në atë pjesë të Kosovës. "Pas datës 25 korrik në Republikën e Kosovës është krijuar një realitet i ri", është shprehur Hoxhaj. Në vazhdim Hoxhaj ka thënë se bllokimi i rrugëve në veri nga ana e shtetit serb nuk paraqet asgjë tjetër, përveçse agresion ndaj Republikës së Kosovës. "Vendosja e barrikadave, vendosja e drurëve, mobilizimi i qytetarëve, ndërhyrja direkte e shtetit serb, për mendimin tim, janë pjesë të një agjende, e cila synon ta destabilizojë situatën në veri, të ushtrojë agresion brendapërbrenda territorit të Kosovës, ta okupojë e ta shkëpusë një pjesë të territorit të Kosovës dhe në fund t'ia bashkoj Serbisë'", ka thënë Hoxhaj.

"Epoka e re": Z. Hoxhaj, cili është vlerësimi real i bashkësisë ndërkombëtare për vendimin e Qeverise së Kosovës për aksionin në veri?

Hoxhaj: Mund t'ju them se ka një mirëkuptim të plotë nga bashkësia ndërkombëtare për sa i përket vendimit të Qeverisë për masat e reciprocitetit dhe veprimit në veri. Të gjitha shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por edhe ato që nuk e kanë njohur, e mbështesin vendimin e Qeverisë se Kosovës, pasi është vendim legal, i drejtë dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Republika e Kosovës është vend sovran dhe i pavarur. Kufijtë e saj janë të pandryshueshëm. Rikthimi i policisë kufitare dhe doganierëve të Republikës së Kosovës në pikat kufitare 1 dhe 31 është veprim që ka mbështetje politike dhe legale. Ky veprim i Qeverisë së Kosovës duhet parë si njëri prej veprimeve më të rëndësishme në historinë e Kosovës. Parë në kohë afatgjate, qasja e Qeverisë do të ketë pasoja pozitive për shtetndërtimin e Kosovës.

"Epoka e re": Kanë qenë te njoftuara shtetet mike për vendimin e Qeverise për ta shtrirë autoritetin në veri?

Hoxhaj: Veprimi i Qeverisë së Kosovës duhet të shihet si një zhvillim logjik i vendimeve.
Republika e Kosovës ka marrë pjesë në një proces të dialogut teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Në gjashtë raundet e takimeve janë ngritur çështja e zgjidhjes së vulës së doganave të Kosovës, çështja e respektimit të dy ekonomive tona dhe çështja e tregtisë së lirë, që është njëra prej standardeve të Bashkimit Evropian. Ky vendim i Qeverisë së Kosovës ka qenë zhvillim i logjikshëm, i natyrshëm, por në të njëjtën kohë edhe zhvillim në përputhje me dinjitetin shtetëror që Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë për vendosjen e masave të reciprocitetit do të thotë, është një kontinuitet i qasjes sonë, nuk është një vendim i cili ka ndodhur papritmas. Përveç këtyre, mendojmë se të gjitha shtetet relevante, edhe Bashkimi Evropian dhe SHBA-të që janë në procesin e dialogut, kanë qenë të informuara se ku do të lëvizim. Kuptohet se Qeveria e Republikës së Kosovës është një qeveri e cila përfaqëson një shtet sovran. Vendimet dhe veprimet që janë marrë janë vendime e veprime të një shteti sovran. Në këtë kontekst, mund t'ju them se ka mirëkuptim të plotë në mesin e të gjitha shteteve të fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare për vendimin e një qeverie të një shteti sovran siç është Republika e Kosovës.

"Epoka e re": Pra, kanë qenë të njoftuara edhe SHBA-të?

Hoxhaj: Po, edhe SHBA-të.

"Epoka e re": Po pse nuk kemi mbështetje të fuqishme prej BE-së në këtë rast?

Hoxhaj: Mendoj se edhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, edhe përfaqësuesit politikë të BE-së, e kanë një qasje të njëjtë sikurse që e kanë edhe SHBA-të. Nëse i referohemi vizitës së fundit të z. Cooper në Prishtinë, deklarimeve të tij se situata pas 25 korrikut është e re dhe nuk do të ketë kthim në situatën e para 25 korrikut, atëherë mund të themi se nuk ka dallim në mes të asnjë shteti dhe as Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve për vendimin e Qeverisë. Neve tashmë na takon jo shumë të flasim për historikun e marrjes së vendimit. Na takon t'i kuptojmë vendimin dhe situatën në veri nga një perspektive tjetër. Djegia e pikës kufitare 1 dhe të gjitha zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës në 10 ditët e fundit dhe prania e të dërguarit të posaçëm të presidentit Tadiq, e konfirmojnë atë se çfarë Serbia ka deklaruar në gjashtë muajt e fundit. Agjenda e hapur e Serbisë politike dhe publike, e shprehur edhe në rrafshet diplomatike, në shtypin perëndimor, është ta ndajë pjesën veriore të territorit të Kosovës. Prandaj, debati në Kosovë nuk guxon të fokusohet në rrafshin teknik, se çfarë po ndodh në pikat kufitare 1 dhe 31. Vendosja e barrikadave, vendosja e drurëve, mobilizimi i qytetareve, ndërhyrja direkte e shtetit serb, për mendimin tim, janë pjese të një agjende, e cila synon ta destabilizoje situatën në veri, synon të ushtrojë agresion brendapërbrenda territorit të Kosovës dhe ka për qëllim t’i okupojë territorin e Kosovës, ta shkëpusë dhe t'ia bashkojë Serbisë. Prandaj, situata në veri duhet të kuptohet politikisht. E, përgjegjësia për atë se çfarë po ndodh në veri i takon presidentit Tadiq dhe organizatorëve të tij, Borisllav Stefanoviq dhe Goran Bogdanoviq. Pra, e gjithë dhuna në veri është krijuar nga vet qeveria serbe. Këtë qëndrim ne ua kemi thënë të gjithë përfaqësuesve të shteteve anëtare të BE-së.

"Epoka e re": Mendoni se pikërisht tash ka qenë koha e duhur që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë këtë veprim në veri?

Hoxhaj: Jemi vonuar qe 12 vjet për të reaguar në veri. Jemi vonuar atje sidomos në tre vjetët e fundit të shpalljes së Kosovës shtet sovran dhe i pavarur. Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës nga miqtëë ndërkombëtarë, shtetet të cilat e kane dhe nuk e kane njohur shtetin tone, duhet të kuptohet si reagim i një shteti sovran, i cili ka ndodhur në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Në asnjë formë historia nuk do t'ia falte lidershipit të Kosovës të sillej ndryshe në një situatë të tillë. Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Thaci, i cili me emrin dhe mbiemrin e tij personifikon një lider te fuqishëm, kanë marrë vendime të cilat janë të natyrës historike dhe këto vendime do të shihen më shumë pas një periudhe të mëvonshme sesa mund të shihen tani.

"Epoka e re": Kjo situatë e krijuar mund të sjellë pasoja më të rënda?

Hoxhaj: Qeveria e Republikës së Kosovës, në përputhje me takimin qe ka pasur Kryeministri me ndërmjetësin Cooper, është e gatshme ta qetësojë situatën, t'i qetësojë kokat e njerëzve. Pra, të ketë qetësi dhe stabilitet në veriun e Kosovës, por në asnjë formë nuk do të lejojë që sovraniteti e integriteti territorial i Kosovës të shkelen, ashtu sikurse janë shkelur në 12 vjetët e fundit. Në asnjë formë nuk do të pranojmë të ndahet Republika e Kosovës. Neve na mbetet që në këtë drejtim të punojmë me vendet anëtare të BE-së, me SHBA-në, me vendet anëtare të NATO-s si dhe me vendet anëtare të OKB-së.

"Epoka e re": Veprimet e fundit të Qeverisë së Serbisë karshi Kosovës mund të konsiderohen agresion?

Hoxhaj: Fakti se në ditët e fundit kemi parë Stefanoviqin, i cili negocion dhe flet në emër të serbëve e vendos se kur duhet ta lirojnë apo bllokojnë rrugën, nuk është gjë tjetër veçse agresion ndaj shtetit të Kosovës. Në asnjë formë dhe në asnjë rrethanë në një shtet të pavarur nuk guxon që përfaqësuesi i një shteti, si i dërguari spacial i presidentit, të ndërhyjë në punët e ndonjë shteti tjetër sikurse është duke vepruar Borisllav Stefanoviq. Për mua, prania e Stefanoviqit, mesazhet dhe aktiviteti i tij politik brenda territorit të shtetit të Kosovës janë të barabarta me praninë e Boris Tadiqit, pasi Stefanoviqi nuk është asgjë tjetër përvecse i dërguari i tij.

"Epoka e re": Do të thotë, Qeveria e Kosovës është e vendosur të mos kthehet prapa?

Hoxhaj: Pas datës 25 korrik në Republikën e Kosovës kanë ndryshuar gjërat. Është krijuar një realitet i ri. Kjo duhet të shihet jo vetëm se çfarë po ndodh në vitin 2011, por çfarë do të ndodhë në vitet 2021, 2031 e më tutje. Jemi të gatshëm ta ndjekim rrugën e dialogut për zgjidhjen e problemeve teknike, por në asnjë formë nuk do të pranojmë që dikush të krijojë probleme brendapërbrenda territorit të Kosovës në emër të mbrojtjes se komunitetit serb.

"Epoka e re": Keni presion ndërkombëtar që në dialogun me Serbinë të futet në agjendë edhe çështja e veriut të Kosovës?

Hoxhaj: Absolutisht jo. Dialogu teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë është i ndarë prej çështjes së veriut. Por, ajo që duhet të ndodhë tani është qetësimi i situ¬atës në veri të Kosovës, hapja e barrikadave, zyrtarët serbë mos ta vizitojnë Republikën e Kosovës dhe mos të projektojnë dhunë dhe te sjellin agjendë luftënxitëse. Qeveria e Kosovës në procesin e dialogut teknik ka qene jashtëzakonisht serioze dhe e përkushtuar, duke mos e parë këtë dialog si instrument të veprimit taktik sikurse është duke e parë Qeveria e Serbisë, e cila shpesh tërhiqet prej dialogut dhe prapë kthehet në tavolinë të bisedimeve.

"Epoka e re": Pse institucionet e Kosovës po e lejojnë hyrjen e zyrtarëve serbë? Pse s'i arrestojnë?

Hoxhaj: Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa urgjentë në këtë drejtim. Ministrat e resorëve përkatës janë shumë të vendosur që në atë çast kur përfaqësuesit e Qeverise së Serbisë gjenden ilegalisht në territorin e Kosovës, t'i arrestojnë.

"Epoka e re": Kur pritet që në veri të shtrihet autoriteti i plotë i institucioneve të Kosovës?

Hoxhaj: Është duke u punuar që situata në veri të qetësohet, rrugët të hapen, zyrtarët serbë mos ta vizitojnë Kosovën dhe, mbi të gjitha, t'i kthehemi dia¬logut teknik në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Normalizimi i sit¬uatës atje dhe integrimi i veriut duhet të ndodhin në përputhje të plotë me pakon e Ahtisaarit dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

"Epoka e re": Konsideroni se Serbia nuk ka qenë serioze ne dialogun teknik me Kosovën?

Hoxhaj: Serbia prej fillimit nuk ka qenë serioze dhe e sinqertë në procesin e dialogut sikurse kanë besuar bashkësia ndërkombëtare, BE-ja dhe Republika e Kosovës. Serbia dialogun e ka kuptuar si një proces teknik, i cili do t'ia mundësonte jonormalizimin e raporteve me Kosovën, jo zgjidhjen e problemeve konkrete që i preokupojnë qytetarët e dy shteteve, por si një lloj parakushti, kinse për fqinjësi të mirë në mes të dy vendeve me qëllim të marrjes së statusit të kandidates për në BE. Por, zhvillimet e fundit tregojnë për atë se Serbia duhet të kuptojë njëherë e përgjithmonë se fati i qytetarëve të saj nuk shtrihet jashtë kufijve të shtetit, por ata duhet të koncentrohen që ta reformojnë shtetin e tyre dhe duhet ta përfundojnë njëherë e përgjithmonë agjendën e dominimit të një populli mbi një popull tjetër.

Hoxhaj javën e ardhshme i nis vizitat jashtë vendit

"Epoka e re": Z. Hoxhaj, cila është agjenda juaj lobuese në të ardhmen?

Hoxhaj: Javën e ardhshme do t'i vizitoj disa shtete të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Jam në marrje të konfirmimit se në cilat vende do të jem. Ditët e fundit jemi të fokusuar ta prezantojmë situatën në Kosovë në të gjitha qendrat relevante evropiane. Jemi shumë të interesuar ta shtyjmë edhe më tutje procesin e plotë të njohjes së Kosovës.

"Epoka e re": Pritet të kemi ndonjë njohje të re?

Hoxhaj: Sa u përket njohjeve, në ditët e ardhshme do të ketë lajme pozitive për qytetarët e Republikës së Kosovës.
 
 

„Serbien muss sich endlich entscheiden“ Enver Hoxhaj, der Außenminister des Kosovo, über die Verhandlungen zwischen Pristina und Belgrad. "Belgrad muss Souveränität des Kosovo akzeptieren"Intervistë e ministrit Enver Hoxhaj për “Epokën e re”"Serben haben Kosovo als Realität akzeptiert"