Na ndiqni në:

NJOHJET S'NDALEN

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se me arritjen e marrëveshjes në Bruksel për përfaqësimin rajonal Kosova po lëviz drejt forcimit të shtetësisë së saj ne Ballkan, por edhe brenda Bashkimit Evropian. Hoxhaj ka deklaruar se vetëm vendet që janë shtete sovrane, të pavarura, të barabarta kanë mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjes së stabilizim asocimit, e cila, sipas tij, pritet të ndodhë shume shpejt. Kryediplomati Hoxhaj ka paralajmëruar se gjatë muajit mars Kosovës do t'i vijnë edhe disa njohje të reja. "Jam shumë i sigurt se gjatë këtij viti më shumë se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së do ta njohin Republikën e Kosovës", është shprehur Hoxhaj

Flet për "Epokën e re", Enver Hoxhaj

- Marrëveshja e fuqizon shtetësinë e Kosovës
- Gjatë këtij viti më shumë se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së do ta njohin Kosovën


Pak orë para se të udhëtojë për një vizitë zyrtare në Bruksel, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, të dielën në një intervistë për "Epokën e re" ka thënë se marrëveshja e arritur në Bruksel e fuqizon shtetësinë e Kosovës. Hoxhaj ka deklaruar se pas kësaj marrëveshje qëndrojnë partnerët strategjikë të Republikës së Kosovës, SHBA-ja, Anglia, Gjermania, Franca dhe Italia. "Të jeni shumë të sigurt se arritja e kësaj marrëveshje është forcim i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës", është shprehur Hoxhaj.

Kryediplomati kosovar ka thënë se Kosova tashmë po lëviz drejt forcimit të shtetësisë së saj edhe në rajonin e Ballkanit, por edhe brenda Bashkimit Evropian. "Vetëm vendet që janë shtete sovrane, të pavarura, të barabarta e kane mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjes së stabilizim-asocimit", është shprehur Hoxhaj. Ai ka paralajmëruar se gjatë muajit mars Kosovës do t'i vijnë edhe disa njohje të reja. "Jam shumë i sigurt se gjatë këtij viti më shumë se gjysma e shteteve anëtare te OKB-së do ta njohin Republikën e Kosovës. Do ta arrijmë numrin kritik vendimtar të njohjes së Kosovës", ka thënë Hoxhaj.

Po ashtu, ministri Hoxhaj ka hedhur poshtë çdo ide për ndryshim të kufijve. "Çështja e statusit final të Kosovës është zgjidhur nëpërmjet negociatave në Vjenë njëherë e përgjithmonë. Askush nuk duhet të ketë dilema për sa i përket shtetësisë së Kosovës, pavarësisë dhe sovranitetit të saj, qoftë sovranitetit të brendshëm apo edhe atij të jashtëm. Këto tema janë mbyllur njëherë e përgjithmonë", ka thënë Hoxhaj, i cili gjatë qëndrimit në Bruksel do të takohet edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Belgjikës.

"Epoka e re":
Z. Hoxhaj, marrëveshja e arritur në Bruksel, a mund të konsiderohet si humbje e shtetësisë së Kosovës?

Hoxhaj: Assesi nuk bën të përdorim përceptime të tilla. Marrëveshja që është arritur javën e kaluar dhe mbështetja e partnereve tanë strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve kyçe të Bashkimit Evropian në 20 vjetët e fundit, në periudha të rëndësishme të shtetformimit dhe shtetndërtimit, tregojnë qartë se po e fuqizojmë shtetësinë e Kosovës. Me arritjen e kësaj marrëveshje ne tani e tutje me një politikë shumë aktive synojmë edhe anëtarësimin në iniciativa dhe nisma rajonale si dhe në mekanizma evropiane.

"Epoka e re": Mirëpo opozita këtë marrëveshje po e quan një hap mbrapa, pasi nuk përmendet emri republikë.

Hoxhaj: Republika e Kosovës është një realitet gjeopolitik në Ballkan. Janë 88 shtete të cilat e kanë njohur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Marrëveshja e arritur është në përputhje të plotë me pavarësinë dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Përveç marrëveshjeve bilaterale që kemi pasur deri më tani, Kosova do të marrë pjesë edhe në rrafshin multilateral në institucione dhe forume, qofshin ato të rajonit apo të Evropës. Nëse i keni parë deklaratat e sekretares së SHBA-ve, Hillari Clinton, të ministrit të Punëve të Jashtme të Anglisë, atij të Gjermanisë, Francës, Italisë, Austrisë dhe shumë shteteve të tjera, shihet qarte se partneret strategjikë të Republikës së Kosovës qëndrojnë pas kësaj marrëveshje. Të jeni shumë të sigurt se arritja e kësaj marrëveshje është forcim i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

"Epoka e re": Marreveshja e arritur thuhet se do te jete e perkohshme. Sa mund te zgjase nje realitet i tille i per-faqesimit te Kosoves ne nismat rajonale?

Hoxhaj: Padyshim se është një marrëveshje e përkohshme, është një modalitet i përkohshëm. Nga fillimi është kuptuar drejt dialogu teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Në asnjëherë dialogun nuk e kemi kuptuar vetëm si një instrument për të zgjidhur çështje të natyrës teknike me Republikën e Serbie. Ne e kemi kuptuar edhe si një instrument që fuqizon shtetësinë e Kosovës karshi Bashkimit Evropian, për faktin se pesë vende ende nuk e kanë njohur pavarësinë. Kosova nuk ka pasur mundësi të këtë relacion kontraktual si shtet sovran dhe i pavarur në institucionet e Bashkimit Evropian. Është thënë qartë javën e kaluar, nga baronesha Ashton, por edhe nga komisionari Fyle, se Kosova, përveç liberalizmit të vizave në marrëdhënie tregtare dhe në formën e marrëdhënieve kontraktuale, ka bërë edhe një hap të fuqishëm përpara drejt bërjes se një studimi të fizibiltetit me qëllim qe të ketë marrëveshje të stabilizim-asocimit. Vetëm vendet që janë shtete sovrane, të pavarura dhe te barabarta, kanë mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjes së stabilizim-asocimit. Kosova po lëviz drejt forcimit të shtetësisë së saj edhe në rajonin e Ballkanit dhe brenda Bashkimit Evropian e më gjerë.

"Epoka e re": Kur pritet të ndodhe marrëveshja e stabilizim-asocimit?

Hoxhaj: Shpresoj se procesi i bërjes së një studimi të fizibiltetit është çështje e një kohe shumë të shkurt. Jam shumë i sigurt se Kosova duhet të shpërblehet me marrëveshjen e stabilizim-asocimit, që është korniza e vetme për integrimin evropian të një vendi. Po ashtu, është korniza e vetme që Bashkimi Evropian e trajton një vend të caktuar si shtet sovran dhe të pavarur, duke e respektuar integritetin e tij territorial. Kështu që, kjo marrëveshje realisht e ka fuqizuar shtetësinë e Kosovës edhe karshi vetë Bashkimit Evropian.

"Epoka e re": Si do të përfaqësohet Kosova në Këshillin e Sigurimit të OKB-se? Prapë nëpërmjet UNMIK-ut?!

Hoxhaj: Absolutisht jo. Kosova çdo herë në Këshill të Sigurimit është përfaqësuar nëpërmjet ministrit të Punëve të Jashtme, si në kohën sa ka qenë ministër Skënder Hyseni, si tash në kohën time. Pra, përfaqësimi është bërë si Republikë e Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran. Mirëpo, është një fakt se në ftesat i marrim me qëllim që të diskutojmë për raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. Kështu që, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës kudo që është e përfaqëson Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, assesi si UNMIK.

"Epoka e re": Sot (e diel) së bashku me ministren e Integrimeve, Vlora Çitakun, do të niseni për një vizitë dyditore në Bruksel. Cili është qëllimi i kësaj vizite?

Hoxhaj: Të hënën dhe të martën do të qëndroj në Bruksel. Do të kemi takime me disa ministra të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Qëllimi ynë' kryesor është ta shtyjmë përpara fuqishëm agjendën evropiane të Kosovës. Pra, do te insistojmë në mënyrë' masive sa i takon procesit të liberalizmit të vizave, mbajtjes së marrëdhënieve tregtare dhe, po ashtu fillimit, sa më të shpejte te procesit te stabilim-asocimit. Po ashtu, do të bisedojmë edhe për mbështetjen që kemi nga këto vende, që Kosova të anëtarësohet në forume dhe institucione rajonale evropiane. Gjithashtu, gjatë kësaj vizite do të kemi takime edhe me disa ministra të punëve të Jashtme te atyre vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, e të cilat janë vende anëtarë të BE-së.

"Epoka e re":
Z. Hoxhaj, sa mund ta pengojë rritjen e njohjeve pranimi i kësaj fusnote?

Hoxhaj: Paralajmëroj qysh tani se gjatë muajit mars Republika e Kosovës do të njihet edhe nga disa vende. Jam shumë i sigurt se procesi i njohjeve do të jetë i suksesshëm. Askush nuk mund ta ndalë rrjedhën e historisë, askush nuk mund ta ndalë shtetndërtimin e Republikës së Kosovës dhe fuqizimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Njohjet janë prioritet i politikes sonë të jashtme, mirëpo edhe anëtarësimi ynë në organizata dhe forume ndërkombëtare është një prioritet i dytë, krahas fuqizimit të marredhënieve bilaterale me shtete të caktuara.

Ne jemi duke punuar intensivisht që Republika e Kosovës gjatë këtij viti të arrijë një numër të madh të njohjeve. Jam shumë i sigurt se gjatë këtij viti më shume se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së do ta njohin Republikën e Kosovës. Do ta arrijmë numrin kritik vendimtar të njohjes së Kosovës.

"Epoka e re":
Me arritjen e kësaj marrëveshje janë ngjallur disa zëra brenda politikës së Kosovës, por edhe jashtë saj për ridefinimin e kufijve në Ballkan. Si e shihni këtë çështje?

Hoxhaj: Shtetet anëtare të OKB-se, shtetet qe na kanë ndihmuar ta fitojmë lirinë e Kosovës, pavarësinë dhe ta ruajmë integritetin territorial të Kosovës qëndrojnë dhe janë edhe më tutje mbështetëse të shtetit tonë, çështja e statusit final të Kosovës është zgjidhur nëpërmjet negociatave në Vjenë njëherë e përgjithmonë. Askush nuk duhet të këtë dilema për sa i përket shtetësisë së Kosovës, pavarësisë dhe sovranitetit të saj, qoftë të brendshëm apo të jashtëm. Këto tema janë mbyllur njëherë e përgjithmonë.

Visiting Kosovo foreign minister says Ignatieff writings influenced him Kosovo hofft nun auf UN-MitgliedschaftDie Verantwortung liegt bei BelgradIntervistë e ministrit Enver Hoxhaj për “Epokën e re”