Na ndiqni në:

Fuqizimi i sovranitetit, prioritet i dorës së parë

Kemi informata të sigurta se kanë marrë vendim që ta njohin Republikën e Kosovës dhe është çështje ditësh publikimi i vendimeve të tilla.

Për ne përmbyllja e njohjes së plotë të Kosovës dhe fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar paraqesin prioritet të dorës së parë. Kështu ka thënë ministri i Punëve të Jashtme te Republikës së Kosoves, Enver Hoxhaj. Ai në këtë intervistë ka folur edhe rreth aktivitetit te tij lobues në shumë vende, të cilat ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, për hartimin e strategjisë e cila ka për qëllim arritjen e njohjes së plotë ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, për çështjen e veriut, për gjendjen e shqiptarëve në shtetet e tjera ballkanike si dhe për shumë çështje të tjera aktuale në vend.

Illyria: Zoti Hoxhaj, Kosova ka pasur dy njohje me shumë rëndësi për rritjen e përfaqësimit të saj ndërkombëtar, e fundit nga Çadi ose shteti i 91-të që e njeh shtetin e ri. Cilat janë pritshmëritë, kur kujtojmë se ju keni paralajmëruar edhe 3 njohje të tjera?

Hoxhaj: Kam takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Çadit me 2 maj të këtij viti dhe ai më ka premtuar që njohja e Kosovës është çështje javës dhe me 1 Qershor të këtij viti Çadi bëri publik njohjen e Republikës së Kosovës. Po ashtu gjatë këtij viti ka pasur edhe disa shtete që e kanë njohur Republikën e Kosovës.
Ka pas një vendosmëri, dinamikë dhe është investuar shumë energji që ta rrisim numrin e njohjeve për Kosovën e pavarur. Republika e Kosovës ka nevojë për njohje të plotë të saj nga gjitha shtetet anëtare të OKB-së. Për ne përmbyllja e njohjes së plotë të Kosovës dhe fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar paraqesin prioritet të dorës së parë.
Vetëm këtë vit, unë kam qenë në vende të ndryshme të Amerikës Latine, ku kam vizituar disa shtete të kësaj pjese të botës dhe ku në janar të këtij viti Haiti e njohu Kosovën gjatë vizitës time atje.
Mirëpo në hemisferën perëndimore të botës kam qenë edhe dy herë të tjera dhe vizita ime e fundit ka ndodhë në qershor. Po ashtu kam vizituar dy herë Azinë dhe Lindjen e Mesme, ku përveç Tajlandës kam qëndruar edhe në disa vende të kësaj pjese.
Në gjysmën e dytë të qershorit do të kemi takime bilaterale edhe me disa shtete të Azisë juglindore të cilat janë të gatshme të njohin Kosovën. Kam takuar disa ministra të vendeve të Afrikës veriore dhe të shteteve tjera të Afrikës, qoftë në Nju Jork, Paris dhe vende tjera.
Ajo se çfarë mund të them është që do te ketë disa vende për të cilat ne kemi informata të sigurta se kanë marrë vendim që ta njohin Republikën e Kosovës dhe është çështje ditësh publikimi i vendimeve të tilla.
Ne kemi një agjendë shumë të detajuar sa i përket lobimit për njohje dhe është një numër i madhe i shteteve që kemi vizituar apo edhe takime me Ministra të Punëve te Jashtme të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën.
Mirëpo mjerisht shumë nga këto takime zyrtare nuk mund të bëhen publike dhe mbesin në konfidencë, meqë për ne është më e rëndësishme të marrim një njohje se sa të prodhojmë një lajm në Media.


Illyria: Në bisedën e që patëm bashkë në Tiranë, thatë që do të punohet me një strategji të re për njohjet. A mund të dimë më tepër mbi detajet dhe rrugën që do të ndiqet? Ju dolët mjaft mirë në debatin e fundit në OKB.

Hoxhaj: Vitin e kaluar, pas një pune intensive disamujore, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës së bashku me disa ekspertë ndërkombëtarë bëri një strategji për arritjen e njohjes së plotë ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
Qëllimi i kësaj strategjie është integrimi i plotë dhe brenda një periudhe optimale i Kosovës në bashkësinë ë vendeve të lira. Kjo duhet të ndodhë përmes kompletimit të procesit të njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës si dhe fuqizimit të mëtejme të pozitës ndërkombëtare si prioritet i lartë shtetëror.
Kjo strategji ndahet ne tri pjesë: në pjesën e përgjithshme identifikon pengesat dhe sfidat kryesore që janë konstatuar deri me tani në procesin e lobimit për njohje ndërkombëtare të shtetit tonë si dhe ofron orientime të përgjithshme që janë ndjekur nga institucionet shtetërore në ketë proces.
Pjesa e dytë është pjesa operacionale që përmban qëndrimet dhe argumentet e Republikës së Kosovës në raport me vendet që nuk e kanë njohur vendin tonë.
Kjo përmban një analizë të hollësishme të qëndrimeve ndaj pavarësisë së Kosovës nga të gjitha shtetet veç e veç.
Strategjia përmban informacione shumë të besueshme dhe objektive, ku në mënyrë të hollësishme e dimë qëndrimin e çdo vendi për pavarësinë e Kosovës, arsyet themelore pse një vend nuk e ka njohur Kosovën, motivet politike dhe ideologjike të liderëve të atij vendi si dhe orientimet e opinionit publik të një vendit karshi Kosovës.
Në bazë të kësaj, vendet janë të kategorizuar në pesë grupe: shtetet që kanë njohur Kosovën, shtetet që kanë dhënë shenja pozitive drejt njohjes, shtetet që nuk e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, shtetet që kanë qëndrim neutral ndaj Kosovës dhe shtetet të cilat e kundërshtojnë fuqishëm pavarësinë e Kosovës.
Ndërsa, pjesa e tretë e strategjisë është një plan i përgjithshëm i veprimit konkret, e cila për institucione dhe akterë të tjerë shërben si udhërrëfyes me përshkrimin e hapave konkret  që duhet të ndërmerren drejt lobimit.
Kjo Strategji ka dhënë rezultate dhe pa të nuk do t’i kishim njohjet që kanë ndodhur në vitin 2011 dhe këtë vit.
Po ashtu dua të përmendi për herë të parë që nga momenti që është hartuar strategjia në një takim të mbajtur në Luksemburg me drejtoret politik të vendeve të SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, ky dokument i është ofruar këtyre shteteve dhe në bazë të këtij dokumenti deri më tash ka pasur koordinim të plotë mes Prishtinës dhe këtyre qendrave botërore sa i takon përmbylljes së njohjes së plotë të Kosovës.
Sa i takon sesioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-se për Kosovën, dua te them se politika e jashtme e Kosovës edhe në një forum të tille të lartë ndërkombëtarë duhet të pasqyron qëllimet, orientimet dhe agjendat e asaj se çfarë ndodhe brenda Kosovës.
Dhe në çdo takim të Këshillit të Sigurimit me një vendosmëri të madhe ofroj qëndrimet e shtetit të Kosovës dhe të qytetareve dhe opinionit publik për zhvillimet e caktuar politike.
Kuptohet që këtu duhet ta kemi parasysh ofrimin e argumenteve në një formë dhe qasje të tillë, të cilat janë logjike dhe bindëse për komunitetin ndërkombëtar. 

Illyria: Duhet të ndalemi që në fillim për Veriun e Kosovës. Gjendja është problematike për shkak të sjelljes së keqe të vazhdueshme të Serbisë. Çfarë do të ndodhë më tej?

Hoxhaj:
Sa i takon situatës në tri komunat veriore të Kosovës ka qenë vendosmëria e Qeverisë së Republikës së Kosovës që popullata serbe të integrohet në jetën tonë politike, ekonomike dhe sociale, sikurse ka ndodhe integrimi i shumice se komunitetit serb që jeton në Kosovë.
Kosova është e ndërtuar në tri parime themelore: demokracia, multietniciteti dhe sekularizmi. Elita politike e Kosovës dhe qytetarët kanë qenë të vendosur në ndërtimin e një Kosove shume-etnike, ku sot komuniteti serb si rezultat i jetësimit pothuajse mbi 95% të pakos se Ahtisaarit është integruar në nivelin qendrorë dhe lokal në të gjitha institucionet e Kosovës.
Mirëpo mendoj se situata në veri të vendit, ku edhe pas 13 vjetëve pas çlirimit të Kosovës dhe 5 viteve të pavarësisë, ka qenë nën ndikimin e grupeve kriminale dhe strukturave ilegale të policisë, forcave të sigurisë dhe formacioneve paramilitare të Serbisë.
Padyshim se të gjitha qeveritë e Kosovës të pasluftës kanë mund të bëjnë më shumë për përmirësimin e situatës në veri të vendit, por mendoj që përgjegjësia kryesore është te bashkësia ndërkombëtar.
Bashkësia ndërkombëtare e pranishme në Kosovë dhe qendra të rëndësishme vendimmarrëse nuk kanë bërë presion të domosdoshëm dhe sistematik mbi Serbinë për zhbërjen e këtyre strukturave nga tri komunat veriore të Kosovës. Mendoj se është koha e fundit që kjo të ndodhë.
Në të gjitha takimet me zyrtarë më të fuqishëm shtetëror të politikës ndërkombëtare, unë kam bërë përpjekje tu bëjë të qartë se Serbia nuk ka një qëndrim, por dy qëndrime paralele që ndjekë ndaj komunitetit serb në Kosovë dhe Kosovës në tërësi.
Qëndrimi i parë ishte se Serbia në çdo formë ka penguar jetësimin e pakos së Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës në tri komunat e veriut, duke ndërmarrë të gjitha masat për të pamundësuar shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në veri të vendit.
Prandaj edhe integrimi i popullatës serbe në veri në institucionet e Kosovës ka qenë një proces i vështirë dhe kompleks.
Qëndrimi i dyte i Serbisë ka qenë që në heshtje nuk e ka penguar integrimin e shumicës së serbëve në jug të lumit Ibër në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.
Prandaj edhe mendoj se bashkësia ndërkombëtare është dashur të bëjë më shumë presion me të gjitha mjetet dhe të gjitha nivelet karshi Serbisë për zhbërjen e strukturave të saj ilegale politike, formacioneve të policisë dhe të grupeve kriminale në veri.
Situate në këtë pjesë të Kosovës, në asnjë mënyrë nuk duhet te shihet si konflikt mes Qeverisë se Kosovës dhe qytetareve në veri të vendit.
Ajo çfarë ndodh në veri nuk është një fenomen që paraqitet për herë të parë vetëm në Kosovë, meqë përpjekje për të ushtruar kontroll mbi pjesë të një vendi ta pavarur nga Serbia, ne kemi parë në Kroaci dhe Bosnje në vitet e 90-ta përpjekje këto që kanë dështuar.
Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të dërguar policinë dhe doganieret kufitare në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në korrik të vitit të kaluar si dhe hapja e zyrës administrative në pjesën verior të qytetit të Mitrovicës janë hapa vendimtare, të cilët në mënyrë kualitative do ta ndryshojnë situatën drejt integrimit të veriut të Kosovës në një Kosovë shumetnike.
Por, duhet me shumë vendosmëri dhe pjekuri shtetërore se si të fitohet besimi  në mendje dhe zemrat e qytetarëve të veriut të Kosovës që këta të jenë pjesë e shtetit tonë shumetnik, sikurse pjesa shumice e komunitetit serb brenda Kosovës.

Illyria: Çfarë përbën për Kosovën dhe shqiptarët etnikë në trojet e tyre në të gjithë Ballkanin fitorja e Tomislav Nikoliçit si president në Serbi? A duhet vërtetë të besojmë se serbët ndryshojnë kur flitet për Kosovën apo ëndrrën e tyre të përjetshme të Serbisë së Madhe?

Hoxhaj: Ky ka qenë një vendim i vetë qytetarëve të Serbisë se kush do të jetë president i tyre. Që nga tetori i vitit 2000, kur Millosheviqi u largua nga pushteti e deri në maj të vitit 2012, rreth 12 vitesh partia demokratike e ish-kryeministrit serb Gjingjiq dhe ish-presidentit Boris Tadic ka dominuar jetën politike, duke krijuar një përshtypje se Serbia po demokratizohet dhe po bën reforma në rrugën e saj për integrim evropian.
Rezultati zgjedhor i majit të këtij viti, zgjedhja e Nikoliqit për president të Serbisë,  fuqizimi i partive konservatore që ishin dikur aleatë të Millosheviqit gjatë luftërave në ish Jugosllavi si dhe vetë partisë se ish-diktatorit Millosheviq janë një tregues që në Serbi zgjedhjet e majit 2012 kanë sjellë një ndryshim.
Mirëpo shumëkush nuk pranon që këtë ndryshim ta përshkruaj me emrin e vërtet: rikthim i së kaluarës dhe nacionalizimit radikal në jetën politike të Serbisë.
Kushdo që nuk i beson një vlerësimit të tillë, duhet vetëm të bëj një llogari të shpejt për ulëset që zënë në parlamentin serb, parti me një mendim dhe veprim shumë nacionalist në jetën politike serbe.
Kjo tregon se çdo gjë që është propaganduar për 12 vite që Serbia po ndryshon ka qenë vetëm ndryshimi në sipërfaqen e saj dhe substanca e kulturës politike institucionale dhe publike serbe mjerisht ka mbete ajo që ka qenë dikur.
Sidoqoftë ne do të vlerësojmë dhe gjykojmë sjelljen politike serbe në bazë të veprimeve dhe sjelljeve të tyre në të ardhmen dhe jo në bazë të së kaluarës së tyre, e cila përmban padyshim një trashëgimi të rëndë.
Lajmet e para që vijnë nga jeta politike serbe pas zgjedhjeve politike atje nuk janë edhe shumë premtuese.
Mohimi i gjenocidit në Srebrenicë, se Vukovari na qenka një qytet serb dhe qëndrimi që Serbia nuk do të njeh Kosovës, edhe nëse i rrezikohet e ardhmja evropiane, të gjitha këto janë elemente të një politike të së kaluarës, e cila atëbotë solli shumë dhunë, luftëra dhe dhimbje.
Mirëpo, relacioni i Kosovës me Serbinë nuk duhet të shihet nga perspektiva se kush e drejton Serbinë, meqë mendoj se nuk ka ndonjë dallim të madh mes presidentit aktual dhe presidentit të kaluar sa i takon qëndrimit të tyre për Kosovën.
Qasja e Serbisë ndaj Kosovës duhet të kuptohet në rrafshin konceptual dhe këtu problem kryesor ka qenë dhe mbetet tendenca hegjemoniste e politikës serbe karshi gjitha vendeve te rajonit, duke përfshirë edhe Kosovën.
Është koha e fundit që Serbia ta kuptojë që ka humbë në rrafshin ushtarak, politik dhe diplomatik sa i takon Kosovës dhe vendeve tjera të ish Jugosllavisë.
Fati politik i Kosovës nuk varët nga ajo se kush udhëheqë me Serbinë dhe Kosova paraqet sot një fakt gjeopolitik në Ballkan, pavarësia e saj është një realitet i pakthyeshëm dhe shteti i Kosovës është faktor paqeje, sigurie dhe stabiliteti i rajonit.

Illyria: Keni komente për deklaratën e ambasadorit rus në Serbi për të mos lejuar kinse \"krijimin e Shqipërisë së Madhe\"? E ka kërkuar ndokush këtë?

Hoxhaj: Nga përvoja ime politike dhe sidomos pas emërimit tim si ministër i Punëve të Jashtëm i Republikës së Kosovës, kam kuptuar disa herë në mënyre sistematike që shtetet që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës çdoherë bëjnë përpjekje t’u mveshin elitës politike në Kosovë, në Shqipëri apo edhe në Maqedoni se gjeja ata përpiqen ta jetësojnë idenë e Shqipërisë së madhe.
Ajo se çfarë ka thënë ambasadori rus në Beograd është vetëm një reflektim i një elementi të propagandës diplomatike të disa shteteve kundër pavarësisë së Kosovës dhe një Shqipërie të fuqishme evropiane.
Deklarata të tilla, për gjeja idenë e Shqipërisë së madhe synojnë të paraqesin shqiptarët në rajon si faktor destabilizues për paqen, sigurinë e tërë Ballkanit perëndimor, gjë që nuk është e vërtetë.
As sot e as në dy dekadat e fundit, forca serioze politike në Tiranë, Prishtinë apo Shkup dhe kudo tjetër që ka shqiptarë në Ballkan, nuk kishin synim strategjik dhe politik e një ideje të tillë. Kështu që nuk mendoj se kësaj duhet t’i kushtohet vëmendje.

Illyria: Kosova arriti një pikë të rëndësishme në dialogun me Serbinë, përkatësisht mundësinë e pjesëmarrjes me fusnotë në takimet rajonale. Shumë zëra opozitarë ose jo, nuk e kanë mirëpritur këtë marrëveshje. A mendoni Ju se fusnota ishte vërtetë zgjidhja më e mirë?

Hoxhaj: Në një dialog teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë janë mbajtur 9 runde të takimeve dhe janë arritur disa marrëveshje teknike që synojnë të përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve në të dy vendet.
Nga fillimi dialogu ka qenë teknik dhe se rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të shtatorit të vitit 2010 që i fton të dy palët për dialog nën fasilitimin e BE-së e bën të qartë që një dialog i tillë është teknik dhe s’ka të bëjë me statusin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Mendoj se në dialog janë arritur dy marrëveshje të rëndësishme që duhet të kuptohen dhe interpretohen në mënyrë të drejtë:
Marrëveshja për bashkëpunim dhe përfaqësim rajonal ia mundëson Kosovës që ajo të merr pjesë, të flet, të nënshkruaj dhe të anëtarësohet në emrin e saj si shtet partner i barabartë me të gjitha shtetet në organizata, institucione dhe forume rajonale evropiane.
Kjo marrëveshje është një marrëveshje bilaterale legale ndërshtetërore me të cilën Serbia e pranon realitetin legal dhe faktik të shtetit të Kosovës.
Po ashtu edhe marrëveshja sa i takon menaxhimit të integruar të kufijve është një model evropian i rregullimit të  kufijve ndërshtetërorë. Edhe kjo është marrëveshje bilaterale dhe pranim i kufirit shtetëror i Kosovës nga ana e Serbisë.
Jam i vetëdijshëm që ka pas debate dhe mendime të ndryshme sa i përket këtyre marrëveshjeve.  Por, një gjë duhet ta kemi parasysh që Kosova ka bërë progres të madh, përmes mbështetjes të partnerëve të saj euroatlantik, të cilët edhe në dialogun teknik mes Kosovës dhe Serbisë janë garantues të këtyre marrëveshjeve.

Illyria: Në disa takime rajonale pas marrëveshjes, Serbia nuk e respektoi fusnotën. A dëshmojnë këto që Beogradi ende mbetet problematik? Po ekipi negociator, ndryshon?

Hoxhaj: Mendoj se mosrespektimi i marrëveshjes nga ana e Serbisë nuk duhet të jetë habi për asnjë njeri që përcjell zhvillimet politike në rajon në këto 20 vitet e fundit.
Qasja e politikes serbe karshi Kosovës në procesin e zhbërjes së ish-Jugosllavisë dhe rolit të bashkësisë ndërkombëtare mund të përshkruhet me një fjali të thjeshtë, Serbia në të shumtën e rasteve nuk ka pranuar marrëveshje të dala si në produkt i ndonjë ndërmjetësimi ndërkombëtar.
Ose nëse i ka pranuar në disa raste të pakta, atëherë ka ndërmarrë të gjitha masat që të pengojë implementimin e tyre.
Me lejoni t’i përmendi disa shembuj: Serbia ka pranuar edhe marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por nga qershori i vitit 1999 e deri në dhjetor të 2007 ka ndërmarrë çdo gjë që ta pengojë jetësimin e tyre dhe të minojë funksionimin e tyre në terren.
Ne procesin ndërkombëtar për përcaktimin e statusit final të Kosovës 2005-2007 Serbia ka marrë pjesë në këtë proces negociator, duke mos pranuar rezultatin final përfundimtar të saj siç ka qenë propozimi gjithëpërfshirës i ish presidentit/ të dërguarit special Ahtisaari.
Nuk mendoj se do të ketë ndryshim të ekipit negociator, por kjo është çështje që i takon Kryeministrit.

Illyria: Serbia thirret vazhdimisht në rezolutën 1244 të KS të OKB-së.Por, ndonëse rezoluta nuk lejon asnjë autoritet të Serbisë në Kosovë, Beogradi për të 13-in vit me radhë, shpalli zgjedhje në territorin e Kosovës, sot shtet i pavarur dhe sovran. Përveçse kjo është qasje e gabuar dhe lirisht e natyrës së sjelljes së Serbisë, a dëshmon edhe se Beogradi shfrytëzoi marrëveshjen për fusnotën për statusin “kandidat” për në BE, duke pasur ndër mend të vepronte pa asnjë ndryshim?

Hoxhaj: Sa i takon zgjedhjeve, mendoj se pas 13 vitesh, Serbia në vitin 2012 hoqi dorë përfundimisht për të organizuar zgjedhje brenda territorit te Republikës së Kosovës.
Kishte një marrëveshje mes OSBE-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës me qëllim që t’ju ofrohet mundësia qytetarëve të Kosovës së komunitetit serb që kanë shtetësi të dyfishtë që ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, sikurse parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Duhet të përmend faktin se interesimi i qytetarëve të Kosovës për të votuar në këto zgjedhje ka qenë i vogël nëse krahasojmë pjesëmarrjen e tyre me zgjedhjet parlamentare të Kosovës 2010.
Ndërsa sa i takon, dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshjeve të arritura, pajtohem me ju plotësisht që qëllimi i Serbisë ka qenë vetëm të arrijë disa marrëveshje në letër me Kosovën ndërsa te mos i jetësojë ato në realitet.
Do të thotë dialogu është shfrytëzuar nga ana e saj vetëm si instrument për të mbledhur merita gjeja se Serbia po bashkëpunon me Kosovën dhe po sillet si evropiane karshi Kosovës me qëllim që ta marrë statusin e vendit kandidat.
Unë kam thënë në të gjitha forumet ndërkombëtare që marrëveshjet në letër janë të pavlerë nëse nuk jetësohen në terren, gjë që nuk po ndodh.
Këtu mbi të gjitha e kam fjalën për marrëveshjen sa i përket bashkëpunimit rajonal si dhe asaj të menaxhimit të integruar të kufijve, për të cilat ende nuk janë jetësuar.
Mirëpo, me formimin e qeverisë së re në Serbi, BE dhe SHBA si garantues të këtyre marrëveshjeve do të duhet të ushtrojnë presion mbi Qeverinë e Serbisë me qëllim të jetësimit të marrëveshjeve.

Illyria: Rezoluta 1244 është ndërtuar mbi një territor që nuk njihej nga rezoluta 777 e KS të OKB-së të 19 shtatorit 1992 dhe saktësonte se shteti me emrin Jugosllavi nuk ekzistonte më. OKB asokohe nuk njohu Jugosllavinë e Sllobodan Millosheviçit me Momir Bullatoviçin e Malit të Zi. Diplomati i ndjerë Riçard Hollbruk në janar 2001, shprehej se rezoluta 1244 është lënë qëllimisht e paqartë. Nëse është kështu, përse thirremi ende te 1244-a?

Hoxhaj: Kur është fjala tek Rezoluta 1244 dhe efektet e saj për Kosovën, mendoj se interpretimi më drejt dhe profesional është ai i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Ky ishte një vendim i qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plote me të drejtën ndërkombëtare dhe po ashtu një akt i tillë i shprehjes së vullnetit të popullit të Kosovës ka ndodhur në përputhje me Rezolutën 1244.
Sipas Gjykatës, ligjshmëria e pavarësisë sonë është në kuadër të drejtës ndërkombëtare të kësaj Rezolute. Prandaj, asnjë shtet nuk ka ndonjë arsyeje legale që ta shtyjë  vendimin për të njoh pavarësinë e Kosovës.
Qëllimi kryesor i Rezolutës 1244 ka qenë që të ofrojë kornizën institucionale dhe legale për përcaktimin e statusit final të Kosovës gjë që në një proces ndërkombëtar të udhëhequr nga ish presidenti finlandez, Martti Ahtisaari dhe pas një procesi negociatorë është ofruar një zgjidhje përfundimtare në formën e pavarësisë së Kosovës.
Në rrafshin praktik do të thotë se strukturat politike, institucionale, legale, fiskale e shumë të tjera të Kosovës së pavarur janë krijuar nën administrimin ndërkombëtar të Kosovës.
Kjo situatë së bashku me luftën e Kosovës për çlirim, diskriminimin disavjeçar të Millosheviqit, gjenocidin mbi qytetarë të Kosovës dhe intervenimin humanitar të Nato-së e bëjnë rastin e Kosovës si një rast të veçantë në rrugën e tij të shtetformimit. 

Illyria: Cili ka qenë roli Juaj si diplomaci e Kosovës, e Shqipërisë dhe komunitetit shqiptaro-amerikan për këtë vizitë dhe në tërësi për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane?

Hoxhaj: Marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë marrëdhënie të shenjta dhe për ne është partneri më strategjik si vend i pavarur.
Kjo marrëdhënie e shenjtë do të jetë e tillë në përjetësi. Vizita e Kryeministrit Thaçi në SHBA, takimet e tija me zëvendëspresidentin Biden dhe me Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton janë fuqizim dhe thellim i këtyre marrëdhënieve të shenjta me SHBA.
Por ne jemi të interesuar që përkundër marrëdhenieve të shkëlqyera diplomatike të kemi edhe bashkëpunim të shkëlqyeshëm ekonomik, arsimor mes dy vendeve tona, duke forcuar lidhjet ton atë bashkëpunimit dhe duke thelluar miqësinë tonë.
Prandaj, krahas temave të cilat kanë të bëjnë me konsolidimin e brendshëm të shtetësisë së Kosovës me fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj si dhe integrimit të komunave në veri në Kosovë si tërësi në kemi biseduar edhe për projekte konkrete sa i takon bashkëpunimit ekonomik, arsimor dhe kulturor.
Në botën, të cilën në jetojmë është vendimtare që përveç lidhjeve të mirëfillta institucionale dhe shtetërore të ketë edhe lidhje të fuqishme njerëzore në mes të popujve dhe shoqërive tona.
Kur është fjala te politika e jashtme dua të them që përveç orientimit tone të vendosur euro-atlantik ne kemi koordinim të plotë me Ambasadën e SHBA-ve në Prishtine, Departamentin e Shtetit dhe shumë institucione tjera në Amerikë.
Padyshim që me krijimin e këtyre lidhjeve historike, diplomatike miqësore, komuniteti shqiptaro-amerikan ka pas një rol vendimtar dhe liria, pavarësia e Kosovës nuk mund të paramendohet pa rolin ndërkombëtar të SHBA-ve dhe të shqiptarëve që jetojnë në Amerikë.
Ndërsa, në Shqipëri kemi harmonizim të qëndrimeve për interesat tonë strategjik në rajon dhe me gjerë dhe diplomacia e Shqipërisë kishte dhe ka një rol shumë të rëndësishëm në shtetësinë e Kosovës.

Illyria: Kryeministri Hashim Thaçi deklaroi qartë dhe prerë në Kuvend, se nëse do të cenohen kufijtë e Kosovës, apo të zbritet te pretendimet për ndryshim kufijsh, shqiptarët lirisht mund të jetojnë në një shtet. Një ministër i Jashtëm padyshim që nuk mbart përgjegjësinë e deklaratave të kryeministrit, por a mund të na thoni nëse keni pasur pyetje nga ndërkombëtarët mbi këtë temë dhe çfarë përgjigje u keni dhënë për qëndrimin tonë si komb me synim integrimin?

Hoxhaj: Mesazhi që ka dhënë Kryeministri Thaçi përmes deklaratës së tij është se çdo ide për lëvizje të kufijve apo për shkëmbim të territoreve mund të ketë efekte zinxhirorë në shumë shtete të Ballkanit, pasi të gjitha këto shtete janë vende shumetnike dhe përbëhen nga zona territoriale që banohen nga grupe të ndryshme etnike.
Kuptohet që deklarata e tij ka qenë reagim dhe ide të hedhura disa herë në jetën politike serbe për ndarjen e Kosovës nga politikanë serbë, ide të cilat janë shumë të rrezikshme për tërë rajonin, meqë do të prodhonin situate skajshmërisht të dhunshme, destabilitet dhe pasiguri për paqe në rajon.
Kryeministri Thaçi dhe të gjithë bartësit e institucioneve janë shprehur në mënyrë shumë të qartë kundër opsioneve të tilla, meqë për ne kufijtë në Ballkan janë të palëvizshëm, ndërsa idetë për krijimin e shteteve homogjene i takojnë të së kaluarës.

Illyria: Zhvillimet raciste kundër shqiptarëve në shtetin maqedonas, nga Shqipëria është theksuar se nuk cenojnë marrëdhëniet mes të dy vendeve. Ndërsa, në Prishtinë, u godit ambasada maqedonase. Nëse më lejoni të di, nëse aktet raciste, vrasjet, dhuna, diskriminimi nuk cenojnë marrëdhëniet ndërshtetërore, çfarë tjetër mund ta bëjë këtë? Në tërësi cilat janë marrëdhëniet me Shqipërinë?

Hoxhaj: Sa i takon pozitës së shqiptarëve ne Maqedoni, mendoj që në krahasim me pozitën që kanë pas në të kaluarën ka një përmirësim të mirëfilltë të pozitës së tyre politike, ekonomike dhe kulturor në institucionet shtetërore.
Sido që të jetë, qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës është që shteti maqedonas duhet të bëjë edhe më shumë në implementimin e marrëveshjes së Ohrit dhe përfaqësues politik të maqedonasve dhe shqiptarëve duhet të jenë më të përkushtuar në këtë drejtim.
Sulmi mbi Ambasadën maqedonase në Prishtinë ka qenë një akt i shëmtuar dhe është kundër interesit shtetërorë të Republikës së Kosovës dhe marrëdhënieve të mira që kemi me Maqedoninë si shtete fqinje.
Policia është duke hetuar rastin, përderisa unë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me Ministrin e Jashtëm maqedonas në ditën kur ka ndodhur akti.
Marrëdhëniet me Shqipërinë janë të shkëlqyera, të dy ministritë tona gjegjëse kanë koordinim të plotë në baza ditore dhe kështu koordinojmë bashkëpunimin institucional ne mes të sektorëve dhe institucioneve gjegjëse të dy vendeve tona.
Ky bashkëpunim deri me tani ka funksionuar në bazë të vullnetit të fortë politik, ndërsa objektivi i Ministrisë se Punëve të Jashtme është që ta institucionalizojë përmes marrëveshjeve bilaterale dhe bashkëpunimit konkret në shumë fushave të jetës.

Illyria: Shqiptarët në Kosovën Lindore, Luginë të Preshevës, dukshëm janë pa thuajse asnjë të drejtë të ngjashme që e kanë serbët në Kosovë. A i kërkon Kosova, që Shqipëria të ndërhyjë për territor të saj etnik të mbetur nën zotërimin sllav që me krijimin e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe vazhdimit të Jugosllavisë deri në zhbërjen e saj?

Hoxhaj: Shqiptarët në luginën e Preshevës paraqesin aktualisht grupin etnik më të diskriminuar në Ballkan, meqë mënyra se si trajtohen nga politika e Beogradit ngritë shqetësime jo vetëm në Kosovës, por dhe në qendra tjera politike në botë.
Kjo pozitë diskriminuese e shqiptarëve për ne në Kosovë është e papranueshme dhe unë kam ngritur këtë çështje në të gjitha takimet zyrtare që kam pasur me faktorët relevant vendimmarrës. Mendoj se shteti i Kosovës i rrethuar me popullatë shqiptare përreth duhet të ketë për mision përmirësimin e vazhdueshëm të jetës politike, ekonomike dhe promovimin e identitetit nacional të shqiptarëve kudo që jetojnë jashtë Kosovës dhe jashtë Shqipërisë.
 

Visiting Kosovo foreign minister says Ignatieff writings influenced him Die Verantwortung liegt bei Belgrad„Serbien muss sich endlich entscheiden“ Enver Hoxhaj, der Außenminister des Kosovo, über die Verhandlungen zwischen Pristina und Belgrad. „Die Mehrheit will eine Normalisierung“