Na ndiqni në:

Intervistë e ministrit Enver Hoxhaj për “Epokën e re”

Jemi të vendosur ta mbrojmë sovranitetinMinistri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka bërë me dije se rikonfirmimi i administratës së re amerikane për Kosovën është një mesazh motivues për shtetin e Kosovës. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se ministria që drejton ka hartuar një plan jashtëzakonisht të mirë të punës për vitin 2017. Sipas Hoxhajt, në ditët e ardhshme Kosova do të bëhet anëtare e një organizate ndërkombëtare. Po ashtu, ai ka thënë se një shtet tashmë ka marrë vendim ta njohë Republikën e Kosovës dhe njohja do të bëhet publike shumë shpejt. Në këtë intervistë, ministri Hoxhaj ka folur edhe për veprimet e fundit të Serbisë. Hoxhaj ka thënë se Serbia po përdor një zinxhir të skenarëve që synon ta provokojë Kosovën por, sipas tij, Kosova është e vendosur t’i mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit

Muhamet KOCI

Prishtinë, 29 janar 2017 - Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka bërë me dije se rikonfirmimi i administratës së re amerikane për Kosovën është një mesazh motivues për shtetin e Kosovës. Ai ka deklaruar se kjo mbështetje është edhe mesazh paqeje për stabilitetin në Ballkan. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se shumë shpejt pritet të ketë edhe takime konkrete të udhëheqësve shtetërorë me administratën e re. “Qëndrimet e reja të fundit që mbështesin të ardhmen atlantike të Kosovës, transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, si dhe përkushtimin amerikan për një shembull të mirëfilltë të shtetndërtimit, të gjitha këto janë mesazhe motivuese për ne, po edhe sa i takon paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Kështu që, kjo është një gjë shumë e madhe dhe ne presidentit Trump dhe administratës së tij i dëshirojmë suksese dhe besoj se në një të ardhme të afërt do t’i kemi edhe takimet e para në nivel të udhëheqësve shtetërorë”, ka thënë Hoxhaj.Duke folur për provokimet e fundit të Serbisë, ministri Hoxhaj ka thënë se përmes provokimeve të tilla Serbia po përpiqet t’i provokojë Kosovën dhe Ballkanin. “Përtej këtyre ngjarjeve që kanë ndodhur në raport me Kosovën, Serbia ka synuar ta provokojë situatën edhe në Bosnjë. E dimë që vitin e kaluar atje është mbajtur një referendum në Banjallukë. Pastaj, në javët e fundit ka pasur tensionim të raporteve në mes të Kroacisë dhe Serbisë, sikurse që ka qenë edhe ndërhyrja e ish-pjesëtarëve të policisë serbe në zgjedhjet e fundit në Mal të Zi. Po ashtu, në këtë drejtim kanë qenë edhe deklaratat e fundit të ministrit të Jashtëm serb, Daçiq, në raport më Maqedoninë”, është shprehur Hoxhaj. Shefi i diplomacisë së Kosovës ka paralajmëruar se së shpejti për Kosovën do të vijnë edhe dy lajme të mira. Sipas tij, Republika e Kosovës tashmë është njohur nga një shtet dhe vendimi do të bëhet publik shumë shpejt. Po ashtu, ai ka thënë se brenda një kohe të shkurtër Kosova do të bëhet edhe anëtare e një organizate ndërkombëtare.

“Epoka e re”: Sapo jeni kthyer nga një turne diplomatik në Azi. Cili ishte qëllimi i kësaj vizite?

Hoxhaj: Javën e kaluar kam qëndruar fillimisht në një vizitë bilaterale në Francë, më pas kam vazhduar në Azinë Juglindore, ku kam vizituar Singaporin, Brunein, Malajzinë dhe Tajlandën. Pra, për një periudhë të shkurtër kam vizituar katër shtete. Qëllimi i parë i vizitës ka qenë të formohen raportet tona bilaterale dhe si të kem lidhje më të mira politike dhe ekonomike me këto vende. Gjatë kësaj vizite kam takuar ministrat e jashtëm dhe personalitete të tjera të jetës politike në këto vende. Qëllimi i dytë i vizitës ka qenë që të shohim se si në të ardhmen këto vende ta mbështesin Kosovën, nëse Kosova do të aplikonte për t’u anëtarësuar në ndonjë organizatë. Qëllimi i tretë i kësaj vizite ka qenë që këto vende t’i përdorim si porta për ta zgjeruar ndikimin e Kosovës për ta rritur bashkëpunimin me shtetet e tjera jonjohëse në këtë pjesë të botës. Marrë në tërësi, mund të them se vizita ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme dhe presim të kemi mbështetje kudo që Republika e Kosovës ka nevojë, qoftë në planin bilateral apo në atë multilateral.

“Epoka e re”: Sa do të mund ta ndihmojnë këto vende Kosovën për njohje të reja në atë pjesë të botës, apo në anëtarësimin e organizatave ndërkombëtare?

Hoxhaj: Natyrisht se ne kemi diskutuar se si ta rrisim këtë koordinim në mes të Kosovës me këto vende. Disa nga to në të ardhmen mund të na ndihmojnë edhe për të arritur numrin e njohjeve në këtë pjesë të botës. Pastaj, disa prej tyre janë të interesuara të kemi konsultua të karakterit diplomatik, ku ne do t`i këshillonim këto vende për situatën në Ballkan apo në Evropë, ndërsa këto vende do të shkëmbenim pikëpamje me neve për situatën në Azi. Po ashtu, kemi takuar edhe kryetarë bordesh, presidentë të odave ekonomike, bartës të institucioneve arsimore, kulturore, të këtyre vendeve, me të cilat mendojmë se përtej raporteve të shkëlqyeshme, të kemi edhe shkëmbime mes ekonomive dhe shoqërive tona. Kam punuar gjatë që Tajlanda, Singapori dhe Brunei ta njohin Kosovën, ngaqë i njoh shumë ministra të jashtëm, ish-kryeministra dhe personalitete të tjera të jetës publike. Ne presim që me këto vende në të ardhmen të kemi një bashkëpunim edhe më të thellë.

“Epoka e re”: Disa herë keni deklaruar se ndër qëllimet kryesore të diplomacisë sonë është edhe anëtarësimi në sa më shumë organizata ndërkombëtare. Cila do të jetë organizata që Kosova synon të anëtarësohet këtë vit?

Hoxhaj: Ne kemi hartuar një plan jashtëzakonisht të mirë të punës për vitin 2017. Qasja e planit tonë të punës është që duhet ta kemi një politikë të jashtme ndersektoriale. Pra, duhet të ketë koordinim sa më të mirë në mes të ministrive apo agjencive të ndryshme sa iu përket qëllimeve dhe pritjeve të politikës së jashtme. Natyrisht se gjatë këtij viti do të aplikojmë për t’u anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare dhe besoj se gjatë javëve të ardhshme do të ketë edhe një lajm të mirë që Kosova do të bëhet anëtare e një organizate ndërkombëtare, për të cilën kemi punuar intensivisht. Qëllimi ynë në këtë drejtim është mos të aplikojmë çdo kund. Ne do të bëjmë përpjekje të jemi pjesë e atyre organizatave të cilat i përmbushin kërkesat tona politike, apo ekonomike, sikurse jemi të interesuar që këto organizata më pas të përdoren si platforma ku do të dëgjohej zëri i Republikës së Kosovës për tema dhe çështje të ndryshme. Ne kemi një plan të hollësishëm se ku do të aplikojmë, po ashtu kemi edhe një qartësi strategjike se cilat organizata janë kyçe, ku do të aplikojmë. Po ashtu, kemi edhe një analizë të plotë rreth numrit të votave që do të duhej t’i siguronim dhe njohje të plotë të procedurave ligjore për t’u bërë pjesë e ndonjë organizate të caktuar. Tani ndoshta është herët të thuhet se kur do të aplikojmë dhe cilat organizata do të jenë prioritete tonat. Në këtë drejtim natyrisht se kemi koordinim edhe me partnerët dhe aleatët tanë.

“Epoka e re”: Në këtë plan, a është përfshirë se cili mund të jetë numri i shteteve që mund ta njohin Kosovën gjatë këtij viti?

Hoxhaj: Nuk dua të flas me numra, sepse asnjëherë nuk kam preferuar të flas me numra. Ajo që mund të them është se ne kemi një informatë të plotë që një vend tashmë ka marrë vendim ta njohë Republikën e Kosovës dhe publikimi i kësaj njohje besoj se do të ndodhë gjatë këtyre ditëve. Ndërsa kemi nxjerrë një bilanc të plotë sa iu takon vendeve, të cilat duhet t’i kemi si cak për ta arritur numrin e njohjeve. Pra, e dimë se cilat vende duhet të targetohen në Afrikë, Azi, Amerikë Latine dhe në pjesë të ndryshme të botës. Kështu që, besoj se gjatë këtij viti do të kemi rezultatet konkrete. Vitin e kaluar, kur e kam marrë mandatin, kam thënë se gjatë periudhës gjashtëmujore do t’i kem dy njohje të para, të cilat edhe kanë ndodhur, sikurse që ishte njoha nga Surinami dhe Singapori. Pra, njohjet do të jenë një prioritet së bashku me vendosmërinë tonë që Kosovën ta anëtarësojmë në organizatat ku ne kemi nevojë.

“Epoka e re”: Mund të na konfirmoni kontinentin, apo rajonin nga i cili është vendi që tashmë e paska marrë vendimin për njohjen e Kosovës?

Hoxhaj: Zakonisht kam bërë përpjekje t’u ik paralajmërimeve për njohje, duke mos përmendur as kontinent, as regjion e as emra të shteteve. Gjatë vitit të kaluar kam vizituar disa vende që nuk e kanë njohur Kosovën. Kam marrë pjesë në disa forume të mëdha ndërkombëtare, ku mund të them se vetëm vitin e kaluar kemi takuar mbi 50 shtete jonjohëse. Vendimi i këtij vendi që na ka njohur besoj se do të bëhet publik në një të ardhme të afërt dhe ju do ta shihni se unë e kam vizituar atë vend dhe kam biseduar me ministrin e Jashtëm të atij vendi.

“Epoka e re”: Tashmë ka ardhur rikonfirmimi i administratës së re amerikane për mbështetjen e shtetit të Kosovës nga sekretari i mbrojtjes. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën?

Hoxhaj: Kosova është një temë e cila ka pasur mbështetje të të gjitha administratave të ShBA-së, qofshin ato republika, apo demokrate. E dimë se prej vitit 1992, kur ish-presidenti Xhorxh Bush ishte i vendosur ta parandalojë konfliktin e Kosovës, edhe nëpërmjet intervenimit ushtarak në atë letrën e famshme dërguar Sllobodan Millosheviqit, e deri në ditët e sotme angazhimi amerikan për Kosovën ka qenë i prerë dhe i vendosur. Kështu që, qëndrimet e reja të fundit që e mbështesin të ardhmen atlantike të Kosovës, transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, si dhe përkushtimi amerikan për një shembull të mirëfilltë të shtetndërtimit, të gjitha këto janë mesazhe motivuese për ne, po edhe sa i takon paqes dhe stabiliteti në Ballkan. Kështu që, kjo është një gjë shumë e madhe dhe ne presidentit Trump dhe administratës së tij i dëshirojmë suksese dhe besoj se në një të ardhme të afërt do t’i kemi edhe takimet e para në nivel të udhëheqësve shtetërorë.

“Epoka e re”: Ky rikonfirmim i administratës së re vjen në kohën kur Kosova po provokohet në mënyra të ndryshme nga Serbia. Kjo mbështetje mund të ndikojë në mbrapsjen e këtyre provokimeve?

Hoxhaj: Pa kontributin e mirëfilltë dhe vendosmërinë amerikane, as Kosova dhe as Ballkani nuk do të ishte në vitin 2017 ky që është. Ngritja e shtetit të Kosovës ka qenë edhe rezultat i ngritjes dhe fuqizimit të ShBA-së pas fundit të luftës se ftohtë, sikurse edhe rezultati i zgjerimit dhe fuqizimit të BE-së. Unë besoj se këto procese të mëdha historike, të cilat janë bartur në 25 vjetët e fundit, do ta kenë vëmendjen dhe përkushtimin e administratës së re amerikane, së cilës i jemi shumë mirënjohës. Sa iu takon tensioneve të fundit në raportet Kosovë - Serbi, mendoj se duhet ta kem një lexim më të plotë të situatës meqenëse treni, i cili u ndalua me vendosmëri nga shteti i Kosovës, nuk ka qenë një ngjarje e izoluar, por Serbia ka bërë përpjekje që përmes një zinxhiri të ngjarjeve të ndryshme ta provokojë Kosovën, sidomos në këta 7-8 muajt e fundit, duke përfshirë projektet e tilla si Lugina e Diellit, arrestimin e qytetarëve tanë, të cilët udhëtuan nëpër Serbi, siç ishte rasti i komandantit të policisë për jugun e Mitrovicës, apo ndërtimi i murit në pjesën verore të qytetit, keqpërdorimi i institucioneve ndërkombëtare, sikurse rasti i Interpolit për të shpërndarë fletarrestime dhe për t’i ndaluar liderët e Kosovës, si rasti i z. Haradinaj. Pra, është një zinxhir i skenarëve dhe ngjarjeve të cilat synojnë ta provokojnë Kosovën dhe ne do të jemi të qartë dhe të vendosur t’i mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë.

“Epoka e re”: Çfarë ka bërë diplomacia e Kosovës për t’i alarmuar partnerët e saj ndërkombëtarë për provokime e tilla të Serbisë?

Hoxhaj: Mendoj se për skenarë të tillë, për qasje të tilla, për provokime të tilla, kam folur edhe vitin e kaluar, ku në shumë takime që kam pasur me ministrat e jashtëm të vendeve evropiane, sikurse me takime me partnerët amerikanë, i kam informuar paraprakisht për atë se si Serbia synon ta provokojë situatën në Kosovë. Përtej këtyre ngjarjeve që kanë ndodhur në raport me Kosovën, Serbia ka synuar ta provokojë situatën edhe në Bosnjë. E dimë se në vitin e kaluar atje është mbajtur një referendum në Banjallukë. Pastaj, në këto javët e fundit ka pasur tensionim të raporteve në mes të Kroacisë dhe Serbisë, sikurse që ka qenë edhe ndërhyrja e ish-pjesëtarëve të policisë serbe në zgjedhjet e fundit në Mal të Zi. Po në këtë drejtim kanë qenë edhe deklaratat e fundit të ministrit të Jashtëm serb Daqiq në raport më Maqedoninë, se a duhet të njihet Maqedonia me emrin Republika e Maqedoni, apo me shkurtesën si ish-Republika Federative e Jugosllavisë. Pra, të gjitha këto flasin që Serbia jo vetëm ka dhe ka pasur një qasje agresive në raport me Kosovën, por edhe me rajonin. Për zhvillime të tilla natyrisht se unë kam reflektuar me kolegët e mi para se të paraqitet muri, të arrestohej Haradinaj, apo para se të paraqitet treni me motive nacionaliste.

Kosovo hofft nun auf UN-MitgliedschaftKosovos Außenminister: "Serbien muss noch mehr machen"„Serbien muss sich endlich entscheiden“ Enver Hoxhaj, der Außenminister des Kosovo, über„Serbien muss sich endlich entscheiden“ Enver Hoxhaj, der Außenminister des Kosovo, über die Verhandlungen zwischen Pristina und Belgrad.