Na ndiqni në:

Ministri Enver Hoxhaj flet për prioritetet e diplomacisë së re të Kosovës

Politika e jashtme nuk duhet të matet me numra

Relacioni i Kosovës me SHBA-të është dhe do të mbetet ndër misionet më të shenjta që ka Ministria e Punëve të Jashtme thotë Enver Hoxhaj ministër i jashtëm i Republikës së Kosovës.

Intervistoi: Lirie Hajdari

E ka marrë në drejtim një Ministri e cila  jo rrallë ka qenë në thumb të kritikave të opozitës dhe të shoqërisë civile. I vetëdijshëm për sfidat që e presin Kosovën, por i përgjegjshëm në punën e tij, ministri Enver Hoxhaj, i ka vënë vetës për detyrë të punojë 15 orë në ditë, që Kosova ta ketë një politikë të jashtme aktive e cila do ta rritë numrin e njohjeve, e cila do ta forcojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës, do t’i promovojë interesat politike, ekonomike, dhe ta bëjë Kosovën anëtare të organizatave ndërkombëtare. Me një strategji të qartë lobimi dhe me qëllim të shtimit të numrit të njohjeve, premton se do të thellojë bashkëpunimin me miqtë ndërkombëtar, sidomos me Uashingtonin dhe Brukselin. Për ministrin Hoxhaj  politika e jashtme nuk është vetëm politikë e një ministrie, por e gjithë spektrit, dhe në këtë drejtim do të bashkëpunojë me Presidentin, Kryeministrin, partitë opozitare, si dhe të artistëve e sportistëve që i quan ambasador për Kosovën. Për punën e ambasadorëve, për shtimin e numrit të njohjeve, për ndikimin e bisedimeve në këtë proces, flet për “Bota sot”  ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

“Bota sot”: Z. Hoxhaj keni marrë nën drejtim një ministri e cila në vazhdimësi ka qenë e kritikuar për mos punë dhe për mungesë të një strategjie për lobim. Çfarë do të ndryshoni ju, cila është strategjia e re e MPJ-së për njohjet e reja dhe për lobim?

E.Hoxhaj: Në këto tri vitet e fundit është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe në MPJ dhe pararendësi im z. Hyseni dhe pararendësja znj. Çitaku kanë bërë një punë të shkëlqyeshme. Pa dyshim se Kosova ka sfida të reja, ka prioritete të reja dhe qëllimi im është që edhe më shumë të punojë edhe më shumë ta dinamizojë politikën e jashtme dhe të kemi një qartësi të mirëfilltë në atë se çka nënkuptojmë me politikën e jashtme. Në mbledhjen e fundit të qeverisë kemi marrë dy vendime. Vendimi i parë ka qenë që të hartohet një strategji për të rritur numrin e njohjeve të Kosovës dhe për këtë unë kam qenë në SHBA, kam biseduar edhe me disa ministra të BE-së, për atë se si ne të marrim edhe më shumë mbështetje dhe informata rreth asaj se cilat vende janë të gatshme ta njohin Kosovën. Në këto ditë është punuar intensivisht që të finalizohet kjo strategji për lobim, evokim, ose për të rritur numrin e njohjeve. Vendimi i dytë ka qenë hartimi i një dokumenti për politikën e jashtme si të tillë, çka nënkupton politika e jashtme e Kosovës, cila është pozita e Kosovës në Ballkan, çfarë relacioni duhet të ketë me aktorë  shtetëror dhe çfarë relacioni do të ketë me aktorë mbi shtetëror, pra se cili do të jetë roli me organizatat e tjera. Për këtë vit ne kemi hartuar një program qeverisës i cili është i fokusuar në disa prioritete dhe në disa objektiva. Objektiva ynë i parë është që ta përfaqësojmë dhe ta mbrojmë interesin shtetëror të Republikës së Kosovës. Objektiva e dytë është përfaqësimi i interesave politike dhe ekonomike të shtetit të Kosovës, dhe objektiva e tretë është që t’i përfaqësojmë interesat e qytetarëve të Kosovës dhe të atyre që janë jashtë Kosovës, meqë politika e jashtme është një fushë që buron në disa nivele. Gjatë kësaj kohe kemi disa prioritete kryesore. Prioriteti i parë është rritja e numrit të njohjeve, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shumë vende që e kanë njohur Kosovën, pastaj promovimi dhe vendosja e marrëdhënieve ekonomike me shumë vende të zhvilluara të botës, procesi i integrimeve euroatlantike, integrimi i Kosovës në BE, por edhe në strukturat atlantike. Prioriteti i pestë është integrimi i Kosovës në organizata të ndryshme botërore që janë përgjegjëse për çështje të ndryshme politike, ekonomike, financiare, kulturore, sportive. Në këtë drejtim ne do të japim maksimumin që këto prioritete të MPJ të jetësohen. Veç kësaj mendojmë që politika e jashtme nuk duhet të jetë diçka që bazohet vetëm në punën e ministrit, vetëm në punën e ministrisë, dhe vetëm në punën e ambasadorëve. Kosova duhet të ketë edhe shumë të dërguar të posaçëm, shumë emisarë të cilët e prezantojnë Kosovën dhe ndihmojnë në rritjen e numrit të njohjeve, të kemi shumë konsuj nderi, të kemi shumë ambasador nderi, por të kem edhe shumë ambasadorë të cilët kanë mision jorezident dhe të cilët mund të operojnë në pjesë të ndryshme të botës, me qëllim të përfaqësimit të interesave të Republikës së Kosovës. Këto janë punë që presin të ndodhin gjatë këtyre viteve.

Adresa jonë e përhershme mbetet Uashingtoni dhe Brukseli

“Bota sot”: Kosova ka shumë miq në SHBA, kongresmenë të fuqishëm të cilët kanë kontribuar në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Me vullnetin e tyre ata kanë vazhduar lobimin për Kosovën, edhe pse në këtë drejtim MPJ nuk ka “shfrytëzuar” sa duhet përvojën dhe fuqinë e tyre. Cili do të jetë bashkëpunimi juaj me këta miq dhe kongresmenë të SHBA-ve?


E. Hoxhaj: Gjatë vizitës ë SHBA kam takuar nënsekretarin e shtetit Shtajnberg, z. Tom Kantrimen dhe znj. Xhenifer Brash të cilët janë persona me përgjegjësi të larta shtetërore dhe me autoritet të cilën e njohin Kosovën dhe Ballkanin mbi 30 vite. Por përveç kësaj kam takuar edhe kongresmenin Eliot Engëll, me të cilin kam biseduar edhe për çështje të njohjes. Kongresmeni Engël ka ndihmuar Kosovën që ta njohin disa shtete dhe është duke punuar intensivisht në disa pjesë të botës. Kam takuar edhe ambasadorin Frenk Uisner i involvuar në procesin e negociatave në Vjenë. Kam takuar edhe shumë të tjerë të involvuar në proceset e pavarësisë së Kosovës dhe në proceset tjera në Ballkan dhe kuptohet se qëllimi ynë është që sa më shumë miq që ka Kosova në Amerikë, këta miq ta mbështesin Kosovës dhe ta rrisin numrin e njohjeve, por edhe në forcimin e pozitës ndërkombëtare të shtetësisë sonë. Njëra nga qëllimet tona është ta forcojmë pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Me të gjithë këta miq do të kemi bashkëpunim dhe do të vazhdojmë që ky bashkëpunim të ketë një dinamizëm, një energji dhe caqe të matshme. Relacioni i Kosovës me SHBA është karakterizuar vazhdimisht me marrëdhënie të veçanta dhe speciale dhe ky do të mbetet ndër misionet më të shenjta që ka MPJ që këtë relacion të veçantë me SHBA-të ta thellojmë, ta zgjerojmë, ta kultivojmë dhe ta promovojmë. Veç kësaj adresë e rëndësishme dhe që është shumë vendimtare për të ardhmen e Kosovës është Brukseli, andaj edhe bashkëpunimi me Komisionin Evropian, me institucionet tjera të BE-së, me Parlamentin Evropian, zyrën e baroneshës Eshton, bashkëpunimi me shtetet e veçanta qoftë me Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Italinë, Austrinë dhe shumë vende të tjera do të jetë kyç për MPJ dhe ky është misioni ynë i dytë i shenjtë që ne e kemi si ministri.

“Bota sot”: Besoni se këta miq që ka Kosova, e që janë të shumtë, do të mund të ndikojnë te vendet Islamike dhe ato të marrin një vendim pro njohjes së Kosovës?

E.Hoxhaj: Ka pasur disa lëvizje gjatë këtyre viteve që ta rrisim sa më shumë numrin e njohjeve në vendet islamike. Por dua të them që këtu një mbështetje të fuqishme përveç miqve tanë që përmendëm më herët,  e ka dhënë edhe Republika e Turqisë me të cilin shtet kemi marrëdhënie të veçanta edhe historike, edhe kulturore dhe shumë punë është bërë falë mbështetjes që kemi marrë nga qeveria turke. Mendojmë që në të ardhmen realisht ta kemi edhe më tutje një mbështetje të tillë. Ambasadori jonë Rexhep Boja, i cili është i pranishëm me punën e tij në vendet arabe ka dhënë maksimumin që ta rrisim numrin e njohjeve. Ka indicie të reja, po presim që shumë punë të bëhet edhe në botën Islame për të rritur numrin e njohjeve.

“Bota sot”: A do të arrihet numri prej 100 njohjeve deri në fund të këtij viti?

E.Hoxhaj: Atë të cilën unë e premtoj është se personalisht do ta jap maksimumin, do të punoj 15 orë në ditë që ne si MPJ ta kemi një politikë të jashtme aktive e cila do ta rritë numrin e njohjeve, e cila do ta forcojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës, e cila do t’i promovojë interesat politike, ekonomike të Kosovës, e cila do ta bëjë Kosovën anëtare të organizatave, agjensioneve të ndryshme politike, financiare dhe kulturore. Mendoj se nuk duhet të matet politika e jashtme me numra, por duhet të matet me përmbajtje, me cilësi dhe ndër objektivat tona është ta përcjellim dhe ta promovojmë një imazh modern, një imazh real për Republikën e Kosovës, që është kyç për kohën në të cilën ne funksionojmë si MPJ.

“Bota sot”: A do të reflektohet negativisht procesi i njohjeve për shkak të bisedimeve me Serbinë?

E.Hoxhaj: Bisedimet janë kryesisht të natyrës së çështjeve praktike, teknike. Janë bisedime ndërmjet dy vendeve të pavarura, sovrane dhe të barabarta, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe absolut nuk janë bisedime që i referohen çështjes së statusit politik, dhe që për ne statusi politik, çështja e integritetit territorial, e organizimit institucional të sistemit tonë politik janë çështje të paprekshme. Andaj këto bisedime nuk do të ndikojnë direkt në zhvillimet politike qoftë brenda Kosovës, apo jashtë. Përkundrazi unë mendoj që bisedimet do ta forcojnë pozitën e Kosovës karshi BE dhe neve na mbetet shumë punë që realist ta bindim edhe më shumë BE-në për një relacion i cili duhet të jetë shumë më i mirë sesa është aktualisht.

Në fund të marsit mbahet Konferenca e ambasadorëve

“Bota sot”: Përkundër punës që bëjnë, asnjëherë nuk është folur për të arriturat e ambasadorëve të Kosovës nëpër botë. Si e vlerësoni ju punën e tyre dhe kur do të publikohet raporti mbi vlerësimin e punës së ambasadorëve?


E.Hoxhaj: Së pari dua të them se konferenca e parë e ambasadorë të Republikës së Kosovës do të mbahet në fund të muajit mars dhe tashmë datat janë vendosur, ftesat janë përcjell. Kjo është konferenca e parë e ambasadorëve tanë për vitin 2011 dhe aty do të bisedojmë edhe për çështje të natyrës strategjike, por edhe për çështje të MPJ dhe për çështje të ambasadave, të funksionimit të tyre, të prioriteteve që duhet ti keni, të ndërtimit të relacioneve të partneritetit me shumë vende. Ne jemi vend i vogël dhe ne duhet të vendosim për atë se cilët janë partnerët tanë kyç. Kuptohet se Uashingtoni dhe Brukseli janë dy adresat tona të para, por ne kemi nevojë të kemi edhe një bashkëpunim të ngushtë me Londrën, Parisin, Berlinin, Romën, Vjenën, me shtetet Frankofone, me shtetet Gjermanofolëse, me shtetet Nordike, me Kanadanë, me Japoninë, prandaj duhet të mendohet në rrafshin strategjik se me cilat vende do të bashkëpunojmë. E tërë kjo do të jetë temë e konferencës së ambasadorëve e cila mbahet në fund të këtij muaji. Sa i përket performancës kjo është çështje që i takon një grupi që ta bëjë vlerësimin e tyre. Nuk është çështje që ministri mund ta vlerësoj në rrafshin individual, se çdo vendim do të ishte subjektiv, individual. Meqë ambasadorët e përfaqësojnë shtetin e Kosovës, unë mendoj që vlerësimi do të duhej të jetë i presidentit, kryeministrit, dhe i imi, por jo vetëm i imi.

“Bota sot”: Cili do të jetë bashkëpunimi juaj me opozitën, e cila është kritikuesja më e madhe e MPJ-së?

E.Hoxhaj: Njerëzit që janë njohës të politikës së jashtme dhe që kanë përgjegjësi për politikën e jashtme në partitë opozitare, janë njerëz që në vazhdimisht kanë menduar politikisht për Kosovën, për interesin shtetëror dhe unë do të kem bashkëpunim të ngushtë në përputhje me mandatin tim. Kudo që paraqitet nevoja do të informoj edhe për situatat e reja specifike që i ka Kosova. Politika e jashtme është një politikë e konsensusit shtetëror, nuk është vetëm një politikë e një ministrie. Andaj bashkëpunimi im me Presidentin, me Kryeministrin dhe me partitë opozitare do të jetë i ngushtë, i natyrshëm dhe unë do të jem në dispozicion të të gjithëve që të merren në konsideratë të gjitha idetë e mira, gjitha qasjet e mira. Do të bashkëpunoj ngushtë me mediet meqë ka nevojë që të prezantohej ajo se çfarë ndodh në politikën e jashtme, do të bashkëpunoj me shoqërinë civile dhe disa nga ta do të kyçen në aktivitete të ndryshme për lobim për njohje, do të bashkëpunojmë me njerëz të kulturës, të artit, të sporti, meqë disa nga ta mund të jenë ambasadorë më të mirë që ta prezantojnë Kosovën jashtë vendit. Qasja jonë do të jetë gjithëpërfshirëse dhe nuk do të jetë diçka që do të bazohet vetëm rreth meje. Kosova ka nevojë për mendjet më të mira, energjitë më pozitive dhe njerëzit më dinamikë ti nxjerrë dhe t’i përfaqësojnë ata edhe jashtë Kosovës, por kjo të ndodh edhe në disa nivele. 

Box

Sfidat

Pa dyshim se Kosova ka sfida të reja, ka prioritete të reja dhe qëllimi im është që edhe më shumë të punojë edhe më shumë ta dinamizojë politikën e jashtme dhe të kemi një qartësi të mirëfilltë në atë se çka nënkuptojmë me politikën e jashtme.

Bisedimet

Unë mendoj që bisedimet do ta forcojnë pozitën e Kosovës karshi BE dhe neve na mbetet shumë punë që realist ta bindim edhe më shumë BE-në për një relacion i cili duhet të jetë shumë më i mirë sesa është aktualisht. 

Kosovo hofft nun auf UN-Mitgliedschaft„Die Mehrheit will eine Normalisierung“„Serbien muss sich endlich entscheiden“ Enver Hoxhaj, der Außenminister des Kosovo, über die Verhandlungen zwischen Pristina und Belgrad. Enver Hoxhaj: EU muss sich stärker in der Ukraine engagieren