Na ndiqni në:

Hoxhaj: Njohja nga Serbia njëri nga parakushtet për normalizim të marrëdhënieve

Prishtinë, 27 Gusht 2012 – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë për agjencinë e specializuar për informacione rreth politikave të BE-së, EurActiv, ka deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, nënkupton, që Serbia të pranoj realitetin e Kosovës së pavarur, që Serbia të shoh Kosovën si partner, si shtet fqinjë, ku të dy shtetet si cak të përbashkët të kenë integrimin në Bashkimin Evropian.

Gjatë intervistës, Ministri Hoxhaj ka deklaruar se parakusht për këtë është që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës, akt ky që do të përfundonte konfliktin ndërmjet dy shteteve.

Dialogu me Serbinë


Rreth dialogut të mundshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Ministri Hoxhaj ka thënë se nuk mund të ketë dialog, pa implementimin e marrëveshjeve që janë arritur në dialogun teknik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë në Bruksel.

“Sipas pikëpamjes sonë duhet të ketë dy nivele të dialogut. Së pari duhet të ketë një dialog, i cili për qëllim do të kishte integrimin e katër komunave të veriut, që do të thotë implementimi i planit të Ahtisaarit dhe integrimi në strukturat e Republikës së Kosovës. Që kjo të ndodh, duhet të shpërbëhen strukturat e sigurisë, policisë dhe grupeve paramilitare të shtetit serb në atë pjesë”, tha Hoxhaj, duke shtuar se parakusht për këtë është që Serbia të njoh pavarësinë e Kosovës, akt ky që do të përfundonte konfliktin ndërmjet dy shteteve.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj pret nga Brukseli që të bëjë më shumë presion ndaj Beogradit për implementimin e marrëveshjeve nga dialogu teknik, të arritura në Bruksel.

Situata në veri

Ministri Hoxhaj ka thënë për EurActiv se për Kosovën është shumë me rëndësi që të stabilizojë gjendjen në katër komunat në veri të Kosovës, duke theksuar se ushtarët e KFOR-it janë duke dhënë një kontribut shumë të çmuar në këtë drejtim.

“Ne jemi shumë të interesuar që të integrojmë këtë pjesë të Kosovës përmes një dialogu të brendshëm me përfaqësuesit serb në veri. Ne do të bëjmë atë që kemi bërë në pesë vjetët e  fundit në pjesën tjetër të Kosovës me komunitetin serb. Ne duhet të implementojmë Planin e Ahtisaarit, një plan që Kosovën e ka shndërruar në shtet demokratik dhe multietnik. Sot Kosova është një shtet i pavarur, një shtet stabil”, tha Hoxhaj për EurActiv.

Ai theksoi se është koha që këto katër komuna në veri të Kosovës të integrohen, ngase në vitet e fundit qytetarët atje nuk kanë pas mundësi në marrin pjesë në institucione demokratike e as në zgjedhje.

“Atje nuk ka as sundim të ligjit, por ne besojmë se dialogu që do të fillojë në vjeshtë do të ndryshojë gjendjen atje”, tha Hoxhaj.

Qeveria e re në Serbi

Rreth zhvillimeve të fundit në Serbi, Ministri Hoxhaj ka thënë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur.

“Qeveria e re në Serbi personifikon një të kaluar shumë të rëndë. Një Qeveri me personalitete të tilla, pa dyshim që është një kthim prapa, 13 vjet pas përfundimit të regjimit të Millosheviqit. Por kjo është zgjedhja e popullit serb. Ne do nuk do të masim Qeverinë e Serbisë me fjali të një retorike moderne, por vetëm me veprime”, tha Hoxhaj, duke ritheksuar se Republika e Kosovës është e interesuar që të fillojmë një proces të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, pas një periudhe shumë të rëndë që kanë kaluar qytetarët e Kosovës.

Procesi i njohjeve të Kosovës

Lidhur me pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Ministri Hoxhaj ka thënë se ato nuk përbëjnë ndonjë bllok kundër pavarësisë së Kosovës.

“Procesi i njohjeve është i pakthyeshëm. Njohja e Kosovës ka një gjeografi globale. Çdo muaj ka shtete që marrin vendime pozitive për të njohur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që thotë se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, asnjë shtet nuk ka asnjë arsye as politike e as legale që të shtyjë vendimin për të njohur pavarësinë e Kosovës”, tha Hoxhaj, duke bërë të ditur se me të pesë këto shtete Kosova ka një bashkëpunim shumë të mirë dhe se ato e kanë mbështetur Kosovën në rrugën e saj evropiane.

Gjermania, partner shumë i rëndësishëm i Kosovës

Ministri i Jashtëm i Kosovës gjatë intervistës ka vlerësuar se Gjermania është një partner shumë i rëndësishëm i Kosovës dhe të gjitha shteteve të Ballkanit perëndimor.

“Gjermania ka bërë shumë në ndërtimin e institucioneve, bazën ekonomike, në modernizimin e shoqërisë në Kosovë. Ne jemi shumë mirënjohës për këta hapa dhe iniciativa politike, që zonja Kancelare Merkel dhe Ministri i Jashtëm Westerwelle i kanë ndërmarrë për Kosovën dhe shtetet tjera të Ballkanit. Përveç marrëdhënieve shumë të mira mes Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, Berlini është shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe integrimet evropiane të Kosovës. Berlini për ne është një adresë shumë e rëndësishme”, tha Hoxhaj.

Përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë

Gjatë intervistës, Ministri Hoxhaj ka folur për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Ai ka bërë të ditur se në shtator do të organizohet një konferencë për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe se në të do të marrin pjesë përfaqësues të 25 shteteve, të cilat në pesë vjetët e fundit kanë ndihmuar Kosovën në mënyrë masive, që të implementohet plani i Ahtisaarit dhe që të ndërtohet një shtet nga themelet.

“Ne do të mundohemi t’i tregojmë botës që në Kosovë në pesë vjetët e fundit janë bërë përparime shumë të mëdha dhe që Kosova është një shtet evropian, dhe integrimet evropiane janë agjenda e vetme e saj”, tha Ministri Hoxhaj për EurActiv.

Kosovos Außenminister: "Serbien muss noch mehr machen"Intervistë e ministrit Enver Hoxhaj për “Epokën e re”Enver Hoxhaj: EU muss sich stärker in der Ukraine engagierenDie Verantwortung liegt bei Belgrad