Na ndiqni në:

Nuk do të pranojmë asnjë ndërhyrje

Djegia e pikës kufitare në Jarinje nga strukturat paralele serbe nuk duhet të shihet vetëm nga perspektiva e pikës kufitare, por të shihet si një ndërhyrje e shtetit serb brenda territorit të Kosovës si shkelje e sovranitetit dhe është pjesë e një agjende e cila është promovuar qe gjashtë muaj nga presidenti Tadiq, ka thënë në një intervistë për Kosovapress ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Nju Jork, 31 korrik 2011 (Kosovapress)

Kosovapress: Z. ministër, a mund të na tregoni në detaje lidhur me takimin tuaj me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së?

Hoxhaj: Në këtë takim unë bëra përpjekje që ta informoj sekretarin që kjo se çfarë po ndodh ditëve të fundit ku është djegur një pikë kufitare nga strukturat paralele serbe dhe direkt nga Qeveria e Serbisë nuk duhet të shihet vetëm nga perspektiva e pikës kufitare dhe e pikës doganore, por duhet të shihet si një ndërhyrje e shtetit serb brenda për brenda territorit të Republikës së Kosovës si shkelje e sovranitetit dhe është pjesë e një agjende e cila është promovuar qe gjashtë muaj nga presidenti Tadiq dhe nga zyrtarë të tjerë të qeverisë serbe, një agjendë e cila ka për qëllim agresion në Republikën e Kosovës dhe një agjendë e cila ka për qëllim që ta ndajë veriun e Kosovës duke e inkorporuar në Serbi. Përpjekja ime ka qenë që zhvillimet e fundit të interpretohen nga një perspektivë më e gjerë dhe të mos shihen vetëm si një situatë që është krijuar në kufi.

Kosovapress: Ju u takuat me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së një ditë pas takimit të tij me Jeremiqin. Ky i fundit në deklaratën që e dha dje tha se u prit mirë dhe u lavdërua deklarata e Tadiqit. Derisa u takova me sekretarin, a u përmend Rezoluta 1244 e KS dhe çka u tha për ndërhyrjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri për të mbrojtur integritetin territorial?

Hoxhaj: Republika e Kosovës është një shtet i pavarur e sovran, i njohur nga 77 shtete që janë anëtare të OKB-së dhe me qëndrimet e tija edhe sekretari i përgjithshëm e reflekton qëndrimin që e kanë këto shtete ndaj Republikës së Kosovës. Prandaj edhe përpjekja e ime ka qenë që ai të informohet detajisht për zhvillimet në Republikën e Kosovës. Në këtë rast vendimi i qeverisë që të respektohen masat e reciprocitetit dhe implementimi i vendimit të qeverisë përmes vendosjes së policisë kufitare dhe vendosjes së doganierëve, është diçka që është në përputhje të plotë me pakon e Ahtisarit dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Unë kam bërë përpjekje që ta informoj për pozicionin tonë dhe kuptohet që në takimet e tilla nuk reflektohet se për çka ka biseduar ai me të tjerët dhe më së paku të tjerët kanë të drejtë që të flasin në emër të Republikës së Kosovës.
Qëndrimi im ka qenë që derisa Prishtina nuk synon që ta kontrollojë jetën e dikujt në Beograd atëherë edhe Beogradi duhet të ndërpresë përpjekjen e tij që ta kontrollojnë jetën brenda përbrenda Kosovës.

Serbët lokal gjatë këtyre 20 viteve të fundit janë përdorur çdo herë si instrument në emër të mbrojtjes së tyre që të ndërhyhet në të gjitha shtetet e rajonit. Këto dy dekadat e fundit të shkapërderdhjes së ish-Jugosllavisë në emër të mbrojtjes së serbëve lokal Serbia ka ndërhyrë edhe në Kroaci e Bosnjë. Po ashtu, ka ndërhyrë edhe në Republikën e Kosovës. Prandaj, kufijtë në rajon janë njëherë e përgjithmonë të mbyllur, integriteti territorial është temë e përmbyllur dhe rajoni duhet të ketë një perspektivë evropiane dhe është qëndrim i Qeverisë së Republikës së Kosovës që përmes të dialogut i cili facilitohet nga Bashkimi Evropian t’i zgjedhim të gjitha diferencat për çështjet praktike teknikë dhe ne jemi të gatshëm që të vazhdojmë dialogun sikurse kemi punuar deri më tash.
Nuk do të pranojmë asnjë ndërhyrje e asnjë agjendë të agresionit serb brenda përbrenda territorit të Republikës së Kosovës si dhe nuk do të pranojmë asnjëherë në asnjë formë që dikush ta ndajë një pjesë të territorit të republikës së Kosovës që është pjesë e një shteti sovran dhe të pavarur e të njohur nga 77 shtete.

Kosovapress: Po kthehemi te dita e djeshme ku ju u takuat edhe me kryetarin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si u pritët ju dhe a ua përmendën Rezolutën 1244 pasi që është një rezolutë e dalë nga ky organ, a mos deshën t’ua limitojnë kompetencat organeve kompetente të Kosovës për ta shtrirë veprimtarinë në tërë territorin e Kosovës?

Hoxhaj: Rezoluta 1244 nuk është përmendur në atë takim, Mirëpo, sipas Rezolutës 1244 Republika e Kosovës është një zonë e përbashkët doganore dhe sipas kësaj rezolute edhe çështja e vulës doganore është çështje e zgjidhur të cilën atëbotë përfaqësuesi special i OKB-së Zanier ia ka komunikuar direkt edhe Qeverisë së Serbisë se çështja e vulës doganore edhe për OKB-në është çështje e zgjidhur.

Kosovapress: Po bisedimet që janë ndërprerë, a do të vazhdojnë edhe pas krijimit të situatës së re në veri te Kosovës?

Hoxhaj: Republika e Kosovës është përkushtuar për paqe, siguri e stabilitet në rajon. Ne jemi shumë të vendosur që të kemi marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e rajonit. Ne jemi shumë të vendosur që të ndërtojmë relacione normale edhe me republikën e Serbisë. Ne nuk do ta pranojmë asnjëherë politikën e dominimit të një kombi mbi kombet e tjera. Kjo politikë i takon së kaluarës dhe ne mendojmë që dialogu është një instrument i cili do të kontribuojë që të zgjidhen problemet praktike-teknike. Gjatë javës së ardhshme z. Kuper do të vijë në Prishtinë dhe ne do te shohim se cila do të jetë agjenda dhe propozimet e tij se si të shkohet përpara. Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar që përmes dialogut t’i zgjidhë të gjitha problemet të cilat janë në interes të qytetarëve të të dyja vendeve tona. Mirëpo, në asnjë mënyrë ne nuk jemi të interesuar që dikush përmes tensionimit të gjendjes politike, përmes manipulimit të qytetarëve serb dhe përmes ndërhyrjeve shtetërore meqë në Evropë nuk ka asnjë vend që një vend i dytë synon ta ushtrojnë sovranitetin brenda një vendi tjetër sovran. Ne nuk pranojmë ndërhyrje të tilla dhe si qeveri e Kosovës jemi të vendosur dhe nuk do të lëvizim nga një pozicion i tillë në asnjë formë.

Kosovapress:
Deklarata e fundit e EULEX-it ishte kundër veprimeve të fundit që i ka marrë Qeveria e Kosovës për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit. Dikur Ministria e Jashtme e Kosovës deklarohej se jemi kundër UNMIK-ut dhe i ka skaduar afati. Po çfarë mendon për EULEX-in, a mund të ketë ndonjë qëndrim zyrtar lidhur me këtë mision, apo duhet të përmirësohen marrëdhëniet edhe pse reagimi i EULEX-it ishte shumë i ashpër duke e shpallur të paligjshëm ndërhyrjen e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës?

Hoxhaj:
Unë nuk kam arritur që ta shoh një deklaratë të tillë të EULEX-it, sepse kam udhëtuar dje tërë ditën dhe përderisa nuk e kam një tekst origjinal të kësaj deklarate mendoj se është mënyra më e mirë që të përmbahem, por një gjë mund të them se EULEX-i është një partner i fuqishëm i Republikës së Kosovës dhe rruga e jonë evropiane nënkupton që ne duhet të kemi një bashkëpunim shumë të mirë edhe me EULEX-in.

Kosovapress: A do të thotë kjo se nuk do të ketë ndikim në qëndrimin përfundimtar që ka marrë Qeveria e Kosovës për ruajtjen e integritetit territorial?

Hoxhaj: Qeveria e Kosovës është përfaqësuese e një shteti të pavarur dhe sovran, përderisa EULEX-i e ka misionin në përputhje me pakon e Ahtisarit dhe në përputhje me atë që ta ndihmojë Republikën e Kosovës në sundimin e ligjit për neve është shumë kyç dhe shumë vendimtare që në çdo formë të kemi bashkëpunim me të gjitha institucionet partnere e relevante. Për Republikën e Kosovës do të ishte një qasje e gabuar nëse partnerët tanë evropian për shkak të mos bashkëpunimit të mirë me EULEX-in mund ta shohin me dilema të ardhmen tonë evropiane. Është një qëndrim i Qeverisë së Republikës së Kosovës që EULEX-i është partner, duhet të bashkëpunojmë ngushtë. Ndërsa dallimet që mund të ekzistojnë në faza të caktuara janë dallime që përshkruhen në një moment të caktuar, por në asnjë formë për vizionin tonë për një Kosovë evropiane.

Kosovapress: Pas këtyre takimeve të rëndësishme, cili është mesazhi i juaj për shqiptarët e Kosovës por edhe për komunitetet tjera?

Hoxhaj: Qytetarët e Kosovës duhet të jenë të bindur se qeveria e tyre do t’i mbrojë interesat shtetërore të Republikës së Kosovës në çdo mënyrë. Po të njëjtën kohë ne jemi shumë të interesuar që Kosova të jetë një shtet qytetarë, shumë-etnik i cili ju takon të gjithëve, prandaj edhe veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri janë për të mirën edhe të serbëve lokal, për qetësinë e paqen, si dhe zhvillimin ekonomik. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet t’u besojnë institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përkundër asaj që Kosova kishte një sfidë të rëndë gjatë këtyre ditëve të fundit. Kosova do te ekzistojë përherë dhe ne në institucionet tona duhet të jemi shumë unik për çështjet e interesit shtetëror dhe çdo herë duhet të bëjmë përpjekje maksimale që energjinë pozitive ta investojmë në mbrojtje dhe promovim të interesit shtetëror. Lindja e shtetit të Kosovës ka qenë një proces i rëndë për të cilin është sakrifikuar shumë dhe ne duhet të bëjmë përpjekje maksimale që ta mbrojmë dhe ta promovojmë shtetin tonë./Q.Doda/

Enver Hoxhaj: EU muss sich stärker in der Ukraine engagieren"Serben haben Kosovo als Realität akzeptiert"Visiting Kosovo foreign minister says Ignatieff writings influenced him „Serbien muss sich endlich entscheiden“ Enver Hoxhaj, der Außenminister des Kosovo, über die Verhandlungen zwischen Pristina und Belgrad.