Na ndiqni në:

Së shpejti 5 njohje

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar se në javët ardhshëm Kosovës pritet t’i vijnë edhe pesë njohje të reja. “Në javët e ardhshme janë pesë vende të cilat priten ta bëjnë publike njohjen e Kosovës”, është shprehur Hoxhaj, duke bërë me dije ndërkohë se MPJ-ja ka hartuar një plan të punës me qëllim të rritjes së numrit të njohjeve të Republikës së Kosovës. E derisa njohjet të vijnë, Hoxhaj javën e ardhshme do të udhëtojë për në Nju Jork, për të marrë pjesë në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit

Prishtinë, 3 shkurt - Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova në arenën ndërkombëtare dhe në bashkëpunimin rajonal do të përfaqësohet vetëm si republikë, ashtu siç e parasheh Kushtetuta.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Hoxhaj ka thënë se është e papranueshme heqja e emrit republikë, ashtu si po pretendon Serbia. “Njohja e Kosovës është një realitet politik dhe gjeografik. Pra, është një fakt i pakthyeshëm. Kosova në çdo paraqitje në arenën ndërkombëtare do të përfaqësohet me simbolet e saj shtetërore, me emrin republikë. Askush mos të frikësohet në këtë drejtim. Po punojmë për ta forcuar emrin republikë”, ka thënë Hoxhaj, i cili ka paralajmëruar se në javët dhe muajt e ardhshëm pritet ta njohin Republikën e Kosovës edhe pesë vende. “Në javët dhe muajt e ardhshme janë pesë vende të cilat priten ta bëjnë publike njohjen e Kosovës”, është shprehur Hoxhaj.
Ai ka folur edhe për procesin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Sipas tij, institucionet e vendit kanë marrë mbështetje të fuqishme nga Grupi Ndërkombëtar Drejtues, që gjatë vitit 2012 do të përfundojë mbikëqyrja e pavarësisë. Kurse, ka treguar se gjatë javës së ardhshme do të udhëtojë për në Nju Jork, për të marrë pjesë në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit.

“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, cilat janë prioritet e MPJ-së për këtë vit?

Hoxhaj: Gjatë këtij viti prioritet i parë është përmbyllja e procesit të njohjes së plotë të Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim kemi hartuar një plan të punës, në bazë të të cilit planifikojmë të jemi në çdo pjesë të botës, me qëllim që ta rrisim numrin e njohjeve të Republikës së Kosovës. Ka disa vende të cilat janë në procedurë të bërjes publike të vendimit të njohjes. Në javët e ardhshme janë pesë vende të cilat priten ta bëjnë publike njohjen e Kosovës.
Prioriteti ynë i dytë është anëtarësimi i Kosovës në organizata politike, financiare, ekonomike, tregtare, arsimore, kulturore dhe sportive. Gjatë këtij viti do të kemi një agjendë shumë dinamike. Do të aplikojmë në shumë organizata për anëtarësim. Në këtë kontekst, kemi plan konkret të punës, i dimë kriteret dhe standardet. Në të njëjtën kohë kemi zhvilluar biseda me partnerë të Republikës së Kosovës, që ta mbështesin Kosovën në procesin e anëtarësimit në këto organizata. Njohja dhe anëtarësimi realisht e plotësojnë tërësinë e bërjes së Kosovës si partner i plotë i bashkësisë së kombeve apo të shteteve në botë.
Prioriteti ynë i tretë do të jetë sjellja e sa më shumë investimeve në Republikën e Kosovës. Në këtë drejtim kemi hartuar edhe një strategji të re në kuadër të diplomacisë ekonomike, ku planifikojmë të kemi shumë konferenca të investitorëve apo forume ekonomike në disa vende të Evropës si në: Hungari, Gjermani, Francë, Slloveni, Kroaci dhe Maqedoni. Po ashtu, planifikojmë të kemi një konferencë të investimeve edhe në Japoni. Konferenca të tilla pritet të ndodhin edhe në shtetet e gjirit, në Arabinë Saudite, në Emirate, në Kuvajt dhe në Katar.
Një konferencë kemi planifikuar ta mbajmë edhe në Nju Jork apo në Uashington, me qëllim që edhe aty të promovohet ideja e investimeve në Kosovë. Njëri prej fokuseve tona si Ministri e Jashtme do të jetë jo vetëm fuqizimi i relacioneve tona bilaterale me shtetet anëtare të BE-së, mbi të gjitha edhe forcimi i relacioneve të Republikës së Kosovës me institucionet e BE-së. Liberalizmi i vizave dhe marrëdhëniet kontraktuale janë kyçe për ne.
Gjatë këtij viti do të bëjmë shumë punë të madhe që Kosova të anëtarësohet në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim. Krahas kësaj, mendojmë se do të jetë e domosdoshme që MPJ-ja së bashku me Ministrinë e Integrimeve dhe ministritë e tjera ta ushtrojnë presionin e nevojshëm që Kosova ta nënshkruajë marrëveshjen e stabilizim asocimit, e cila është korniza e mirëfilltë për integrim në Evropë.

“Epoka e re”: Sa ka arritur Republika e Kosovës të ketë bashkëpunim edhe me vendet e rajonit, që të forcohet pozita e Kosovës në rajon?

H
oxhaj: Mendoj se me vendet e rajonit duhet ta fuqizojmë edhe më shumë bashkëpunimin tonë jo vetëm politikë, por edhe diplomatik e ekonomik. Këtë vit kam pasur vizitë në Mal të Zi dhe Shqipëri. Në muajt e ardhshëm do të kemi edhe shumë aktivitete të cilat do ta forcojnë pozitën e Kosovës në rajon. Në kuadër të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, mendoj se do të ketë vendosje të marrëdhënieve diplomatike me shumë shtete që e kanë njohur Republikën e Kosovës. Do të nënshkruajmë shumë marrëveshje që janë në draftim e sipër, të cilat janë iniciuar nga viti i kaluar. Në kuadër të diplomacisë publike do ta kemi organizmin e disa konferencave, me fokus prezantimin e një imazhi real objektiv të Republikës së Kosovës në disa vende të botës si dhe sjelljen e disa personaliteteve kyçe qoftë të politikës, ekonomisë, të medieve apo edhe të miqve të Kosovës, të cilët do duhej ta promovojnë shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Epoka e re”: Këtë vit a do të keni një agjendë më të përgatitur për lobim?

Hoxhaj: Vitin e kaluar i kam vizituar 34 shtete me ftesë të ministrave të punëve të jashtme. Nuk ma merr mendja që ka pasur ministra në rajon të cilët kanë pasur vizita zyrtare në 34 shtete. Përveç këtyre, kam takuar edhe rreth 60 personalitete, përfshirë presidentë, kryeministra dhe ministra të jashtëm, të cilët nuk e kanë njohur ende Republikën e Kosovës. Pra, kam vizituar edhe shumë vende që nuk e kanë njohur Kosovën. Disa vizita janë bërë publike, ka pasur të tilla që nuk i kemi bërë publike për shumë arsye. Edhe gjatë këtij viti do të kemi një agjendë të saktë të lobimit. Në shumë vende të botës, qoftë në Amerikën Latine, Lindje të Mesme, Azi apo Afrikë, si përfaqësues të Kosovës do ta shtrojmë kërkesën tonë për njohje. Kemi disa data, disa vende pothuajse të konfirmuara, të cilat do të vizitohen gjatë javëve të ardhshme.

“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, derisa ju flisni se si të prezantohet Republika e Kosovës në botë, në rajon pritet që shteti ynë të prezantohet vetëm me një fusnotë...

Hoxhaj: Mendoj se qëndrimi i kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka qenë shumë i qartë në këtë drejtim. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Njohja e Kosovës është një realitet politik dhe gjeografik, pra është një fakt i pakthyeshëm. Kosova në çdo paraqitje në arenën ndërkombëtare do të përfaqësohet me simbolet e saj, me emrin republikë. Askush mos të frikësohet në këtë drejtim. Ne po punojmë për ta forcuar republikën.

“Epoka e re”: Sa është e rrezikshme nëse Kosova pranon të përfaqësohet në rajon vetëm me një fusnotë?


Hoxhaj: Republika e Kosovës ka hyrë në një dialog teknik me Republikën e Serbisë, i cili dialog është marrë edhe me çështjen e bashkëpunimit rajonal. Mirëpo, mund t’ju siguroj se në takimin që ka pasur kryeministri Thaçi me të dërguarin e posaçëm të zonjës Eshton, z. Cooper, ka qenë shumë i qartë, se për ne është e papranueshëm heqja e emrit republikë. Kosova do të përfaqësohet si shtet në çdo takim apo konferencë ndërkombëtare.

“Epoka e re”: Ende në veri nuk funksionojnë rendi dhe ligji. Çfarë hapash ka paraparë Qeveria e Kosovës për këtë vit?

Hoxhaj: Sigurisht se gjendja në veri nuk ka ndryshuar në kuptimin e largimit të barrikadave, ani pse duhet ta kemi parasysh se ajo çfarë ka ndodhur në korrik të vitit 2011 në thelb e ka ndryshuar situatën, për faktin se ka qenë akti më i rëndësishëm në shtrirjen e sovranitetit territorial të Republikës së Kosovës. Realisht viti 2011 ka qenë i suksesshëm për Kosovën, POR ne duhet ta shtrojmë presionin ndërkombëtar që barrikadat në veri të largohen me çdo formë të mundshme.

“Epoka e re”: Sa ndikon gjendja në veri në imazhin e Kosovës?

Hoxhaj: Edhe vitin e kaluar, por edhe gjatë këtij viti i kemi ngritur të gjitha qëndrimet, duke u nisur prej Qeverisë, Presidencës, Kuvendit të Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës për atë se si situata në veri të vendit mund ta vejë në pikëpyetje komplet arkitekturën e sigurisë në Ballkan.
Zhbërja e strukturave paralele, tërheqja e policisë, formacioneve paramilitare dhe anëtarëve të MUP-it serbë është diçka që ka marrë mbështetje kohëve të fundit edhe nga 25 shtete, të cilat e përkrahen përmbylljen e procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Do të thotë ka një progres të dukshëm në veri. Situata në veri nuk është e panjohur për shumë shtete relevante të cilët janë aktorë shtetërorë, pra relevantë në skenën ndërkombëtare. Gjatë këtij viti qoftë në Këshill të Sigurimit, qoftë në takime me ministra të punëve të jashtme do ta ngrehim zërin e Qeverisë së Kosovës, se zhbërja e strukturave paralele është një domosdoshmëri e cila do të ndodhë.

“Epoka e re”: Sa mendoni se institucionet e Kosovës kanë arritur kapacitetet për ta përmbyllur mbikëqyrjen e pavarësisë deri në fund të këtij viti?

Hoxhaj: Debati rreth përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur duhet të shihet edhe në terma gjeografikë, politikë, historikë, shoqërorë dhe kulturorë. Nëse ne kemi parasysh komplet takimin e Vjenës të 24 janarit, konkluzat të cilat kanë dalë nga ai takim, mbështetjen e fuqishme dhe unilaterale të të gjitha shteteve anëtare të Grupit Ndërkombëtar Drejtues, shihet qartë se gjatë vitit 2012 do të përfundojë mbikëqyrja e pavarësisë. Takimi i kryeministrit Thaçi me liderët partiakë në Kosovë që ndodhi këto ditë, nxjerrja e Rezolutës në Kuvendin e Kosovës, që mbështet një proces të tillë dhe merr obligimet e nevojshme, flet realisht se Kosova në katër vjetët e fundit të shtetformimit dhe shtetndërtimit të saj ka arritur një progres të dukshëm.
Shteti ynë është shumë më i fortë sot sesa ka qenë para katër vjetësh. Puna që kemi bërë në implementimin e pakos së Ahtisarit, në qëndrueshmërinë e institucioneve, në qëndrueshmërinë ekonomike dhe sociale si dhe të një stabiliteti politik është pothuajse e pakrahasueshme me vendet e rajonit.
Nëse e krahasojmë progresin që ka bërë Kosova në këta katër vjet me mosprogresin që ka bërë Bosnja për 16 vjet, atje as që ka debat të përfundojë misioni i një mbikëqyrësi ndërkombëtar. Po ashtu, edhe me sfidat që i ka shteti fqinj, Maqedonia, në krijimin e një shoqërie shumetnike, mendoj se ne jemi ndër shembujt më të suksesshëm në rajon.

“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, gjatë javës së ardhshme, të mërkurën, do të merrni pjesë në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit. Sa jeni përgatitur për këtë takim?

Hoxhaj: Në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit do të diskutojmë për raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. Detyra ime si ministër i Jashtëm është t’i informoj të pranishmit për progresin që ka pasur Republika e Kosovës gjatë kësaj kohe, në konsolidimin e shtetësisë, në fushën e fuqizimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar, në dialogun teknik me Serbinë. Po ashtu, do t’i informoj të pranishmit edhe për situatën në veri të vendit, e cila mjerisht ka mbetur e pandryshuar. Gjithashtu, do të flas edhe për sukseset që kemi pasur në agjendën evropiane të Republikës së Kosovës gjatë vitit 2011, dhe fakti se 2012 për Qeverinë e Kosovës është vit i Kosovës evropiane.
 

„Serbien muss sich endlich entscheiden“ Enver Hoxhaj, der Außenminister des Kosovo, über die Verhandlungen zwischen Pristina und Belgrad. Enver Hoxhaj: EU muss sich stärker in der Ukraine engagieren"Serben haben Kosovo als Realität akzeptiert""Belgrad muss Souveränität des Kosovo akzeptieren"