Na ndiqni në:

Hoxhaj: "Janë ide të kohës së Millosheviqit”

Nga Helmar Dumbs

Vjenë, 24 nëntor - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka akuzuar Beogradin, për tensionimin e situatës në veri.

Die Presse: Komunat e dominuar nga serbët në veri të Kosovës kanë paralajmëruar se do ta shpallin pavarësinë. Sa seriozisht i merrni ato? Si do të reagonte Prishtina?

Enver Hoxhaj: Deklarata të tilla i konsideroj si absurde, nuk duhet të merren seriozisht. Disa struktura të sigurisë, të cilat janë ilegale dhe paramilitare, po bëjnë përpjekje të shantazhojnë bashkësinë ndërkombëtare. Kur flitet për veriun, mendohet për tri komuna që mund të krahasohen me tre fshatra të Austrisë. Këto struktura ilegale, tash e 12 vjet janë duke mbajtur peng qytetarët serb, duke parandaluar pjesëmarrjen e tyre në institucionet demokratike të Kosovës. Është koha e fundit që Serbia t’i shpërbëjë këto struktura.

Die Presse: Qëndrimi i Serbisë në kohën e fundit mund të konsiderohet kështu: Ne kemi ndikim në veri, por jo edhe kontrollin?

Enver Hoxhaj: Nuk mendoj se është ashtu. Tash e 12 vjet Beogradi është përgjegjës për situatën e krijuar në veri. Edhe barrikadat e tanishme janë vendosur, me sugjerimin dhe përkrahjen e Qeverisë së Serbisë.

Die Presse: Sipas juve, a s’ka dallim në mes të Qeverisë nacionaliste të vitit 2008 dhe kësaj pro evropiane?

Enver Hoxhaj: Kur bëhet fjalë për Kosovën, ne nuk shohim asnjë dallim, se kush është tani në pushtet në Beograd. Edhe ata që sot nga Evropa konsiderohen pro evropian dhe demokratë, janë duke bërë politikën e viteve të 90-ta.

Die Presse: Dërgimi i zyrtarëve në dy pikat doganore me Serbinë, ka ngjallur reagime të ashpra të popullatës në veri të Kosovës. KFOR ka sugjeruar që të mos ndërmerren hapa të tjetër, si dërgimi i tyre në Gjykatë, sepse kjo do të shkaktonte trazira. Pavarësisht kësaj, planifikoni hapa të tjerë?

Enver Hoxhaj: Nuk ekziston asnjë konflikt në mes të Qeverisë së Kosovës dhe popullatës në veri. Atje është një grup i vogël i njerëzve, të cilët veprojnë në emër të Beogradit dhe financohen në mënyrë masive nga Beogradi.  Të gjitha paratë që Bashkimi Evropian paguan për Serbinë në kuadër të IPA-së (Instrument for Pre-Accession Assistance), praktikisht rrjedhin në veri të Kosovës, në shërbim të ruajtjes të një status quoje. Ne jemi të interesuar të implementojmë Pakon e Ahtisarit edhe në atë pjesë. Ajo u ofron minoriteteve më shumë të drejta se në çdo vend tjetër në Evropë.

Die Presse: A mund ta rikthejë Prishtina sovranitetin e plotë në veri, pa ndonjë konfrontim të armatosur?

Enver Hoxhaj: Mendoj se deri aty nuk do të vijë, por kjo varet edhe nga Beogradi. Nëse Serbia dëshiron të provokojë një konflikt në atë pjesë, kjo edhe mund të ndodhë. Sa i përket Kosovës: Ne në asnjë mënyrë nuk do ta përdorim dhunën. Në të njëjtën kohë ne nuk dëshirojmë që të vazhdojë status quoja. Ne nuk pranojmë ndarje etnike në Kosovë: Veriu është pjesë e Kosovës, ata janë kosovarë të komunitetit serb, ata mund të integrohen në institucionet e Kosovës, atje ekziston një kufi shtetëror, dhe kjo do të jetë gjithmonë kështu.

Die Presse: Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë publikisht është deklaruar për ndarje të Kosovës, dhe mendon se kur të gjitha territoret serbe të bashkohen në një shtet dhe ato shqiptare në një shtet tjetër, të gjitha problemet do të zgjidhen.

Enver Hoxhaj: Këto ide janë të kohës së Millosheviqit. Në Ballkan, ato kanë sjellë vetëm luftëra, spastrime etnike dhe shumë vuajtje. Ne jemi kundër koncepteve të shteteve etnikisht homogjene në Ballkan, kjo do të hapte Kutinë e Padorës. Kjo mund të përcillet me dhunë dhe konflikte ndëretnike edhe në shtete të tjera si në Maqedoni, Serbi dhe në Bosnje. Është momenti i fundit për Serbinë që ta definojë interesin e saj nacional mbi zhvillimin ekonomik dhe integrimin politik, dhe jo ta definojë interesin nacional mbi parimin territorial.

Die Presse: Nëse ju thoni që nuk duhet të shikohet territori, atëherë pse Kosova nuk ka qëndruar me Serbinë?

Enver Hoxhaj: Kosova nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Serbisë, asnjëherë në histori. Kosova ka qenë pjesë përbërëse e Jugosllavisë, ashtu siç ka qenë Sllovenia, Kroacia...

Die Presse: ...Kosova nuk ishte Republikë, por një krahinë autonome.

Enver Hoxhaj:
Ne kemi qenë një etnitet brenda Federatës së Jugosllavisë. Kosova gjithmonë ka pasur historinë e saj, institucionet e veta. Në kohën kur filloi shpërbërja e Jugosllavisë, ashtu si sllovenët dhe kroatët, edhe ne ndërmorëm iniciativën për pavarësi. Për ne erdhën pastaj 10 vjet represion, tri vjet luftë dhe spastrim etnik, tentimi për gjenocid mbi Kosovën, pastaj intervenimi i NATO-së dhe dhjetë vjet administrim ndërkombëtar nga Kombet e Bashkuara, vazhduan tri vjet negociata në Vjenë. E gjithë kjo ka rezultuar me shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Askush nuk mund të paramendojë – nuk e ka paramenduar as para 20 vjetëve që Kosovës në çfarëdo forme ka të bëjë me Serbinë. Republika e Kosovës është pranuar nga 85 shtete. Është koha që Serbia fatin e saj ta kërkojë brenda kufijve të vet dhe jo jashtë tyre.

Die Presse: Si po rrjedh dialogu me Beogradin, këtë javë, a do të ketë ndonjë përparim?

Enver Hoxhaj: Aty po bisedohet mbi të gjitha për çështje teknike, sa i përket lëvizjes së lirë të qytetarëve, të mallrave, të kapitalit dhe për të përkrahur perspektiven evropiane të të dyja vendeve. Në qershor kemi arritur disa marrëveshje, por ne jemi të brengosur, meqë Serbia si duket nuk ka për qëllim që t’i zbatojë ato. Është koha që Bashkimi Evropian t’i bëjë më shumë presion Serbisë. Marrëveshjet janë shumë të rëndësishme për të dy shtetet. Dialogu është po ashtu i rëndësishëm për të krijuar besim ndërmjet popujve.

Die Presse: Në BE ka aktualisht një lodhje të konsiderueshme nga zgjerimi. Pavarësisht, kësaj, a ju ka dhënë shpresë ministri i Jashtëm  Spindelegger?

Enver Hoxhaj: Ne kemi marrë mbështetje për dialogun e vizave dhe sa u përket marrëdhënieve kontraktuale në mes të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të BE-së në Bruksel. Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, ne jemi mjaft prapa në procesin e integrimit. Por këto dy gjëra - një udhërrëfyes të vizave dhe marrëdhëniet kontraktuale - janë shumë të rëndësishme për ne.

Die Presse: A është duke ju përkrahur Vjena sa duhet?

Enver Hoxhaj: Në 10 vjetet e fundit ne kemi marrë një mbështetje të fuqishme diplomatike dhe politike, dhe unë besoj që kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Për ne Austria është një partner i rëndësishëm politik dhe ekonomik, por ne dëshirojmë të kemi më shumë investitorë austriakë në Kosovës.

(Die Presse)

Kosovos Außenminister: "Serbien muss noch mehr machen"Enver Hoxhaj: EU muss sich stärker in der Ukraine engagieren„Serbien muss sich endlich entscheiden“ Enver Hoxhaj, der Außenminister des Kosovo, über die Verhandlungen zwischen Pristina und Belgrad. Intervistë e ministrit Enver Hoxhaj për “Epokën e re”