Na ndiqni në:

Intervistë me ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj - LAJM

Kosova brenda pak ditësh do të njihet edhe nga tri shtete. Këtë lajm e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, në një intervistë për Gazetën “Lajm”. Duke u përgjigjur rreth kritikave të kolegut të tij të partisë, Fatmir Limaj, rreth orientimit të gabuar të politikës së jashtme, vetëm në njohje, ministri Hoxhaj e ka mohuar këtë, duke thënë se absolutisht nuk është e vërtetë që politika e jashtme e Kosovës është orientuar vetëm në njohje. Kur ka folur për PDK-në, Hoxhaj ka thënë se ajo duhet pasuruar me kuadro dhe njerëz të rinj. Ndërsa, kryeministri Thaçi, sipas Hoxhajt, është lideri politik me profil politikani, që kalon kufijtë e Kosovës. Hoxhaj thotë se në asnjë formë nuk e ka synim kreun e PDK-së

Politika e jashtme është prioritet i Kosovës, por ajo nuk ndryshon shpejt, jo vetëm në Kosovë, por në asnjë vend të botës. Kosova sipas ministrit Enver Hoxhaj, është duke bërë një politikë të jashtme shumë aktive, jo vetëm në njohje, edhe pse njohjet e reja janë prioritet për të. Hoxhaj në një intervistë për “Lajm”, ka bërë të ditur se brenda pak ditësh, Kosovën do ta njohin edhe tri shtete të reja dhe, sipas tij, ky vendim tanimë është marrë.
Ai flet edhe për zgjedhjet brenda PDK-së, ku thotë se personalisht nuk e ka për synim kreun e partisë, por shprehet se PDK-ja duhet të vazhdojë të freskohet me kuadro të rinj. Për kreun e PDK-së, kryeministrin Hashim Thaçi, Hoxhaj thotë se është një lider dhe profil përtej Kosovës i politikanit, dhe se lidershipi i tij e ka fuqizuar PDK-në. Ndërsa, aderimin e Kadri Veselit në PDK, e vlerëson si lajm të mirë, që e fuqizon PDK-në, e edhe Kosovën. Ndërsa, për vendimin e Qeverisë për aplikimin e vizave për disa shtete, Hoxhaj thotë se nuk do të ketë asnjë ndikim te njohjet e reja.

“Lajm”: Z. Hoxhaj, së fundi Qeveria ka marrë një vendim për aplikimin e vizave për një numër shtetesh të botës, cili do të jetë ndikimi i këtij vendimi në proceset integruese, por edhe në njohjet?
 
Hoxhaj: Ne si Ministri e Punëve të Jashtme gjatë vitit të kaluar kemi marrë një vendim dhe në bazë të këtij vendimi kemi bërë një studim shumë të detajuar për atë se në kuadër të proceseve integruese të liberalizimit të vizave se çfarë kriteresh duhet të përdorim për shtete që do të përdorim regjim të vizave, si shtet i ri. Ky është një standard evropian që kanë aplikuar edhe vendet tjera të rajonit në rrugën e integrimit. Dhe në bazë të debateve të shumta që kemi pasur, kemi marrë një vendim që nga janari i vitit të ardhshëm, për një grup shtetesh jashtëevropiane të aplikohet regjimi i vizave, ku mendojmë që duhet ta rrisim kapacitetin e ambasadave tona në Ankara, në Riad apo edhe në ndonjë vend strategjik, ku qytetarët do të mund të marrin viza.
 
“Lajm”: Në mesin e këtyre vendeve janë edhe Kina dhe Rusia, çfarë kriteresh janë marrë për bazë që për këto të dyja të aplikohet regjimi i vizave?
 
Hoxhaj: Zakonisht kriteret që ne i kemi marrë janë kritere që i përdorin edhe vendet e tjera natare të BE-së, dhe janë kritere që burojnë nga BE-ja. Pra nuk është që ato burojnë nga ne dhe janë vetëm për Kosovën. Por ato vende që dëshirojnë të hyjnë në zonën e Schengenit duhet të aplikojnë standarde të njëjta. Ne mendojmë që e kemi mirëkuptimin e atyre shteteve dhe unë nuk mendoj që vendosja e regjimit të vizave mund të ketë pasoja qoftë në njohje, marrëdhënie diplomatike bashkëpunim në ekonomi, sepse njerëzit që janë të interesuar të vijnë të investojnë në Kosovë, do ta bëjnë një gjë të tillë.
 
“Lajm”: Ministër, përveç kësaj, MPJ-ja së fundi ka marrë kritika për mospunë?
 
Hoxhaj: Për ne, nga fillimi ka qenë prioritet ta përfaqësojmë, promovojmë dhe mbrojmë interesin e Kosovës. Dhe promovimi, përforcimi i interesit tonë shtetëror formohet përmes subjektivitetit ndërkombëtar, përmes forcimit tonë jashtë. Njohjet, anëtarësimi në organizata ekonomike, financiare, kulturore, sportive, është kyçe që Kosova të bëhet shtet që i takon komunitetit të shteteve të lira dhe sovrane. Por, kyçe është t’i promovojmë edhe interesat tona ekonomike dhe janë organizuar disa konferenca ndërkombëtare për investitorët e huaj në Kosovë.
Kemi pasur një konferencë në Paris, Berlin dhe në Romë, dhe gjatë muajit qershor do të kemi edhe në Hungari një konferencë të tillë. Po ashtu në SHBA, në gjirin e golfit, që janë shumë të pasur, për të sjell investitorë.
 
“Lajm”: Nga këto konferenca, keni parë shenja që mund të ketë investime në Kosovë dhe në cilat fusha?
 
Hoxhaj: Konferenca e investimeve në Berlin dhe Paris ka qenë një sukses i plotë dhe roli i MPJ-së është si shërbim i jashtëm, që t’i mbështetë sektorët tjerë. Sipas informatave që kam nga kolegët e mi, në Qeveri ka një numër të interesuarish që të investojnë në Kosovë pas këtyre konferencave. Dhe sigurisht pjesa me kryesore është ajo se çka pas këtyre konferencave, kështu që ne po bëjmë përpjekje maksimale që t’i ndërlidhim sektorët me sekretet gjegjëse.
 
“Lajm”: Ju keni një plan strategjik për politikën e jashtme, që do të jetë afatgjatë, cili është orientimi i këtij dokumenti?
 
Hoxhaj: Në javën e ardhshme fillojmë një proces të qartësimit të parimeve tona të politikave të jashtme. Mjerisht Kosova gjatë këtyre viteve nuk ka arritur ta ketë një dokument të plotë të tillë. Me mbështetjen e USAID-it ne kemi arritur ta kemi një draft të parë se, cili do të jetë orientimi i politikës së jashtme të Kosovës, cilët do të jenë partnerët tanë strategjikë, BE-ja, SHBA-ja, cilat do të jenë objektivat e politikës së jashtme, në çfarë formash do të ketë lidhje bilaterale me shtete të veçanta, qoftë anëtare të BE-së, qoftë jashtë saj, partneritet politik, por edhe ekonomik, kulturor, sportiv e të tjera. Ky dokument do të diskutohet nga të gjithë, akterët dhe në momentin që merr formën finale, ne si ministri me Presidencën, Qeverinë, Kuvendin, komisionin për punë të jashtme, ministrinë e FSK-së, shoqërinë civile, do t’ia japim formën finale.
 
“Lajm”: Për sa do të përfundohet ku dokument?
 

Hoxhaj: Ne jemi të interesuar që një pjesë e madhe e debatit të përfundojë gjatë verës dhe pas përfundimit të tij të miratohet në Qeveri. Por duhet të jetë një dokument konsensual i të gjithë akterëve në Kosovë. Është një dukuri që çdo shtet në fillim të tij harton një dokument të tillë, i cili është edhe afatshkurtër edhe afatgjatë, por edhe çdo qeveri vjen me një koncept tjetër për politikë të jashtme.
 
“Lajm”: Meqë përmendet që duhet të jetë konsensual, cili është bashkëpunimi me komisionin për punë të jashtme që udhëhiqet nga Albin Kurti?
 
Hoxhaj: Mendoj që Qeveria e Kosovës, Presidenca, kanë rolin e tyre, Parlamenti e ka rolin e tij, kështu që kemi pasur një koordinim dhe bashkëpunim në kuadër të llogaridhënies. Unë jam ftuar në disa dëgjime publike dhe kam shkuar vazhdimisht, ku kam informuar për të gjitha pyetjet që janë shtruar nga komisioni. Mendoj që secili në bazë të punës, funksionit dhe misionit të institucionit, e kemi kryer punën që na takon.
 
“Lajm”: Sa po e kryen punën komisioni?
 
Hoxhaj: Nuk është e imja që ta vlerësoj, por ne kemi bashkëpunim me të gjitha institucionet, partitë. Por ekzekutivi ka prioritetet e veta, unë e jetësoj Kushtetutën, programin e Presidencës, meqë ajo udhëheq politikën e jashtme, edhe programin e Qeverisë, do të thotë këtë programin e politikave ditore e jetësoj.
 
“Lajm”: Z. Hoxhaj, keni marrë kritika të drejtpërdrejta për punë joefikase nga deputeti i PDK-së, Fatmir Limaj, si i vlerësoni ato?

Hoxhaj: Unë nuk e kam parë intervistën e z. Limaj, dhe nuk i di aksentët kryesore të kritikës së tij. Kuptohet se në politikë të jashtme mund të bëhet dhe punohet edhe më mirë, por një gjë u kam premtuar qytetarëve të Kosovës që do të punoj 15 orë në ditë, që t’i shtyjë prioritetet që ka Kosova. Prioritetet e politikës së jashtme nuk ndryshojnë shpejt, asnjë vend në botë s’e bën këtë, shkojnë ngadalë.
Deri më tash ka pasur një vendosmëri, një përkushtim, që të gjitha objektivat tona t’i jetësojmë. Mendoj që në numrin e njohjeve që kemi marrë në agjendën evropiane, ia kemi arritur. Unë vetëm vitin e kaluar kam pasur 34 vizita, dhe e gjitha kjo ka ngjarë që t’i shtyjmë përpara.
 
“Lajm”: Pikërisht ministër, kritika e Limajt ka qenë se MPJ-ja është fokusuar vetëm në njohje, derisa as ato s’i kemi në numër të bollshëm?
 
Hoxhaj: Absolutisht nuk jemi fokusuar vetëm në njohje. Megjithatë, Kosova ka njohje nga çdo cep i botës, dhe them që është çështje ditësh kur do të vijnë tri njohje, të cilat kanë marrë vendim ta njohin Kosovën. Unë kam thënë në fillim të vitit që janë pesë, por dy vetëm na kanë njohur, e do të ndodhin edhe disa njohje tjera. Por krahas kësaj, marrim edhe punë tjera, e kemi shtyrë në mënyrë intensive integrimin evropian, liberalizimin e vizave.
Dhe, për këtë kam pasur shumë vizita për ta shtyrë këtë çështje përpara. Përpos kësaj, kemi pasur edhe vizita bilaterale, kemi lansuar mbi 70 marrëveshje të reja që duhen nënshkruar, janë nënshkruar 14 marrëveshje nga fundi i vitit të kaluar deri tash. Marrëveshjet bilaterale rregullojnë marrëdhëniet nga politika deri të kultura. Kemi prezantuar Kosovën në të gjitha forumet ndërkombëtare, qoftë unë apo ministrat tjerë. Kemi organizuar konferenca në Prishtinë dhe kurrë nuk ka pasur dinamikë në këtë drejtim. Është përmendur çështja e investimeve, e thash janë organizuar konferenca ekonomike.
 
“Lajm”: Ministër, keni organizuar, por cilat janë rezultatet?
 
Hoxhaj: Jo, absolutisht jo, nëse ju bisedoni me ministren Kusari-Lila, ministrin Beqaj, ata e dinë për sektorët tjerë ku ka rezultate, ku shumë privatizime ndodhin në Kosovë, pasi ndodhin tërheqjet e investitorëve.
 
“Lajm”: E përmendet çështjen e liberalizimit, integrimit, a mund të pengohet ky proces me dialogun që po zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë, aktualisht i ngrirë?
 
Hoxhaj: Mendoj që liberalizimi i vizave është një çështje shumë e rëndësishme edhe politike edhe humane për qytetarët. Ne jemi privuar nga një e drejtë e tillë që e kanë mbi 50 milionë qytetarë të Ballkanit që udhëtojnë pa viza në Evropë. Mendoj që udhërrëfyesi është çështje javësh dhe është bërë një punë e madhe nga ministrja e integrimeve, ambasadat që sa më shpejt ta marrim atë. Janë përmbushur shumë kritere, që kanë të bëjnë me riatdhesimin, menaxhimin e integruar të kufirit.
 
“Lajm”: Është pikërisht kjo marrëveshje, menaxhimi i integruar i kufirit, që nuk po zbatohet?
 

Hoxhaj: Është fjala për një pjesë të kufirit tonë, jo për pjesë të tjera, padyshim me problematikja. Moszbatimi i marrëveshjeve është ngritur dhe qëndrimi im ka qenë se marrëveshjet në letër nëse nuk zbatohen në praktikë, nuk kanë kurrfarë vlere dhe çdo marrëveshje është e mirë kur të fillojë të zbatohet. Dhe i gjithë presioni i ka qenë që marrëveshjet të jetësohen dhe një pjesë janë jetësuar, ndërsa një pjesë nuk janë jetësuar. Arsyet pse deri më tash nuk janë nënshkruar marrëveshje për menaxhimin e integruar të kufirit, është se një pjesë e elitës politike serbe edhe më tutje mundohet ta shtyjë opsionin e ndarjes së Kosovës, por pas vendimit të Qeverisë më 25 korrik, ky opsion nuk ka kurrfarë fuqie, por që edhe më tutje e zvarritin nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjeve dhe besoj që ato të implementojnë marrëveshjet, dhe ky është një kusht i joni për vazhdimin e dialogut.
 
“Lajm”: Z. Hoxhaj, këtë vit do të mbahen edhe zgjedhjet e brendshme në PDK, jeni nënkryetar, si e shihni ju këtë proces?
 
Hoxhaj: Mendoj që PDK-ja është një parti shumë profesionale qytetare, e konsoliduar. Ende nuk është marrë ndonjë vendim se kur do të mbahet procesi i zgjedhjeve të brendshme. Por kuptohet se me përputhje me statusin dhe programin, do të organizohen zgjedhjet e saj të brendshme. Deri më tash nuk ka pasur një debat të tillë, kurdo që merret një vendim, nëndegët, degët do ta bartin një proces në formë demokratike.
 
“Lajm”: Pse po zvarritet caktimi i datës së këtyre zgjedhjeve, ka ndonjë hezitim?
 
Hoxhaj: Absolutisht jo, PDK-ja është edhe në pushtet përveç që ka punë partiake, nëse keni parasysh agjendën e kryetarit të partisë, njëherësh kryeministër, dhe agjendën e bartësve të institucioneve të tjera, që kanë poste në parti, por në një kohë të caktuar do të mbahen zgjedhjet dhe do të sjellin ndryshime të domosdoshme për PDK-në.
 
“Lajm”: Çka duhet të ndryshojë sipas juve?
 
Hoxhaj: Mendoj që kjo, është një pyetje që nuk mund të ketë përgjigje prej një njeriu. Mendoj që ajo se çfarë është kyçe, është se nëndegët tona duhet që sa më shumë të rinj të përfaqësohen në PDK. Përkundër që lidershipi në PDK, është i ri, ne në PDK çka jemi mbi dyzetë vjeç, nuk jemi më të rinj.
Duhet të vijnë të rinj, të ketë përfaqësim më të madh gjinor, por këto duhet të ndodhin në nivel të nëndegëve, degëve, dhe nivelin qendror. Por, duhet të bëhet përpjekje që të sillen njerëz të rinj. Por partia nuk e përfshin betimin e një elite politike, por edhe profesionale, që mendojnë tema të ndryshme, qoftë ekonomik, të zhvillimit teknologjik, por PDK-ja duhet të ndryshohet aq sa ka nevojë të ndryshohet, dhe aq sa ka nevojë Kosova për PDK-në, që kjo të ndryshohet. Njerëzit që udhëheqin PDK-në kanë bartur një kohë të gjatë aspiratën e lirisë, tash është e lirë, kanë bartur aspiratën e shtetësisë dhe tash Kosova është shtet dhe tash kemi aspiratën e integrimit. Dhe, në krahasim me shtetet tjera në një proces të tillë, Kosova është mbrapa, do të thotë tek këtë vit me Studimin e Fizibilitetit, kemi filluar ta kemi një shpejtësi në integrim, pasi deri më tash nuk kemi pasur aspak shpejtësi.
 
“Lajm”: Ministër, mund të jeni ju një nga kandidatët për kreun e PDK-së?
 

Hoxhaj: Absolutisht jo, nuk kam as ambicie, as motive, as interesa të tilla. Unë jam pjesë e lidershipit të PDK-së. Mendoj që është një parti që fuqishëm bartë shpresë, optimizëm, dhe mundohem ta jap kontributin personal në këtë, por nuk kam ambicie as interesa të tilla.
Në asnjë rrethanë, nuk është pjesë e vizionit tim individual maja e PDK-së.
 
“Lajm”: Do ta përkrahni kreun aktual edhe për një mandat në krye të PDK-së?
 
Hoxhaj: Mendoj që është herët se kush do të jetë kandidat dhe kush do të përkrahet. Thaçi është një lider dhe profil përtej Kosovës i politikanit dhe padyshim se lidershipi i tij e ka fuqizuar PDK-në. Dinamika e tij e veprimit dhe e mendimit politik dhe ne jemi një parti stabile.
Ardhja e Kadri Veselit në PDK është një lajm i mirë, i fuqishëm edhe për PDK-në edhe për Kosovën, por këto janë tema që duhet t’i bisedoni me Thaçin dhe Veselin.
Por mendoj që është herët që të flitet për këto, pasi ende s’ka filluar debati dhe koha për t’u mbajtur zgjedhjet e brendshme.
 
“Lajm”: Cili ka qenë roli i Pacollit në çështjen e lobimit?
 
Hoxhaj: Me lejoni të them që Pacolli ka dhënë një kontribut në procesin e njohjeve dhe ne kemi pasur dhe kemi një koordinim sa u përket njohjeve me Pacollin.
Por unë dua të them që kam koordinim edhe me shtete mike që na ndihmojnë në këtë proces. Nganjëherë është krijuar përshtypja që ka shumë njerëz që merren me politikë të jashtme, kjo nuk është një përzierje kompetencash.
 
“Lajm”: Megjithatë, ka pasur konkurrencë se kush po sjell njohje e kush jo?
 
Hoxhaj: Meritor për atë që Kosova pranohet nga një shtet, vendos marrëdhënie diplomatike, mbi të gjitha janë qytetarët, është vetë Kosova. Nuk mund ta paramendoni se çfarë asocimi pozitiv kanë shumë ministra të vendeve të tjera, vetëm me vullnetin tonë dhe sakrificën tonë para 13 vjetëve - 20 vjetëve, ku pamjet e mediave perëndimore kanë përcjell mesazhe të një populli të vuajtur, të vendosur, që lufton për të drejtat e tij.
Kur unë filloj ta bind një ministër apo kryeministër apo president, për të na njohur Kosovën, menjëherë i dalin pamjet e vuajtjeve të popullit tonë. Dhe meritor për këto nuk mund të jenë individët, por ajo se çka kërkohet nga të gjithë ne, është që ne ta japim maksimumin. Qëllimi im është që Kosova ta ketë një politikë të jashtme më të gjallë, më aktive, në krahasim me kapacitetet tona ushtarake, popullore, dhe ajo çka është politikë e jashtme, është reflektim i pozitës së brendshme.
 
“Lajm”: Por, kemi parë edhe konferenca që janë organizuar për t’ia lënë meritat vetes se unë e solla njohjen?
 
Hoxhaj: Unë, çfarë mund të them nga ana ime si ministër i Jashtëm, njohjet janë një objektivë, por jo vetëm ato.
Merita i takon çdo qytetari që dikur e ka parë shtetin e Kosovës vetëm si ëndërr. Unë nuk flas për meritat vetëm kur të vijnë zgjedhjet. Por, meritat nga qytetari janë meritat më të mira.

(Gazeta Lajm, 28 maj 2012)

"Serben haben Kosovo als Realität akzeptiert"Visiting Kosovo foreign minister says Ignatieff writings influenced him „Serbien muss sich endlich entscheiden“ Enver Hoxhaj, der Außenminister des Kosovo, über die Verhandlungen zwischen Pristina und Belgrad. Kosovo hofft nun auf UN-Mitgliedschaft