Na ndiqni në:

Ka lëvizje për njohje të reja

- Ka lëvizje pozitive edhe nga pesë vendet e Bashkimit Evropian

- E konfirmon: Kryeministri Thaçi së shpejti në vizitë zyrtare në SHBA

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, pas një lobimi njëjavësh në kontinentin e Amerikës Latine, ka thënë se janë në radhë disa vende për ta njohur pavarësinë e Kosovës. “Kam marr konfirmime zyrtare se në ditët e ardhshme do të kemi njohje të reja”, ka thënë Hoxhaj, i cili ka treguar se ka lëvizje të qëndrimit pozitiv edhe nga pesë vendet e Bashkimit Evropian. Ai ka thënë se gjatë këtij viti Republikën e Kosovës do ta njohin më shumë se gjysma e shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara

Prishtinë, 23 mars - Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se në ditët e ardhshme disa vende do të marrin vendim pozitiv për njohjen e Republikë së Kosovës. “Kam marr konfirmime zyrtare se në ditët e ardhshme do të kemi njohje të reja”, ka thënë në një intervistë për “Epokën e re”, Hoxhaj, pas kthimit nga kontinenti i Amerikës Latine.

Ai ka thënë se ka lëvizje të qëndrimeve edhe nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ministri Hoxhaj ka thënë se për MPJ-në është prioritet i dorës së parë përmbyllja e procesit të njohjes së plotë të Kosovës, integrimi i saj në bashkësinë e kombeve dhe të shteteve të lira e sovrane. Në këtë kontekst, ai ka deklaruar se gjeografia e njohjes do të jetë e pandalshme. “Mund t’ju them se gjatë këtij viti Republikën e Kosovës do ta njohin më shumë se gjysma e shteteve anëtareve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Hoxhaj, duke paralajmëruar për javën e ardhshme edhe një vizitë te dy vende të Bashkimit Evropian.

Hoxhaj ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme do të dalë edhe me një strategji të re në çastin kur do të arrihet numri i nevojshëm i njohjeve.

Kryediplomati Hoxhaj ka konfirmuar se shumë shpejt kryeministri Thaçi do të ketë një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Unë jam shumë i sigurt se në një të ardhme të shpejtë do të ndodhë edhe vizita e kryeministrit Thaçi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është shprehur Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj ka folur edhe për dy marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, Serbia me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve ka konfirmuar sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, këto ditë keni vizituar disa vende të Amerikës Latine. Si po ecën lobimi për njohje të reja? Ka lëvizje?

Hoxhaj: Gjatë këtyre ditëve kam qëndruar për vizitë në disa vende të Amerikës Latine dhe kam pasur mundësinë të takohem me disa ministra të punëve të jashtme të këtyre vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Mund t’ju them se ka qenë një lobim intensiv në këtë pjesë të botës dhe nëpërmjet këtyre vizitave zyrtare e këtyre takimeve kam pasur mundësinë t’i informoj për procesin e shtetndërtimit të suksesshëm të Kosovës, për konsolidimin e shtetësisë së saj të jashtëm si dhe për rrugën e saj evropiane. Të gjitha këto zhvillime pozitive që kanë ndodhur brenda territorit të Kosovës, po ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, flasin për atë se gjatë ditëve të ardhshme do të ketë disa vende të cilat do të marrin vendim pozitiv për ta njohur Republikën e Kosovës. Kam marr konfirmime zyrtare se në ditët e ardhshme do të kemi njohje të reja.
 
“Epoka e re”: Mund të themi se këtë vit diplomacia e shtetit të Kosovës do të jetë shumë më aktive dhe më e fuqishme?

Hoxhaj: Në përputhje me strategjinë për përmbylljen e plotë të Republikës së Kosovës dhe për fuqizimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar gjatë këtij fillimviti kemi pasur mundësinë t’i vizitojmë rreth 20 shtete të cilat nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Kemi qenë aktivë në pjesë të ndryshme të botës. Prandaj, edhe më tutje përmbyllja e procesit të njohjes së plotë të Kosovës, integrimi i saj në bashkësinë e kombeve dhe të shteteve të lira e sovrane është prioritet i dorës së parë për Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Gjatë këtij viti Ministria e Punëve të Jashtme do të ketë fokus lobues edhe në rajone të tjera. Në bazë të planit të MPJ-së, ne e dimë se cilat shtete janë afër marrjes së vendimit për ta njohur Republikën e Kosovës. E dimë se cilat shtete kanë qëndrim pozitiv për ta njohur Republikën e Kosovës. Gjithashtu, kemi njohuri se cilat shtete kanë qëndrim neutral ndaj pavarësisë së Kosovës, si dhe jemi të vetëdijshëm për ato shtete të cilat e kundërshtojnë haptas pavarësinë e Kosovës. Kështu që, në përputhje me këtë klasifikim të shteteve, me grupe të ndryshme dhe në përputhje me kontakte të drejtpërdrejta që kam pasur me disa ministra të Punëve të Jashtme të vendeve të ndryshme të botës, pres që këtë vit Kosova të njihet nga disa shtete relevante.  Në këtë kontekst, gjeografia e njohjes do të jetë globale dhe procesi i njohjeve do të jetë i pandalshëm.

“Epoka e re”: Besoni se do tejkalohet mbi 100 numri i njohjeve gjatë këtij viti?
Hoxhaj: E dini se asnjëherë nuk jam deklaruar për procesin e njohjes në kuptimin e numrave. Por, një gjë mund t’jua them, se gjatë këtij viti Republikën e Kosovës do ta njohin më shumë se gjysma e shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo do ta fuqizojë shtetësinë tonë të jashtme, në të njëjtën kohë do të jetë edhe një fazë e re e zhvillimit të politikës sonë të jashtme. Në çastin kur ne do të arrijmë një numër dhe një masë kritike të njohjeve, Ministria e Punëve të Jashtme do të dalë edhe me një strategji të re, me të cilën do ta adresojmë Kosovën qoftë në nivelin multilateral, qoftë edhe në atë bilateral.

“Epoka e re”: Ka lëvizje të qëndrimeve nga pesë vendet e BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës?

Hoxhaj: Kryeministri Thaçi ka pasur një vizitë në Bruksel para disa javësh. Gjatë kësaj vizite është takuar me presidentin e Këshillit Evropian dhe me baroneshën Ashton, e cila është përgjegjëse për politikën e jashtme. Gjithashtu, edhe unë kam pasur mundësinë që gjatë atyre ditëve t’i takoj 14 ministra të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Në mesin e këtyre ministrave ka pasur të tillë të cilët ende nuk e kanë njohur Kosovën. Po ashtu, kam pasur edhe një vizitë në Strasburg, ku kam takuar deputetë të pesë vendeve anëtare EE-së, pra pesëshes, e cila ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Mund t’ju konfirmoj se ka mbështetje të plotë edhe të pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për rrugën evropiane të Kosovës, pra që Kosova ta nënshkruajë marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, pasi të përmbyllet procesi i bërjes së një studimi të fizibilitetit. Këto deklarime janë bërë publike nga ministrat e punëve të jashtme të këtyre vendeve si dhe nga personalitete të tjera.

“Epoka e re”: Keni studiuar problemin e mosnjohjes nga këto pesë vende të BE-së?

Hoxhaj:
Kuptohet që ne si Ministri e Punëve të Jashtme kemi një dokument të veçantë, i cili analizon arsyet, rrethanat politike dhe motivet pse këto vende nuk e kanë njohur deri më tani Republikën e Kosovës. E dimë se arsyet janë të politikës së brendshme dhe jo të politikës së jashtme. Mirëpo, gjatë tërë kohës kemi insistuar pranë këtyre vendeve që ta marrin një vendim pozitiv për Kosovën. Kontaktet tona kanë qenë edhe në nivel të dy qeverive, të parlamenteve të Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe në nivel të individëve të tjerë të cilët janë relevantë dhe vendimmarrës me këto shtete.

“Epoka e re”: Keni marrë ndonjë konfirmim zyrtar se kryeministri Thaçi në muajt e ardhshëm do të ketë një vizitë në SHBA?

Hoxhaj: Kryeministri Thaçi është një lider jo vetëm i nivelit të Republikës së Kosovës, por është edhe një lider i fuqishëm evropian. Prandaj, dyert për kryeministrin Thaçi janë të hapura edhe në Uashington edhe në Bruksel. Kryeministri Thaçi është një adresë e fuqishme e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës. Unë jam shumë i sigurt se në një të ardhme të shpejtë do të ndodhë edhe vizita e kryeministrit Thaçi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Epoka e re”: Ju personalisht do të keni agjendë tjetër lobuese?

Hoxhaj: Në javën tjetër do të jem shumë aktiv në vizita në vende të ndryshme dhe do të nënshkruaj disa marrëveshje me disa vende të BE-së. E ardhmja politike e Kosovës është një e ardhme evropiane, prandaj një pjesë e madhe e fokusit tonë, përveç njohjeve, është edhe në fuqizimin e lidhjeve ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe vendeve anëtare të BE-së. Përpos që do të fokusohemi në promovimin e politikës së jashtme, në fuqizimin e relacioneve politike dhe diplomatike, do të angazhohemi edhe në drejtimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar, kulturor dhe arsimor.
Ministria e Punëve të Jashtme ka një plan të punës i cili parasheh që për sektorë të ndryshëm të jetës të nënshkruhen marrëveshje në mes të Kosovës dhe vendeve gjegjëse. Kështu që, javën e ardhshme do t’i vizitoj edhe dy vende anëtare të Bashkimit Evropian.

“Epoka e re”: Si duket, marrëveshjet e fundit në Bruksel i kanë hapur rrugë evropiane Kosovës?

Hoxhaj: Marrëveshjet të cilat janë arritur në Bruksel, ajo për prezantimin e përfaqësimit dhe pjesëmarrjen rajonale, i mundësojnë Republikës së Kosovës të flasë në emrin e saj, ta përfaqësojë veten si dhe të ketë autoritet të nënshkrimit të marrëveshjeve multilaterale, i mundësojnë Kosovës ta ushtrojë sovranitetin e saj të jashtëm. Po ashtu, edhe marrëveshja për integrimin e menaxhuar të kufirit, jo vetëm brendapërbrenda BE-së, jo vetëm në Bruksel, por edhe te vendet e tjera shihet legale dhe ndërshtetërore në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Serbia me nënshkrimin e këtyre dy marrëveshjeve e ka njohur sovranitetin e brendshëm të Republikës së Kosovës. Kur një shtet e pranon kufirin e një shteti dhe vendos se si ta menaxhojë atë kufi nëpërmjet konceptit evropian, sikurse që është koncepti i menaxhimit të integruar të kufijve, do të thotë se e njeh sovranitetin e brendshëm të një shteti. Pra, Serbia realisht ka bërë një konfirmim të dy niveleve të sovranitetit. Prandaj, këto marrëveshje nuk janë pengesë për fuqizimin e mëtutjeshëm të shtetësisë së Kosovës, qoftë për zhvillimin e brendshëm të kësaj shtetësie, qoftë për konsolidimin e saj në rrafshin ndërkombëtar.

(“Epokën e re”)

Visiting Kosovo foreign minister says Ignatieff writings influenced him "Belgrad muss Souveränität des Kosovo akzeptieren"Intervistë e ministrit Enver Hoxhaj për “Epokën e re”Kosovos Außenminister: "Serbien muss noch mehr machen"